Ndaj piloti italian Giorgio Riformato, i cili akuzohet për trafik të 460 kilogramëve drogë mes Shqipërisë dhe Italisë, me avionin e tij, i cili u rrëzua në plazhin e Divjakës një vit më parë, dje në gjyqin e tij, ka dëshmuar edhe Kontrolli i Trafikut Ajror. Në karrigen e dëshmitarit është ulur kontrollori i trafikut ajror, Erion Pipero, i cili ka dëshmuar se ka mbajtur kontakte me pilotin italian, i cili në momentin që është pyetur nga kulla e Trafikut Ajror se përse fluturonte aq ulët, është përgjigjur se po testonte avionin e tij. Në dëshminë e tij, Pipero tha: “Ndërsa po mbaja kontakte me të për daljen në hapësirë fluturuese, pashë që u ul shumë, e pyeta, por më tha që nuk kam asnjë problem, po testoj avionin në lartësi të ulët. Kur papritur shoh që avioni devijon fluturimin, më pas humba dhe kontaktin me Riformaton”, – kjo ka qenë dëshmia e Erion Piperos lidhur me fluturimin e pilotit italian ditën që u rrëzua në plazhin e Divjakës, ku dyshohet se u ul të marr ngarkesën e drogës prej 460 kg, me qëllim trafikimin e saj drejtë shtetit italian.
Dosja “Riformato”
Prokurorisë së Krimeve të Rënda iu deshën 11 muaj hetime për të mbyllur një prej çështjeve që solli aq shumë debat në Parlament dhe qarqet politike: Trafiku i drogës me avion. Pas rrëzimit të një avioni të lehtë në plazhin e Divjakës, për shkak të një problemi në një prej rrotave, Krimet e Rënda nisën një hetim, që ka mundur të përfundojë vetëm pas 11 muajsh me 6 të pandehur. Dosja ndaj pilotit italian, Giorgio Riformato dhe 5 shtetasve shqiptarë, tashmë i është dërguar Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku të pandehurit do të përballen me akuzën e “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike” në bashkëpunim. Sipas prokurorisë, të gjashtë personat në bashkëpunim me njëri-tjetrin tentuan të trafikojnë drejt Italisë nëpërmjet transportit me avion sasinë prej 305 kilogramësh lëndë narkotike kanabis, e siguruar në zonën e Lushnjës dhe Fierit nga dy persona të shpallur tashmë në kërkim, njëri prej të cilëve ish-efektiv policie.
Të dyshuarit
Katër prej të pandehurve tashmë janë arrestuar, ndërsa në kërkim janë shpallur ish–agjenti i Antidrogës në Policinë e Fierit, Mariglen Ymeraj, dhe personi që ka gjetur lëndën narkotike si dhe personat që e paketuan atë, shtetasi Gerti Demçe. Të gjithë të pandehurit akuzohen se me anë të avionit “Piper” tentuan pasditen e datës 10 maj të 2014-s të trafikonin drejt Italisë 305 kg hashash. Për llogari të kësaj dosjeje janë arrestuar piloti italian, Giorgo Riformato, organizatori i kësaj linje të trafikut të drogës, Sajmir Bajrami, si dhe dy paketuesit e lëndës narkotike, Kleviol Ahmetaj dhe Aurel Pupa. Ndërsa janë shpallur në kërkim ish-agjenti i Antidrogës në Policinë e Fierit, Mariglen Ymeraj dhe një tjetër person i përfshirë në ngjarje, i cili ka paketuar lëndën narkotike që do të transportohej drejt Italisë, i identifikuar si shtetasi Gerti Demçe. Në 11 muaj hetime prokuroria thotë se ka mundur të zbardhë rolin e secilit prej të pandehurve, të cilët nëpërmjet veprimeve konkrete kanë bashkëpunuar mes tyre për të bërë të mundur trafikimin e lëndës narkotike që do të shitej në Itali nga Saimir Bajrami, i cili fillimisht nuk pranoi njohjen me pilotin italian.
Trafiku
Nga hetimi u arrit të zbulohej se Bajrami, rezident prej vitesh në Itali, kishte qëndruar në të njëjtin hotel me pilotin Riformato, vetëm pak metra larg Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë. Përballë provave të prokurorisë, Sajmir Bajrami dhe Kleviol Ahmetaj, një nga personat që ka paketuar lëndën narkotike, kanë rrëfyer organizimin për trafikun e drogës. Burime të prokurorisë thanë se piloti italian kishte pranuar të bënte transportin e lëndës narkotike në rrugë ajrore nga Shqipëria drejt Italisë, kundrejt çmimit prej 400 eurosh për 1 kg drogë. Mallin e kishte siguruar në Shqipëri ish-agjenti i Policisë, Mariglen Ymeraj së bashku me baxhanakun e tij, Sajmir Bajrami, i cili ishte edhe personi i kontaktit në Itali me pilotin Riformato. Në momentin e arrestimit policia gjeti sasinë prej 305 kg hashash, si dhe Bajramit iu gjetën një sasi prej 27 mijë eurosh, që mendohet se ishte kësti i parë i pagesës për pilotin që do të kryente transportin. Sipas dosjes së dorëzuar në gjykatë, mësohet se hetimet për bashkëpunëtorë të tjerë janë veçuar pasi është dërguar letër–porosia edhe në shtetin fqinj.