Deputeti i PS-së: Testi i drogës nuk të bën më të ndershëm, nëse do ishte kështu jam i gatshëm të propozoj që çdo të enjte para se të hyjmë në Kuvend të bëhet edhe testi i urinës
Gëzim Saliu
Në kohën kur debati për çështjen e dekriminalizimit ka arritur në pikat më të larta përmes përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës, ish-kryeministri socialist dhe deputeti i PS-së, Pandeli Majko, thekson se më tepër se ky proces rëndësi parësore ka reforma në drejtësi. Përmes një komenti të shprehur dje në rrjetin social FB, ligjvënësi i majtë iu referuar shkrimit të organit zyrtar të PD për testin e drogës si pikë e draftit të demokratëve për dekriminalizimin duke pohuar se debati po kthehet në qesharak. “Nuk e di në se ky test do të “dekriminalizojë” politikën shqiptare, por një gjë është e sigurt. Ky lloj debati po ul në nivele historike respektin e publikut për politikën. Kolegët e opozitës po japin një shfaqje ku më shumë se sa zbulimi i së vërtetës po merren me “shpalljen” e saj. Partia Demokratike nuk po shpjegon asgjë me kërkesat e saj për “pastrimin” e politikës veç shpalljes së një “gjykimi universal” për politikën shqiptare. Sot, në vitin 2015, ajo që thelbësisht ndan palët e mbërthyera në këtë debat të paskrupullt është në se reforma po ndërtohet mbi një debat për interesat e politikës dhe jo të sistemit”, tha ai. Në këtë kontekst, deputeti i PS-së tha se reforma e drejtësisë është më thelbësore se sa “dekriminalizimi”. “Mjekimi dhe “gjilpëra” dallojnë. Përjashtimi i atyre që kanë gabuar dikur, nuk bën të pastër qëllimet e zuzarëve me letra të “rregullta” që i hynë politikës për të bërë para. Politika ka nevojë për prokurorë dhe gjykatës si rojtarë të ligjit më shumë se sa politikanë me “letra të rregullta”. I druhem më shumë mos dënimit se sa ri dënimit moral dhe të “qetësohem” me bileta ndershmërie të “testeve” idiote”, pohoi Majko.
PD dhe qeveria
Pjesë e qëndrimit të deputetit socialist është edhe sjelljen e partive në Kuvend, ku në këtë fundit sipas Majkos nuk funksionojnë rregullat e shkruara. “Debati në të nuk ekziston si standard i fjalës, por i fyerjes. Aktualisht, nuk di të kem parë një opozitë që të gëzojë kaq shumë fat me gabimet e qeverisë dhe anasjelltas një qeverisje kaq e favorizuar nga ky lloj opozitarizmi i cili nuk ka ekzistuar në këtë nivel as në vitin 1997”, – theksoi ai. Më tej Majko pohoi se Partia Demokratike nuk është një parti e lehtë për tu udhëhequr ku sipas tij shembulli i Edi Ramës me Partinë Socialiste aktualisht nuk vlen pasi janë dy situata të ndryshme. “Ajo që ndihet aktualisht në partinë më të madhe opozitare është dëshira për tu dukur më “i egër” se të tjerët. Kjo konkurrencë e brendshme po e bën këtë parti një strukturë e cila drejtohet nga kënaqësia që jep tek njerëzit që e dëgjojnë dhe jo nga lidershipi. Në këtë mungese dhe vakum, Partia Demokratike po nxiton të vërtetojë se “dekriminalizimi” mund të bëhet nga jashtë sistemit të drejtësisë si një proces “teknik”. Ndryshimi i Kushtetutës së vendit shikohet si një “faturë fiskale” e këtij procesi. Me keqardhje, të djathtës së sotme politike, dua t’i kujtoj se komunistët e së majtës dëshironin ta bënin të parët këtë metodë “pastrimi” pas vitit 1944 dhe dështuan. Ata mbetën viktimë e këtij mosrespekti ndaj ligjit të shkruar duke i besuar “virtytit””, – deklaroi ai. Në këtë kontekst deputeti socialist tha se situata rrezikon ta kthejë çështjen e “dekriminalizimit” në një naivitet fëminor se kush e do më shumë këtë çështje. Mes kësaj kritike, Majko mbylli edhe komentin e tij, duke mos nguruar të ngacmojë me jo pak humor të zi kolegët e opozitës lidhur me testin e drogës. “Sinqerisht, nuk besoj se testi i drogës të bën një njeri të ndershëm. Në se do të ishte kështu jam i gatshëm të propozoj që çdo të enjte para se të hymë në Kuvend të bëhet edhe testi i urinës. Ky humor i hidhur dhe banal po zhvillohet në publik. Ai është pjesë e arsyes pse mënyra e të bërit politikë po e kthen Shqipërinë në një tokë pa ëndrra. Njerëzit largohen në emigracion edhe për arsyen e shikimit të këtij “show” grotesk që e quajnë politikë”.