Për pak do të ja kishte dalë, por e ka tradhtuar nervozizmi gjatë një ndalimi që i kishin bërë karabinierët. Bëhet fjalë për një 31-vjeçar shqiptar i cili kishte fshehur një pako që përmbante 1 kilogram kokainë në motorin e makinës me të cilën udhëtonte. Shqiptari me banim në Ferrara, kishte mundur që të evitonte një postbllok, duke ndryshuar rrugën, por kur është ndaluar herën e dytë nuk ka mundur që të ruajë qetësinë. Karabinierët e kanë marrë atë dhe makinën për të shkuar në kazermë, ndërsa gjatë një kontrolli të imtësishëm i është gjetur edhe kokaina. Ka qenë qeni antidrogë që e ka gjetur lëndën narkotike.