Qeveria, në kuadër të punës “me fasada”, i ka kushtuar një rëndësi tepër të madhe agjencisë së investimeve “AIDA”, të cilën së shpejti do ta transferojë në ndërtesën që deri tani strehonte Ministrinë e Mjedisit
Ervin Kaduku
Qeveria shqiptare ka zgjedhur të jetë skeptike në publikimin e emrave të investitorëve të huaj që interesohen për Shqipërinë. Ministri Ahmetaj dhe Kryeministri Rama në daljet e tyre publike, me gjithë këmbënguljen e gazetarëve, kanë refuzuar të japin emra investitorësh. Deri më tani, investimi më i bujshëm i anonçuar nga ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj është aktiviteti i kompanisë automotive gjermane “Forschner” me 75 të punësuar, që Ahmetaj e vizitoi pak ditë më parë.
A mund të themi, në këto kushte, se është realizuar premtimi i bujshëm, që është përfshirë edhe në programin e qeverisë, për rritjen e rëndësishme të investimeve të huaja. Për këtë qëllim ajo i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe edhe Agjencisë së Investimeve “AIDA”, të cilën së shpejti do ta transferojë në godinën që deri tani strehonte ministrinë e Mjedisit. Një lëvizje për t’u kritikuar, po të mendosh se punonjësit e “AIDA”-s numërohen me gishtat e dorës dhe, për më tepër, kontributi i tyre në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto të vendit duke thithur kapitale nga jashtë është qesharak.
Ndërkohë që qeveria shqiptare as po i afrohet shifrave të pretenduara për thithjen e këtyre investimeve, fqinjët e vendit tonë nuk bëjnë sehir.
Maqedonia
Pa det dhe pa porte, një vend me siguri të ulët për shkak të konflikteve permanente etnike, Maqedonia është bërë oaz i investitorëve të huaj. Maqedonia nuk ka burime të pasura nafte dhe nuk ka nëntokë plot me minerale, nuk ka det për të zhvilluar biznesin e turizmit, siç i kemi ne dhe nuk ka popullsi të madhe që të zhvillojë konsumin. Edhe në reklamën e saj për investimet e huaja publikuar para pak kohësh në “The Economist”, Maqedonia reklamonte daljen në det përmes Portit të Durrësit. Pavarësisht, shteti fqinj ia ka dalë të marrë investitorë që nga Amerika e largët, Italia etj.
Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, në fjalimin e tij me rastin e Ditës së Pavarësisë njoftoi se bisedimet me katër kompani të mëdha janë duke përfunduar dhe shumë të tjera janë të gatshme të nisin punën.
Termocentrali i ri i kompanisë italiane “Diatek” filloi aktivitetin e tij në zonën e Shkupit, ku janë punësuar 250 persona. Shumë shpejt kompania gjermane “Makkard” do të fillojë të operojë në Veles dhe do të punësojë 600 persona, ndërkohë që marka amerikane “Key Safety Systems” në tetor do të nisë punën në fabrikën e ndërtuar rishtas në Kërçovë, ku pritet të krijojë 1000 vende pune, tha Gruevski.
“Marrëveshjet për fabrikën e re të një kompanie globale amerikane që kam shpallur kohët e fundit janë finalizuar, kompania me bazë në Amerikë dhe që planifikon të hapë objekt në Strumicë dhe të krijojë 1500 vende të reja pune. Për më tepër, kam njoftuar kohët e fundit hyrjen e “Lear Corporation” të SHBA-së me rreth 3.000 njerëz në Tetovë”, – tha ai.
Gruevski theksoi se ministri Bill Pavlevski po punon me një kompani shumëkombëshe në industrinë ushqimore që është e gatshme të rifillojë veprimtarinë në disa objekte në industrinë ushqimore dhe të punësojë disa qindra persona, ndërsa ministri Visar Fida po përfundon bisedimet me kompaninë zvicerane të programeve kompjuterike që do të nisë të operojë me 80 inxhinierë IT, si dhe një tjetër kompani zvicerane për të filluar ndërtimin e fabrikës së tyre për panele diellore në Shkup.
Drejtori i Zonave Zhvillimore Industriale Teknologjike, Viktor Mizo, është në përfundim të bisedimeve me një kompani amerikane nga industria e automobilave që duhet të fillojë aktivitetin në fillim të vitit 2016 në zonën e Shkupit me planet për të punësuar më shumë se 500 njerëz, dhe jo më vonë se muaji i ardhshëm “Austrian Teksport” duhet të fillojë të operojë në Vinicë në fabrikën e tyre të re, ku do të punësojë mbi 200 persona, tha ai.
Ai tha se nuk është e rastësishme që FMN-ja në raportin e saj të fundit parashikon 30.000 vende të reja pune nga investimet e huaja direkte në vend.
Kosova
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dhe përfaqësuesi i forumit biznesor gjermano-kosovar, Salim Abu-Abed, gjatë një konference për media kanë shpalosur planin për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në rrafshin ekonomik dhe biznesor.
Siç u tha në takimin me gazetarë, më 27 nëntor bizneset kosovare do të kenë mundësi të takohen me bizneset gjermane në Gjermani për mundësitë e bashkëpunimit.
Sipas Gërxhaliut, rreth 4500 kompani gjermane kanë shprehur interesim për të bashkëpunuar me bizneset kosovare.
Nga ana e tij përfaqësuesi i Forumit gjermano-kosovar tha se ka ndryshuar qasja e bizneseve gjermane ndaj investimeve në Kosovë, meqë më herët Kosova shihej si vend jo i sigurt për të investuar, si një vend që karakterizohet me mungesë të sigurisë, energjisë elektrike dhe me korrupsion.
Mirëpo tani ky interesim për investime është rritur dhe kjo tregon se gjërat këtu kanë ndryshuar për të mirë, ka thënë Abed.
Kursimet që nuk përdoren
Ndërkohë që mbetën me sytë nga jashtë vendit, qeveritarët tanë harrojnë të vlerësojnë si duhet burimet e brendshme financiare e kapitale. Kursimi bruto në ekonominë shqiptare është sa rreth 18% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka Botërore, që i takojnë vitit 2013, Shqipëria ka një shkallë kursimi pak më të lartë se mesatarja e rajonit. Të dhënat tregojnë se norma e kursimit ndaj PBB ka qenë mjaft e qëndrueshme, duke qëndruar pothuajse në të njëjtin nivel për periudhën 2010-2013. Kursimi bruto matet si diferenca mes prodhimit të brendshëm bruto dhe konsumit, duke shtuar transfertat hyrëse neto në një ekonomi.
Kursimi në ekonomi është instrument i rëndësishëm për të mbështetur rritjen ekonomike, duke financuar kryerjen e projekteve apo investimeve të reja. Kjo vlen për nismën individuale, por sidomos përmes kanalizimit të këtyre kursimeve në sistemin financiar të një vendi. Në fund të Korrikut, sistemi bankar në Shqipëri zotëronte depozita në vlerën e 969 miliardë lekëve, rreth 11 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
1 mijë miliard lekë apo 1 miliard USD që qeveria nuk di s’i tërheqë në ekonomi…