Niko Kovac nuk do të jetë më trajneri i përfaqësueses kroate. Drejtuesit e Federatës Kroate të Futbollit morën vendimin unanim për ta shkarkuar 43-vjeçarin pas dy rezultateve zhgënjyese që regjistroi përfaqësuesja ballkanase në dy ndeshjet e këtij muaji ndaj Azerbajxhanit dhe Norvegjisë. Me barazimin 0-0 ndaj kombëtares azere dhe disfatën 2-0 përballë Norvegjisë, Kroacia zbriti nga vendi i parë në renditjen e grupit H në pozicionin e tretë dhe tashmë rrezikon seriozisht kualifikimin direkt në Kampionatin Evropian. Paraqitja e skuadrës në dy sfidat e fundit eliminatore nuk u ka pëlqyer aspak drejtuesve të Federatës Kroate, të cilët dolën me një komunikatë në faqen e tyre zyrtare në “Twitter”, duke bërë të ditur se nga tani e tutje Niko Kovac nuk do të jetë më trajneri i ekipit përfaqësues. Federata Kroate theksoi gjithashtu se trajneri i ri do të emërohet brenda 21 shtatorit dhe ai do të përzgjidhet nga presidenti Davor Suker dhe drejtori teknik Romeo Jozak. Emri më i mundshëm për të pasuar në detyrë në Niko Kovacin është ai i trajnerit aktual të Lokomotivës së Zagrebit, Ante Cacic. Përfundoi pas pothuajse 2 vjetësh aventura e Niko Kovacit në krye të kombëtares kroate. 43-vjeçari e kishte marrë drejtimin e ekipit në tetor të 2013-s, duke zëvendësuar të larguarin Igor Stimac. Kovac arriti ta kualifikonte Kroacinë në Kupën e Botës Brazil 2014, pasi eliminoi Islandën në “play-off”, ndërkohë që më herët kishte drejtuar edhe përfaqësuesen e 21-vjeçarëve të këtij vendi.
Mirotic shkul flamurin serb, shkaktohet incident diplomatik
Nikola Mirotic shkakton një incident të vërtetë diplomatik pas një gjesti që po diskutohet gjatë. 24-vjeçari i lindur në Podgoricë ka vendosur të përfaqësojë kombëtaren e Spanjës në basketboll dhe ishte pikërisht një ndeshje me iberikët në Evropian që nxori në pah anën e tij të panjohur. Pas humbjes në ndeshjen kundër Italisë, shtatlarti i Chicago Bulls është drejtuar në dhomat e zhveshjes, por në hyrje të tunelit, një tifoz i valëviti flamurin serb të cilin Mirotic e tërhoqi me forcë duke e grisur. Në Serbi nuk e kanë pritur mirë këtë gjest, aq më tepër nga një basketbollist që ka lindur në Mal të Zi, vend që fitoi pavarësinë në vitin 2006, duke u shkëputur nga Serbia. Gazeta “Vecernje Novosti” shkruan: “Skandal në Berlin, Mirotic gris flamurin e Serbisë”. Anëtarë të stafit spanjoll janë përpjekur të ulin tensionin duke thënë se Mirotic nuk e kishte idenë se bëhej fjalë për flamurin serb, por e përditshmja e Beogradit hedh dyshime të mëdha duke shtuar se nuk ka mundësi që shtatlarti të mos e dinte një gjë të tillë. Gjithsesi, kjo çështje mund të mbyllet shpejt pasi Federata Serbe e Basketbollit ka pranuar faljen e asaj spanjolle, duke konfirmuar vazhdimësinë në Eurobasket 2015. Lojtari me origjinë malazeze 2.08 cm i gjatë u bë i njohur në Evropë me Realin e Madridit dhe që prej vitit 2008 militon në NBA ku fillimisht u bashkua me Houston Rockets ndërsa në vitin 2015 mbajti të veshur fanellën e Chicago Bulls.
Konfirmohet shuma e transferimit te Schweinsteigerit
Është konfirmuar shuma e transferimit të Bastian Schweinsteigerit te Mançester Junajtid. Klubi i parë i Schweinit, Rosenheim, ka zbuluar se shuma e transferimit ka qenë 9 milionë euro. Pra, nga kjo shumë 19 mijë euro i shkojnë klubit të parë të gjermanit në lloj të klauzolës. Kishte pasur dilema për shumën tranferuese të mesfushorit gjerman, por kjo komunikatë ka sqaruar edhe një herë natyrën e transferimit pas shumë spekulimeve.
Costa vuan mungesën e golave
Diego Costa ka pranuar se ka luftuar për të gjetur formën e tij më të mirë për Spanjën dhe është i dëshpëruar që s’arriti të shënonte më shumë gola për ekipin kombëtar. Futbollisti 26-vjeçar ka shënuar vetëm një herë për kampionët e Evropës që kur ka bërë debutimin e tij në fitore 1:0 në ndeshje miqësore ndaj Italisë në mars të vitit 2014 dhe ka marrë kritika të konsiderueshme për mungesën e golave. Diego Costa edhe një herë dështoi të gjejë rrjetën në fitoren 1:0 të Spanjës kundër Maqedonisë, por ai thotë se do të përmirëshet. “Unë jam munduar të përmirësohem dhe do të filloj të shënoj gola”, ka thënë ylli i Chelsea për AS.
Ancelotti nuk ka inate me Rafa Benitezin
Ish-trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, nuk ka inate me Rafa Benitezin. Benitez e zëvendësoi Ancelottin në krye të Realit, por trajneri i italian s’ka ndonjë problem me teknikun spanjoll. “Unë e di se çfarë është të stërvitësh një ekip si ai i Reali i Madridit. Unë i dëshiroj Rafas më të mirën, kam shumë respekt për punën e tij. Unë vetëm mund të them se ai ka skuadër të madhe nën drejtimin e tij dhe se është pak fat sepse i drejtova edhe vet për dy sezone”, – u shpreh tekniku italian.
Ze Maria bekon rrugën e Kovacicit
Ish-mesfushori i Interit, Ze Maria, nuk ka dyshime në kualitetin e Mateo Kovacicit. Kovacic u shit nga Interi për 40 milionë euro dhe Ze Maria është i bindur se “Los Blancos” kanë siguruar një thesar të vërtetë. “Kondogbia mund të ngrihet, por Interi ka paguar tepër për të. Ai është pak i mbivlerësuar. Kovacic shkoi te Reali për më pak para sa duhet dhe për pak vite ai do të kushtojë dyfishin e asaj që mori Interi”, – u shpreh Ze Maria.
Al Hussein zyrtarizon kandidimin për President
Princi i Jordanisë, Ali bin Hussein, ka konfirmuar se do të garojë për President të FIFA-s në zgjedhjet e muajit shkurt. 39-vjeçari humbi në zgjedhjet e majit nga Sepp Blatter, që pak ditë pas fitores dha dorëheqje për shkak të skandalit të korrupsionit që mbuloi qeverinë e institucionit më të lartë të futbollit. Ali për këtë post do të garojë kundër presidentit të UEFA-s, Michel Platini, dhe Chung Mong-joonit zëvendëspresident i nderit i FIFA-s. “Nuk besoj se FIFA mund t’ia lë futbollin njerëzve në botë, pa një lidership të mirë, të paprekur nga praktikat e së kaluarës. Andaj qëndroj këtu në zemër të Ammanit, kryeqyteti i Jordanisë, për të nisur kandidaturën për president të FIFA-s. Kërkoj të më mbështetni në kampanjën time për të sjell shpresë, dinjitet ekselencë dhe mundësi në futboll, sportit më të madh në botë”, – ka shkruar ai në “Twitter”. Zgjedhjet do të mbahen më 26 shkurt 2016.
Shtyhet rinovimi me De Biasin
Humbja në sekondat shtesë me Portugalinë nuk ndërlikoi vetëm rrugën e kombëtares drejt Evropianit 2016 në Francë. Goli i Miguel Velosos ndryshoi edhe prioritetet e Federatës Shqiptare të Futbollit për sa i takon të ardhmes së stolit kuqezi. Rinovimi i kontratës së trajnerit Gianni De Biasi tashmë ka kaluar në plan të dytë dhe bisedat do të nisin vetëm pas mbylljes së kualifikueseve në grupin I. Presidenti Armando Duka zbuloi se kishte planifikuar që pas dy ndeshjeve të shtatorit në Kopenhagen dhe Elbasan të ulej me drejtuesin e stolit për të diskutuar rreth nënshkrimit. Por, në situatën e krijuar, vlerësohet se diçka e tillë do të përbënte shpërqendrim. “E kisha menduar që pas ndeshjeve me Danimarkën dhe Portugalinë të takohesha me trajnerin De Biasi dhe të diskutonim rreth rinovimit të kontratës. Por, tani që pozitat e skuadrës ndryshuan dhe duhet me patjetër të fitojmë dy ndeshjet e radhës. Çdo diskutim tjetër do të na shpërqendronte nga objektivi madhor i kualifikimit në Euro 2016”. Gianni De Biasi është emëruar në stolin e Shqipërisë në dhjetor të 2011-ës. Gjatë këtyre katër viteve në kombëtare, ai ka afruar mbi 40 futbollistë të rinj në fanellën kuqezi. Rinovimi është realizuar me sukses të jashtëzakonshëm. Shqipëria ka vendosur rekorde të njëpasnjëshme në renditjen e FIFA-s, deri në pozicionimin e vendit të 22-të, ndërsa përfaqësuesja është në garë për kualifikimin historik në një eveniment madhor.