“Shkodimi i krimit shqiptar”. Ky është titulli i librit të pedagoges së Universitetit të Kalifornisë në SHBA, Jana Arsovska, e cila ka hetuar për disa vite mbi mafian shqiptare nëpër botë. Libri që është një botim i muajit maj 2015, ka bërë bujë në SHBA dhe në vende të tjera, ndërsa në Shqipëri nuk është thënë asnjë fjalë. Në këtë libër autorja e ka studiuar krimin e organizuar shqiptar që nga fillesat e tij, në kohën e komunizmit dhe deti në ditët tona. Autorja që është profesore në Universitetin e Kalifornisë, e ka bazuar librin e saj në studime të ndryshme, intervista dhe raporte nga shërbimet sekrete të vendeve të huaja dhe disa raporte të OKB-së, në lidhje me droga dhe organizatat kriminale që janë në botë.
Krimi i organizuar gjatë komunizmit
Është e rëndësishme të dihet se rrjetet kriminale preekzistuese, njohuritë e posaçme, dhe aksesi në zhvillimin e veprimtarive kriminale janë faktorë të rëndësishëm mundësish që shpjegojnë, pjesërisht, rritjen e krimit të organizuar shqiptar pas rënies së komunizmit më 1991. Sikurse shumica e vendeve post-komuniste, Shqipëria qe shtëpi e një rrjeti të gjerë njerëzish të cilët në të kaluarën kishin punuar për shërbimet ushtarake kombëtare, shërbimet sekrete, apo për policinë. Në fakt, shërbimet e brendshme sekrete dhe policore ishin një pjesë kyçe e regjimit komunisto-absolutist. Sipas raportit të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimet (UNODC) për 2008-ën, Policia e Shtetit në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit ka vepruar gjerësisht mbi ligjin. Dhe me kalimin e kohës, vepruesit e nëndheshëm dhe shërbimet e sigurisë në rajon i bashkuan forcat për krijimin e një aparati të gjerë informativ. Agjencisë e sigurimit të periudhës komuniste gjithashtu zakonisht ndërvepronin me kriminelë profesionistë, përfshi edhe shumë prej tyre që ndodheshin në Evropën Perëndimore, të cilët joformalisht përdoreshin si informatorë apo veprimtarë (Leman and Janssens 2006).
Sipas raporteve të policisë, këta njerëz përdoreshin për një larmi detyrash të sigurisë shtetërore, si kontrabandë nafte, armësh dhe drogërash dhe për të vrarë disidentët e larguar. Në Serbi, për shembull, gjërat shkuan aq keq sa që Klani i Zemunit, një prej grupeve kryesore të kontrollit të drogës në vend, ishte kryesisht e bashkuar me JSO-në – një njësi elitare e operacioneve speciale – dhe kishte artilerinë e saj, mjete të blinduara dhe helikopterë (Samuels 2010).
Toleranca e shtetit
Në Shqipëri, disa veprimtari të krimit të organizuar, gjithashtu të papërcaktuara si të tilla, toleroheshin nga shteti edhe gjatë kohës së komunizmit sepse ato gjeneronin fitime extra për shtetin, plotësonin kërkesat e konsumatorëve që nuk garantoheshin dot nga ekonomia zyrtare dhe ndihmonin në destabilizimin e shoqërive kapitaliste. Shërbimet e sigurisë së brendshme shpeshherë merrnin pjesë në veprimtari të tilla të paligjshme.
Për shembull, edhe pse nuk është e dokumentuar mirë, duket se ekzistonin marrëdhënie ndërmjet Shërbimit Sekret Shqiptar, Sigurimit dhe krimit të organizuar (Leman and Janssens 2006; CSD 2004).
Një raport konfidencial i inteligjencës i përgatitur nga një oficer ndërlidhjeje më 2008-n tregon se, duke nisur që nga vitet ’60, shteti komunist shqiptar bëri marrëveshje të fshehta me disa organizata kriminale italiane, duke iu lejuar atyre që të futnin cigare kontrabandë në territorin shqiptar. Raporti i inteligjencës tregon se më 1966, Shqipëria iu mundësoi kriminelëve italianë rrugë shpëtimi nëpërmjet Detit Adriatik. Gjithashtu mafiozëve italianë iu lejohej të përdornin aeroportet shqiptare, ku ata magazinonin cigaret kontrabandë. Marrëveshja ndërmjet Sigurimit dhe organizatave kriminale italiane u miratua nga Byroja Politike dhe nga diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha. Në bazë të kësaj marrëveshjeje në Shqipëri u krijua një njësi speciale, e quajtur “101K”. E vendosur në fshatin Rrushbull, pesë kilometra larg portit të Durrësit, njësia përbëhej nga oficerë të policisë kufitare shqiptare. 101K-ja ruante anijet plot me cigare që niseshin nga Durrësi, si dhe mbikëqyrte depot e cigareve që ndodheshin në Rrushbull.
Sipas raportit, vetëm gjatë një viti të vetëm nga fundi i viteve ’60, mafia italiane i pagoi 22 milionë dollarë të thata shtetit shqiptar. Paratë shkuan në buxhetin e shtetit dhe disa prej tyre përfunduan në buxhetin e ministrisë së Brendshme. Në fakt, raporti bën të ditur se helikopterët Alouette që vazhdojnë të përdoren në Shqipëri edhe sot u blenë në vitet ’80 me paratë e mafies italiane. Bazuar te raporti i inteligjencës belge, duket se një tjetër veprimtari kriminale në Shqipëri ishte kultivimi i “Papaver somniferum”, bima e lulëkuqes nga e cila nxirret opiumi dhe shumë opiate të tjera të rafinuara. Pasi fermerët e mblidhnin opiumin, ai i dorëzohej shtetit komunist, i cili raportonte se droga do të përdorej për qëllime mjekësore, por raportet e brendshme bënin me dije se sasia e opiumit të kultivuar e tejkalonte ndjeshëm nevojat legjitime mjekësore të popullit shqiptar. Dëshmitarët raportojnë se prodhimi kishte qëllime eksporti për vendet e tjera, dhe raporti investigues belg se pretendon se udhëheqja komuniste argumentoi se duhej përdorur “për të helmuar shoqëritë kapitaliste, në mënyrë që komunizmi të triumfonte”.
Gjithashtu edhe disa lloje të tjera të krimit të organizuar lulëzuan në Shqipëri gjatë regjimit komunist. Për shembull, njerëz me lidhje të strukturuara krijuan një sistem paralel për furnizimin me ushqime, të cilat qenë të pakta në atë kohë, duke e çuar nga dyqanet te konsumatorët me çmime shumë më të larta. Bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm – prodhues, shoferë, menaxherë shitjesh, dyqane lokale, klientë, e kështu me radhë, – ishte i nevojshëm për të krijuar një sistem të tillë të shpërndarjes ushqimore.
Përshtati Syri.Net