Kryeministri: Bizneset të nxitojnë ta deklarojnë sot, sepse nesër do të jenë objekt kontrolli dhe do të duhet të përballen me pasoja ligjore
Gëzim Saliu
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje gjatë forumit të biznesit Shqipëri-Itali se nuk do të ketë amnisti për sipërmarrësit që nuk kanë deklaruar mallin. Sipas kreut të qeverisë, këtyre bizneseve do t’u jepet mundësia që ta vetëdeklarojnë mallin, pasi në të kundërtën theksoi ai, ata do të ndëshkohen sipas parashikimit ligjor. “Më në fund Shqipëria do të bëjë një reformë e cila të mos jetë thjeshtë një tjetër vandak letrash më shumë në procesin e ligjvënies por të jetë një instrument për ta përmbysur sistemin e korruptuar të drejtësisë dhe drejtësia të mos jetë më madh që shitet e blihet Nuk ka për të pasur asnjë lloj amnistie dhe asnjë lloj tolerance ndaj kujtdo që kërkon të zgjasë kohën por ofrojmë vetërregullim, pra të deklarojnë atë që kanë fshehur pa pasoja. Të nxitojnë ta deklarojnë sot sepse nëse nesër do të jenë objekt kontrolli do të duhet të përballen me pasoja ligjore”, – tha Rama, duke shtuar se shumë shpejt vendi do të bëjë reformë në drejtësi, për të mos qenë më sipas tij një mall që shitet e blihet.
Biznesi italian
Forumin e biznesit Shqipëri-Itali sipërmarrësit e shtetit fqinj e shfrytëzuan për të shprehur një sërë kërkesash ndaj qeverisë, duke vënë theksin tek taksat e shumta dhe mungesën e transparencës. “Kur flasim me institucionet qeverisëse ne përsërisim se kemi nevojë për infrastrukturë, ligjshmëri, transparencë, vizion të gjerë, më pak burokraci dhe më pak taksa”, – u shpreh president i sipërmarrësve të rinj të Konfindustrisë Marco Gabriele Gay. Por nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se ligjshmëria në marrëdhëniet mes biznesit dhe qeverisë do të sigurohet falë betejës me informalitetin. “Nuk do zmbrapsemi asnjë milimetër ndaj informalitetit, inkurajojmë që malli që e kanë të paregjistruar dhe që e kanë në kushte ilegaliteti për shkak të një evazioni të vazhduar në vite ta vetë-deklarojnë dhe të vetërregullojnë gjendjen e tyre në raport me tatimet dhe kjo i shpëton nga çdo ndëshkim ligjor”, – pohoi ai. Por në një përgjigje të thatë ndaj kritikave të biznesit të për shumësinë e taksave dhe nivelin e lartë të tyre, Rama tha: “Taksat e ulëta, janë tashmë një premtim i mbajtur sipas Kryeministrit, po ashtu edhe administrata efiçente, për të evituar burokracitë”. Edhe në këtë takim, Kryeministri nuk nguroi të përmendte reformën në drejtësi duke pohuar se ajo do jetë një kontribut për biznesin e ligjshëm. “Do të jetë një instrument për ta përmbysur sistemin e korruptuar të drejtësia dhe për vendosur kushtet që drejtësia mos të jetë më mall që blihet ose që shitet”, – u shpreh kreu i qeverisë. Ndërkohë i pranishëm në këtë forum, ambasadori Italian në Tiranë, Massimo Gaiani tha se është e rëndësishme që palët politike të gjejnë dakordësinë mes tyre për reformën në drejtësi. “Shqipëria është e impenjuar sot me disa reforma mjaft të rëndësishme, duke nisur me atë të drejtësisë që është edhe pika më e dobët e vendit. Ka një angazhim të madh nga qeveria që shpresojmë të mbështetet nga të gjitha forcat politike për të kaluar këtë ngërç dhe për të arritur reformën në drejtësi. Është një hap i vështirë që do të afrojë Shqipërinë me Evropën”, – deklaroi Gaiani.