Policia e Korçës në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Qafë-Thanës kanë arrestuar dy shtetas maqedonas për trafikim të lëndëve narkotike. Burime nga kjo polici njoftojnë se të ndaluarit janë Armen Schneider, vjeç 33, dhe Burim Rexhepi, vjeç 25, të dy banues në Shkup, Maqedoni. Arrestimi i tyre u bë, pasi në dalje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit që iu ushtrua nga Policia Kufitare, në vijën e dytë, automjetit tip “Volkswagen Passat” me targë SK1191AD, me të cilin udhëtonin, në brendësi të dy sediljeve të para, janë konstatuar, 2 (dy) pako, me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, të mbështjella me natriban transparent, me peshë 1 kg e 163 gram të dyja bashke. Materialet i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”. Ndërkaq lufta ndaj prodhimit dhe shitjes së narkotikëve ka angazhuar edhe efektivat e Komisariatit të Policisë Shkodër, ku y bë arrestimi në flagrancë i shtetasit, Sherif Shegaj, 57 vjeç, banues në Shkodër, si dhe shpallja në kërkim e shtetasit E. N., 23 vjeç, banues në Shkodër. Këto dy shtetas dyshohet se janë autorë të kultivimit të bimëve narkotike në një tokë në pronësi të shtetasit Sherif Shega në fshatin Melgushë, ku u gjetën dhe u asgjësuan 720 bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Kultivim të bimëve narkotike”.