ILDKP: Kreu i Gjykatës së Apelit dyshohet se ka pastruar 1.7 milionë euro

0
141

gjykata e tiranes

 

Akuza tepër të rënda për fshehje të pasurisë, “Pastrim parash në vlerë 1.7 milionë euro” dhe deri “Injektim parash të pista” janë hedhur dje zyrtarisht mbi kryetarin e Gjykatës së Apelit në Tiranë, Alaudin Malaj, nga një institucion shtetëror, nga vetë Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive. Rezulton se gjyqtari brenda 11 vjetëve të fundit, e ka shtuar pabesueshmërisht pasurinë e tij nga 60 mijë euro të deklaruara në vitin 2003 në 1.7 milionë euro në vitin 2014. Sipas deklaratës zyrtare të ILDKP-së për Malajn, një nga figurat më të njohura të gjyqësorit në Shqipëri, renditen këto akuza: 1. Fshehje të pasurisë, 2. Deklarime të rreme të interesave private, 3. Mungesë burimesh të ligjshme financiare, 4. Dyshime për pastrim parash në shumën 1.7 milionë euro dhe 5. Injektim parash të pista etj. Të gjitha këto akuza kanë një emërues të përbashkët: Nisjen e menjëhershme të hetimit nga ana e Prokurorisë. “Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin dhe rikontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Alaudin Malaj, me funksion gjyqtar, Kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë. Në përfundim të kontrollit të plotë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private, mungesë burimesh të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash në shumën rreth 1,7 milion euro dhe për rrjedhojë subjekti Alaudin Malaj është kallëzuar penalisht për veprat penale të parashikuara nga nenet 257/a/2 dhe 287 të Kodit Penal. ILDKPKI i kërkon organit të Prokurorisë një hetim të plotë e të gjithanshëm të subjektit Alaudin Malaj, pasi të dhënat e institucioneve shtetërore ngrenë dyshime të forta për injektim parash të “pista” nga subjekti nëpërmjet skemës së krijimit të bizneseve të ndërtimit në emër të familjarëve të tij, kalimin e aseteve, vlerave monetare dhe aksioneve te subjekti nëpërmjet kontratave fiktive të huave e të dhurimit, e më pas shitjen dhe riinvestimin e tyre nga subjekti në aktivitete brenda dhe jashtë vendit. Alaudin Malaj në vitin 2003, në deklarimin e parë të interesave private, ka deklaruar gjithsej asete në shumën 60.000 euro dhe në fund të vitit 2014 pasuria e subjektit ka arritur gjithsej në shumën rreth 1,7 milion euro. ILDKPKI do të njoftojë menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrin e Drejtësisë me qëllim marrjen e masave disiplinore ndaj subjektit Alaudin Malaj”, – thuhet në njoftimin e ILDKPI-së.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here