Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Spahiu: Paqe, lumturi dhe gëzim në familje, bujari dhe ndihmë ndaj të varfërve
Vojsava Sota
Myslimanët në të gjithë botën festuan dje festën e Kurban Bajramit, një ndër festat më të rëndësishme të komunitetit mysliman. Besimtarët në Shqipëri u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin e Kurban Bajramit. Për nder të kësaj feste, e cila lidhet me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim, besimtarët myslimanë flijojnë edhe një kafshë, zakonisht dele ose qengj, si kurban dhe mishin e ndajnë me të varfrit dhe familjarët. Ndërkohë që në këtë ditë të shenjtë, nuk mund te mungonin urimet nga përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi besimtarët me një mesazh për paqe, lumturi dhe gëzim në familje, duke u bërë thirrje për bujari dhe ndihmë ndaj të varfërve. Ai tha se kjo është një ditë e madhe, që ka në qendër të saj sakrificën dhe në Kurban Bajram gëzon edhe i varfëri nga dhurimet që u bëhen. Ndërsa drejtori i Thirrjes në Islam në KMSH, Elvis Naçi, foli për falënderimin dhe përmendjen e Allahut.
Urimet e politikanëve
Urime për Kurban Bajramin i janë bashkangjitur dhe personalitete të ndryshme të politikës shqiptare. Kreu i shtetit, Bujar Nishani, uroi dje gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit, duke u shprehur se ndihet i nderuar për urimin e parë si President. “Uroj për më shumë paqe, tolerancë, harmoni, begati e shëndet”, – ishte urimi i tij. Po ashtu, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, uroi shëndet, paqe e begati në këtë ditë të durimit dhe sakrificës. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e ka përcjellë urimin e tij për të gjithë shqiptarët duke theksuar se kjo është një ditë ku njerëzit më së pari duhet të reflektojnë solidaritet dhe dashuri mes tyre. “Në kohë të ngarkuara, në kohë të stresuara, ku secili po mundohet t’ia dalë, ndonjëherë harrojmë disa nga parimet më bazë, parimet e solidaritetit dhe të dashurisë ndaj njëri-tjetrit”, – u shpreh kryebashkiaku. Nuk mungoi as urimi i kryedemokratit Basha, i cili tha se sakrifica dhe agjërimi u kthefshin në lutje dhe mirësi. “Kremtimi i kësaj feste u jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një dëshirë për të falur më shumë dashuri dhe për të qenë më humanë në shoqëri me njëri-tjetrin”. Në këtë festë ka pasur dhe organizime të ndryshme kulturore dhe artistike, duke i dhënë atmosferë festive dhe ngjyra Tiranës dhe për të argëtuar gjithashtu qytetarët nën ritmet e muzikës. Gjatë kësaj feste myslimanët japin shembullin më të bukur të bashkimit dhe unitetit Islam. Bajrami i jep indikacion të qartë myslimanit se me besim të fortë mund të ruajë kontrollin dhe të vendosë baraspeshë ideale midis materiales dhe shpirtërores.