Ja çfarë nuk u dëgjua në media/ akuzat dhe replikat e plota / Rama: Paloka e Ristani, hallexhinjtë e PD-së. Deputetët: T’u thaftë goja, turkoshak e veshgjatë!

0
188

 

 

 

rama-palokaaa“Përsheshi parlamentar”, replika dhe ironi mes Nokës, Felajt e Braçes. Balla e ka me Berishën e Bashën

 

Gëzim Saliu

 

Debate, akuza, replika, ironi e deri në fyerje shkoi dje diskutimi maratonë në seancën plenare, ku në “skenën parlamentare” duket se dominoi përplasja mes Kryeministrit Rama me dy ndër figurat kryesore të PD-së: kreun e grupit Edi Paloka dhe sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani. Ajo që u vu re ishte fakti se, siç ka ndodhur edhe në disa seanca të tjera, Kryeministri i vendit ishte në formë optimale për batuta që shkuan deri në fyerje personale për opozitën. Por duket se ajo që ndikoi më shumë në këtë inspirim të kreut të qeverisë ishte edhe mungesa në sallë e ish-kryeministrit Berisha, i cili nuk mund të mohohet, përbën një ndër zërat kryesorë të opozitës në Parlament. Në këto kushte, Rama gjeti terren të përshtatshëm jo vetëm për t’iu kundërpërgjigjur akuzave të opozitës për dekriminalizimin, por edhe për të ngjitur në skenë një “skeç”, ku në qendër të batutave ishin deputetët demokratë e sidomos Paloka dhe Ristani, me të cilët Rama është përballur më parë edhe në gjykatë. Por ndërsa batuta dhe madje fyerjet e Kryeministrit shoqëroheshin me brohoritje gazmore nga ana e deputetëve të mazhorancës, nuk mund të thuhet se mungoi reagimi dhëmbë për dhëmbë i demokratëve. I ashpër në qëndrimin e tij, Paloka e cilësoi Ramën si një përdorues të lëndëve narkotike e ndërsa Ristani, duke iu referuar folklorit popullor, nuk ngurroi t’i pohonte: “T’u thaftë goja turkoshak e veshgjatë!” Po ashtu pjesë e “përsheshit parlamentar” ishin edhe batutat mes deputetit demokrat Flamur Noka fillimisht me ministren Felaj, së cilës i kujtoi se komisioni ishte ad-hoc dhe jo had hoc, dhe më pas me deputetin e mazhorancës Erjon Braçe lidhur me parcelat e hashashit në të gjithë vendin. Ndërkaq, përballja rutinë tashmë në Parlament mes ish-kryeministrit Berisha dhe deputetit socialist Taulant Balla, e cila çdo herë shoqërohet me fyerje dhe akuza personale, u pështjellua dje edhe më shumë.

 

Debati i plotë

Berisha, akuza Ramës për prishjen e marrëveshjes së dekriminalizimit: Vetëm një burracak e bën këtë

Balla pa mikrofon: Burracak je vetë ti…

Berisha: Nëse një i akuzuar për përdhunim më ndërpret fjalën, le t’i nxjerrin të gjithë nga burgjet dhe t’i sjellim këtu

 

Balla pa mikrofon: Vetëm ty të kam përdhunuar, asnjë tjetër…

 

Ermonela Felaj: Mbi bazën e rezolutës së dhjetorit, doli vendimi i Kuvendit për ngritjen e komisionit ad hoc.

Ndërhyn pa mikrofon Flamur Noka

Felaj, Nokës: Flamur kur ishe ministër, mësove edhe ti disa fjalë (qesh Rama dhe ministrat).

Noka merr fjalën për replikë: Vetëm një fjalë doja t’i thoja ministres, nuk quhet komision had hoc por ad-hoc… (qeshin deputetët e PD)

Rama, Nokës: Asnjë nuk e vë në dyshim dijeninë tënde në latinisht, me shqipen ndoshta ke probleme, por në latinisht je mjeshtër ti…

Bylykbashi: Marrëveshja që solli kthimin e opozitës në Kuvend u shkel, tani do mbani edhe ju pasojat.

Rama: Jemi zotuar t’i referohemi ligjit “Severino” po shpifje SHQUP-i nuk pranojmë ne.

Paloka: Doli dhe na foli ky që është autori i dekriminalizimit se do ta mbajë ky tani flamurin… Nuk e donit dekriminalizmin në qershor se do kandidonit Bushin dhe Rroshin, Rama dilte në kafe me të për të treguar para ndërkombëtarëve se nuk dua t’ia di për ju.

Rama: Ju kujtoni se thoni ndonjë gjë të zgjuar që ju jep pamjen e kalorësve të luftës me krimin kur thoni që ky del në fotografi me kryetarin e Bashkisë së Kavajës dhe të Krujës. Kryetari i Bashkisë së Kavajës dhe kryetari i Bashkisë së Krujës janë të zgjedhur nga populli. Dhe nëse qoftë njëri apo tjetri ju rezulton i dënuar, jo me vendim të formës së prerë, por edhe nga një gjykatë e shkallës së parë, jo vetëm në Shqipëri, por kudo, silleni dokumentin përkatës dhe ju siguroj se ne jemi gati të bashkohemi me ju që t’u kërkojmë të largohen, në të kundërt të bllokojmë bashkërisht këshillat bashkiakë… Edhe ky erdhi në gjyq dhe tha s’kemi gjë me këtë, po kështu është puna… kështu që… unë me këtë punë ha bukë tha, partia më jep bukë tha, e për çfarë i duhem unë partisë nëse unë nuk dal t’ia fus kot sa herë kërkon partia. Se janë të ndara punët në parti, ca janë për t’ia futur plot ca për kot, këtij i ka rënë kjo. Dil futja kot që të marrësh bukën, ti ha bukë me këtë punë, je në rregull. Kështu që çfarë t’u themi ne këtyre?! Kriminelë! Ti je hallexhi… i lumtur.

Paloka: Ku ke dëgjuar ti zotëri të të them ndonjëherë unë që më kanë detyruar dhe nuk kam çfarë të bëj… jo mo jo, t’i kam thënë në sy t’i kam thënë aty, t’i kam thënë kudo. Dhe nga salla e gjyqit ike ti, duke thënë ky është turp, këtu vazhdon të bëhet e njëjta lojë, e njëjta skenë. Meqë u fol për dënimin ky raporti i fundit i OSBE-së na përmend dhe me emra dhe mua dhe Ristanin dhe nuk jemi ne të dënuarit, por je ti i dënuar tek raporti i OSBE të paktën.

Rama: Për sa i përket atij gjyqit, faktikisht do ishte shumë mirë…

Bedri Hoxha nga vendi: Po ik mor ti…

Rama ngatërrohet pasi kujtoi se foli deputeti tjetër i PD-së, Spaho: Profesor të lutem se ti nuk hyn tek ata që flasin kot, ti flet plot, janë të ndara gjërat, ty të kemi dhe Kastriotin…

Spaho pa mikrofon: Nuk fola fare unë… shiko një herë kush flet…

Rama vazhdon deklaratën: Tek gjyqi historia është shumë e thjeshtë. Dy shpifës profesionistë të cilët nuk është se dhanë opinione, publikisht folën për fakte. “Edi Rama është i lidhur me atë…, takohen aty… bashkë me atë tjetrin, bëjnë këtë…shkojnë atje…” jeni njerëz që jeni futur në këtë punë, se punë tjetër harrojeni se bëni dot dhe te kjo punë keni kapur segmentin e hallexhinjve… Kur the që mendoj shumë e ekzagjerove se ti s’mendon fare jo më të mendosh më shumë se kaq sa thua. Ato që thua i mendojnë të tjerët, ti thonë ty dhe ti i thua sikur i mendon. Ti dhe mendimi jeni absolutisht pa asnjë pikë përputhje me njëri-tjetrin. Midis teje dhe mendimit qëndron partia…Të ka rënë edhe një barrë e madhe tani se të kanë vënë edhe përsheshin kryesor se je dhe në emër të grupit kështu që ha përshesh, hallall se vërtet punën që të ka caktuar partia ti e qan.

Paloka: Unë nuk pres të bëhem as kryetar grupi, as kryeministër që të bëj shkarravina dhe në emër të qeverisë të iki t’i çoj nëpër ekspozita,

Rama pa mikrofon: Ato janë piktura, ti je shkarravinë…

Paloka: Ke qenë i dështuar gjithë jetën dhe kjo të dhemb sot e kësaj dite, sa arrite u bërë kryeministër për të hapur ekspozita dhe jo për të drejtuar qeverinë. Ky popull që të sheh përditë të njeh mirë… ti vazhdo merru me zotësitë tona, zotësitë e tua po t’i njeh ky popull përditë, hap ekspozita akoma përditë se do të shofin o kryepiktor…

Edi Paloka largohet nga Kuvendi, kërkon fjalën Arben Ristani

Valentina Leskaj: Zoti Ristani nuk t,u përmend emri.

Ndërhyn Rama nga vendi: Ka të drejtë, emrin nuk ia përmenda, por përderisa thuhet shpifës profesionist, ai e di vetë, çohet në këmbë bën replikë, të takon (qeshin deputetët e mazhorancës në sallë). Është profesioni yt dhe është e drejta profesionale se do hash edhe ti bukë sot, se ta mori gjithë pjesën Paloka se do hash edhe ti pjesën tënde…

Arben Ristani: Ka dy vjet që dëgjojmë vetëm fjalë të ndyra në Parlament nga ky zotëri dhe sa herë e dëgjoj, në fakt më vjen në mendje Çajupi dhe hë ta them, hë mos e them, po hajt po e them. Ka një të bukur ke “Klubi i Selanikut”, ku i drejtohet beut dhe i thotë: ‘Po t’u thaftë goja o beu ynë si nuk the një llaf të mirë, po të plastë koka o beu ynë si nuk the një fjalë të mirë, po qenke veshgjatë more beu ynë, po qenke turk more beu ynë’ dhe shkon shumë mirë me gjithë këtë turmë turkoshakësh të paaftësh që ke mbledhur dhe do të bësh edhe reforma. E di që janë të paaftë… por shyqyr që e bën edhe ti.

Merr fjalën Strazimiri, Rama largohet, deputetët e PD-së: Po pse po ikën…

Rama pa mikrofon duke u larguar: Dy intelektualë i përballova unë po këtë të tretin po ju a lë juve….

Taulant Balla: Duan të bëjnë një komision verifikimi dhe Agron Kuliçi të jetë kryetar dhe ai të thotë kush janë kriminelët këtej se andej (PD) nuk ka…

Flamur Noka: Çfarë ndodhi te Festivali Folklorik i hashashit? Zëri i parë në Festival ishte Rama, zëri i dytë ishte ky kapoja i trafikut dhe krimit. Zëri i parë, Rama u pa dje tek këndonte me një zë të mekur dhe me këngë tallava. Zëri i dytë nuk arriti të ishte në nivelin e këngës, ky ngeli në nivelin e recitimit, madje nga fundi ra në nivelin e belbëzimit, arsyet i di vetë ky. Pastaj filloi të fliste përçart, të fliste si e ëmë e Zeqos në majë të thanës për këtë heroin e hashashit. Dhe kur filloi të fliste si e ëmë e Zeqos për këtë heroin e hashashit dhe ta paraqiste sikur ky paska qenë heroi i vetëm që paska luftuar hashashin në këtë vend, ky që ka qenë hashashist dikur dhe sot ka kaluar në një shkallë më të lartë, përdorues.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here