Sulmuesi i Barcelonës, Neymar, gjatë një eventi publicitar i bëri thirrje bashkëkombësit të tij, Coutinho, që luan te Liverpuli, t’u bashkohet kampionëve të Spanjës, pasi karakteristikat e tij i përshtaten stilit të lojës së “Blaugranëve”. “Mendoj se ka shumë lojtarë brazilianë me cilësitë e duhura për të qenë pjesë e Barcelonës. Një prej tyre është Philippe Coutinho që luan me Liverpulin. Ai është një lojtar i madh dhe i përshtatet shumë stilit të lojës sonë”. 23-vjeçari nuk e fsheh ambicien për të qenë golashënuesi më i mirë i Brazilit, por edhe i Barcelonës, por kujton se në plan të parë mbeten arritjet e skuadrës. “Si çdo sulmues tjetër dëshiroj të bëhem golashënuesi më i mirë për ekipet ku luaj. Sezoni i kaluar ishte shumë pozitiv për ne. Fituam shumë tituj, ndërsa unë shënova një numër të konsiderueshëm golash. Unë shpresoj që këtë vit të shënon edhe më shumë për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivave. Për mua arritjet personale janë në plan të dytë, fillimisht më duhet të mendoj për skuadrën”. I pyetur nëse ka nxjerrë mësime nga pezullimi që mori në Kupën e Amerikës, Neymar u përgjigj: “Kurrë nuk kam debatuar me gjyqtarët. Sigurisht që kam nxjerrë mësime nga ai episod, sepse nuk më pëlqen të mbetem jashtë kompeticionit apo të krijoj situata të tjera të pakëndshme. E pranoj se ishte gabimi im, por nuk mund ta përsëris duke dëmtuar shokët e skuadrës”.