Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua dje me europarlamentarët raportues për Shqipërinë Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein si edhe me zyrtarë të lartë të Komisionit e institucioneve të tjera evropiane. Po ashtu Basha ishte i pranishëm në seancën e posaçme dëgjimore për zgjedhjet vendore te organizuar nga Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian në Bruksel. Pas raportimit të kryesueses së misionit të vëzhguesve Audrey Glover, eurodeputët konkluduan se zgjedhjet e 21 Qershori nuk ishin as të lira dhe as të ndershme. Në këtë kontekst, kryedemokrati tha se kjo është hera e parë pas 13 vjetësh që Shqipëria shënohet si vendi që nuk garanton votën e lirë të qytetarëve. “Zgjedhjet e 21 Qershorit, përballën qytetarët dhe opozitën me forcën e plotë të një makinerie shtetërore të fortifikuar me ndihmën e krimit, bandave dhe parave të drogës e korrupsionit”, deklaroi. Më tej Basha ka ndarë shqetësimin me eurodeputetët për mungesën e vullnetit nga ana e mazhorancës për të nisur procesin e dekriminalizimit, por nga ana tjetër ka shprehur vendosmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike për të bërë dekriminalizimin. “Përfaqësuesit e qeverisë në Komisionin e Dekriminalizimit janë përpjekur të bllokojnë procesin e adoptimit të ligjit për dekriminalizimin sipas draftit që opozita ka çuar në Kuvend, draft i cili bazohet tërësisht nga rekomandimet e Komisionit të Venecias për këtë çështje. Kjo është një dëshmi tjetër e mungesës së vullnetit për dekriminalizimin nga Edi Rama i cili është shënuar si arkitekti i kriminalizimit të politikës dhe administratës së lartë. Tashmë po shënohet si personi që po bën gjithçka për ta bllokuar dekriminalizimin. Sot nga Brukseli kam një mesazh për qytetarët shqiptarë; beteja për dekriminalizimin duhet të fitohet sepse është nyja gordiane ku lidhen të gjitha problemet e tjera të Shqipërisë si vota e lirë, ekonomia, varfëria dhe lufta kundër saj, papunësia, mirëqënia. Pa fituar këtë betejë Shqipëria nuk mund të ecë përpara”, u shpreh Basha.