Titullar i padiskutueshëm te Napoli dhe idhulli i ri i tifozëve, mes shumë yjeve si Hamsik, Higuain, Callejon apo Mertens. Ky është shqiptari Elseid Hysaj, që pas transferimit në “San Paolo” bindi trajnerin Sarri ta rreshtonte në formacionin e parë. Por, rritja e mbrojtësit shkodran është vënë më tepër në dukje pas aktivizimit në krahun e djathtë. Përmirësimet vlerësohen edhe nga trajneri i kombëtares, Gianni De Biasi. Për mediat italiane, tekniku kuqezi e cilësoi Hysajn një “lojtar të pjekur, inteligjent, i cili nuk e vuan presionin dhe që një skuadër e rëndësishme si Napoli vetëm mund ta ndihmojë”. Ndër të tjera, De Biasi thekson se “pozicioni natyral i Hysajt është mbrojtës i djathtë, aty ku mund të shpalosë më mirë potencialin në fazën difensive”, duke mos harruar të shtojë se prej kualitetit të madh “lojtari mund të jetë shumë i vlefshëm edhe në krahun e majtë”. Trajneri i Shqipërisë rikujtoi vlerësimet e disa javëve më parë për Elseid Hysajn, ndërsa shprehu edhe besimin se “duke u aktivizuar me vazhdimësi dhe në pozicionin ideal, 21-vjeçari do të vazhdojë rritjen, duke u bërë një mbrojtës edhe më i fort”. Në këtë fillim sezoni, trajneri Sarri i ka besuar Hysajt gjithmonë një fanellë titullari në Serinë A por edhe në fazën e grupeve në Europa League, duke lënë në stol zv.kapitenin e Napolit, Christian Maggio. Ndërsa qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj, që mungoi në dy duelet e fundit eliminatore për kombëtaren shqiptare për shkak të lëndimit, pritet të kthehet në fushat e gjelbra pas dy javësh. Ai është afër ta shërojë plotësisht lëndimin e gjurit. Mbrojtësi i Këlnit ka bërë edhe një provë “gjenerale” për të parë gjendjen e gjurit me një nga mjekët kryesorë të ekipit të Bundesligës Gjermane, ndërsa nga klubi synojnë që ai të jetë i gatshëm që nga java e ardhshme. Vetë futbollisti ka thënë se brenda dy apo tri javësh ai do të jetë i gatshëm, por ende nuk dihet nëse mund të shërohet me kohë për ndeshjen me Serbinë, e cila zhvillohet pas dy javësh.