Koluna, mësuesi i Eusebios, që bëri historinë me Benfikën

0
159

 

Koluna, “kujdestari” i Eusebios

 

Në qytezën që ndodhet në periferi të Luorenco-s (pasi Mozambiku fitoi pavarësinë nga Portugalia në 1976-ën mori emrin Maputo), duhet të ketë diçka të pazakontë. Në atë cep të botës kanë lindur disa prej futbollistëve më të mëdhenj. Pas Matateu, Vicente dhe Hilario, aty hodhi hapat e parë edhe njëfarë Mario Esteves Koluna, që brenda pak vitesh do të kthehej në njërin prej futbollistëve më të mirë të Portugalisë.

 

FIFA.com

Djaloshi i ri që në vitet e para tregoi se kishte potencial të shkëlqyer. Kështu filloi që të luante me Desportivo de Lourenco Marques (skuadër kjo që ishte formuar prej të atit që aty luajti edhe si portier). Tek kjo skuadër ai nuk vinte si një i panjohur. Ai më parë kishte qenë një lojtarë rezervë i një ekipi basketbolli si dhe kishte thyer rekordin kombëtar në kërcim së larti. Por gjithsesi katërkëndëshi i blertë ishte dhe vendi ky ai gjeti më të vërtetë vetveten.

 

7 golat që i dhanë shkëputjen

Gjithçka nisi me Desportivon. Aty nisi edhe historia e Koluna-s. Në moshën 17-vjeçare ai u ftua në skuadër dhe shkoi që të luante një ndeshje kupe në Afrikën e Jugut. Aty ai asnjëherë nuk futi këmbën në fushë pasi ligji i aparteidit nuk ia lejonte. Por në takimin e kthimit, atë që u mbajt në Mozambik, Koluna u hakmor keqazi ndaj skuadrën nga Afrika e Jugut. Ai shënoi plot 7 gola duke i thënë fitoren dhe kualifikimin ekipit të vet. Pas spektaklit që dha në Mozambik duke shënuar shtatë herë në një ndeshje të vetme të shumta ishin skuadrat portugeze që u vunë në gjurmët e tij. Në fillim erdhi oferta e Portos. Më tej u bë i gjallë Sportingu i Lisbonës që dyfishoi ofertën e bërë nga bardheblutë, por i ati i Koluna-s refuzoi këto oferta pasi po priste që klubi i tretë i madh i Portugalisë të kërkonte të birin. Pritja nuk qe e gjatë pasi Benfika (skuadra që kishte si filial të sajin skuadrën Desportivo de Lourenco Marques) “tërhoqi” në gjirin e vet Koluna-n në vitin 1954. Kështu edhe pse ishte vetëm 19 vjeç i riu nuk nguroi që të luante në “Estadio da Luz”.

 

Një rol i ri dhe një pagë e majme

Koluna mbërriti në kryeqytetin portugez pas një udhëtimi 34-orësh. 19-vjeçari pas shumë e shumë peripecish mbërriti në “Lar do Jogador” (rezidenca ku Benfika akomodonte lojtarët që ende nuk kishin gjetur një shtëpi në qytet). I pakënaqur nga ambienti që e rrethonte kuptoi shumë shpejt se vendi ku qëndronte nuk do të ishte i vetmi problem. Tekniku i Benfikës, Otto Gloria, nuk kishte shumë besim tek Koluna. Në qendër të sulmit, trajneri brazilian kishte besim tek Jose Aguas. Kështu mendoi që t’i gjente një tjetër vend Koluna-s. Duke parë se i riu kishte teknikë të lartë dhe arrinte të pasonte mjaft mirë e zhvendosi atë pas sulmuesit, në mesfushë. Koluna në takimin e parë që zhvilloi me fanellën e kuqe luajti ndaj Portos në një miqësore. Më pas djaloshi nga Mozambiku tregoi vlerat e vërteta në edicionin 1954/55 të kampionatit portugez kur shënoi dy nga pesë golat e Benfikës në takimin e parë përballë Setubalit. Ato dy gola ishin të partë për Koluna-n që shënoi plot 150 gola me “shqiponjat” (“As Águilas”) në 677 ndeshje. Ardhja e tij në Portugali prishi edhe ekuilibrat e një kampionati që në ato vite dominohej prej Sportingut të Lisbonës. Tashmë rolin e bardhejeshilëve e mori Benfika që me Koluna-n në gjirin e vet fitoi dhjetë tituj kampionë dhe gjashtë kupa të Portugalisë. Gjithashtu Benfika në 1961 fitoi Kupën e Evropës pasi mundi në finale Barcelonën 3-2. Në atë finale nuk mungoi edhe Koluna që shënoi dy gola.

 

Madhështia e zotit Koluna

Pak muaj para (në fund të 1960-ës) në Lisbonë zbriti një tjetër lojtar i madh i lindur në Lourenco Marques. Emir i tij ishte Eusebio da Silva Ferreira dhe me vete kishte marrë një letër për të madhin Koluna. Familjet e dy lojtarëve ishin njohur pak kohë më parë. Kështu, e ëma e Eusebios, e preokupuar për të ardhmen e të birit që do të luante në Portugalinë e largët, i shkroi një letër Koluna-s ku i kërkonte që të kishte kujdes për të riun. Kështu Koluna ndoqi verbërisht letrën dhe përveçse mbajti pranë Eusebion, arriti që ta kthente atë në njërin prej sulmuesve më të fortë të botës. Koluna i hapi një llogari bankare “Panterës së zezë” dhe kontrollonte të gjitha lëvizjet që bënte derisa formoi një familje. Kjo dyshe ishte mjaft e bashkuar edhe në fushë, kur Koluna dhe Eusebio u kthyen në një tmerr të vërtetë për kundërshtarët. Benfika ishte në qiellin e shtatë pasi të dy këta futbollistë të ardhur nga Mozambiku ndihmuan skuadrën të mbronte titullin në Kupën e Evropës. Finalja e mbajtur në 1962-shin ishte spektakolare, pasi Benfikës iu desh të përballej me Realin e Madridit që në atë kohë e kishte fituar plot pesë herë Kupën e Evropës (Liga e Kampioneve sot). Pjesa e parë e asaj ndeshjeje përfundoi 3-2. Ferenc Pushkashi kishte shënuar të tre golat për “të bardhët”. Më pas fraksioni i dytë nisi me Benfikën në sulm. Koluna baraspeshoi rezultatin menjëherë. Pas tij hipi në katedër edhe Eusebio. 28 minuta nga fundi i takimit Benfika fitoi një penallti dhe Koluna mori topin pasi donte ta ekzekutonte vetë. Aty ndodhi edhe çudia, kur Eusebio, me shumë edukatë, iu afrua dhe i tha: “Zoti Koluna, a mund ta godas unë topin?” Në ato momente, mbase i prekur nga xhentilesa që tregoi Eusebio, Koluna i dha shansin “panterës së zezë” që të ekzekutonte penalltinë. Eusebio nuk gaboi dhe pasi realizoi nuk u kënaq me aq dhe shënoi edhe një tjetër gol, duke i dhënë një fitore spektakolare Benfikës. Por atë natë Eusebio pa dalë nga fusha i kërkoi një tjetër nder nga Koluna-s.

“Pantera e zezë” ishte shumë e ndrojtur, nuk kishte kurajo t’i kërkonte fanellën idhullit të vet, Alfredo di Stefanos. Kështu i kërkoi Koluna-s ti afrohej bomberit argjentinas dhe t’i kërkonte fanellën.

Pasi arriti qëllimin e vet Eusebio e mbajti atë fanellë tërë natën gjatë festimeve. Edhe sot ai fanellën e bardhë të Di Stefanos e cilëson si njërin prej trofeve më të çmuar që ka marrë.

 

Pas Evropës e kishte radhën bota

Eusebio dhe Koluna do të luanin edhe në tri finale të tjera të Kupës së Evropës. Por të dy nuk iu gëzuan më asnjë trofeu. Përpos famës që morën me Benfikën ata do të bënin të njëjtën gjë edhe me fanellën e Portugalisë në Botërorin 1966 që u mbajt në Angli. Në atë edicion Portugalia la në bankinë kapitenin Germano. Kështu, shiritin e famshëm e mbajti pikërisht Koluna. Falë këmbëve të tij Eusebio hyri në historinë e këtij evenimenti si golashënuesi më i mirë. Të dy bashkë ata i dhanë edhe një vend në histori Portugalisë që mori medaljen e bronzit.

 

Largimi nga “shqiponjat”

Pas kthimit nga Anglia, Koluna luajti edhe për tri sezone me Benfikën. Dhe në edicionin 1969/70 ai u largua drejt Francës, ku luajti për Lionin. Në dhjetor 1970 Koluna u kthye si hero në “Estadio da Luz” për të luajtur një ndeshje miqësore kundër një 11-shes më të mirë të që përbëhej nga lojtarë si Krujf dhe Bobi Mur. Pas 15 minutash që mbajti veshur fanellën e Benfikës, Koluna la fushën mes brohoritjeve të publikut. Dashuria kundrejt “shqiponjave” ishte aq e madhe, sa Koluna nuk preferoi që pjesën e dytë të luante për skuadrën e “yjeve”. Ky futbollist i madh asnjëherë nuk u harrua nga tifozët e Benfikës që e thërrisnin “O Monstro Sagrado” (“Bisha e shenjtë”). Ndërsa në Brazil njihej si “O Didi Europeu” (Didi i Evropës). Por një tjetër nofkë të paharrueshme do të marrte edhe nga “nxënësi” i tij, Eusebio… që i drejtohej me ju “Mr. Koluna”.

 

Kuriozitete

-Pas aventurës së keqe që kaloi me Lionin, Koluna i dha fund karrierës si futbollisto-trajner me Estrela de Portalegre në 1972.

-Para se të fillonte që të luante futboll, Koluna nuk ishte krejt i panjohur në Mozambik. Ai u mor me boks, basketboll dhe atletikë. Ai vuri dhe një rekord të në Mozambik kur në kërcimin së larti mrekulloi të gjithë (kërceu 1.82 metra).

-Pasi u rikthye në Mozambik, Koluna mori një sërë rolesh. Ai bë ministër Sporti dhe President i Futbollit të Mozambikut.

-Koluna ishte trajneri i parë i Rui Costa-s tek Benfika.

-Koluna lindi në Maputo. E ëma ishte nga Mozambiku, ndërkohë që i ati ishte nga Portugalia.

 

Skeda

Ditëlindja: 6 gusht 1935

Vendlindja: Inhaca, Maputo (Mozambik)

Roli: Mesfushor

Klubet:

Desportivo Lourenço Marques (1951-54)

Benfika (1954-70)

Olympique Lyon (1970/71)

Estrela de Portalegre (lojtarë/trajner, 1971/72)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here