“Fatkeqësia më e madhe për të arritur pelegrinazhin vjetor të haxhit në 25 vjet”
Dita e bekuar e Kurban Bajramit për besimtarët myslimanë në Mekë u shoqërua me një tragjedi të rëndë. Të paktën 717 pelegrinë u vranë dhe 805 të tjerë u plagosën nga shtyrjet në Mina pranë qytetit të shenjtë mysliman të Mekës. Incidenti ndodhi në Mina, ku haxhinjtë hodhën gurë mbi shtyllat që përfaqësojnë djallin, që është rituali i fundit i haxhit, para fillimit të kremtes së Kurban Bajramit ku këtë vit morën pjesë 2 milionë njerëz. Nga autoritetet saudite u tha se kjo “është fatkeqësia më e madhe për të arritur pelegrinazhin vjetor të haxhit në 25 vjet”. Ndërkohë, mbrojtësit civilë nga Arabia thanë: “Kjo ngjarje u shkaktua nga dy grupe të mëdha të pelegrinëve që vinin dhe u takuan së bashku në një udhëkryq në rrugën e tyre për kryerjen e ritualit të “gurit të djallit” në Mekë”. Më tej ata kanë deklaruar: “Punuam për ndarjen e grupeve të mëdha të njerëzve nëpër rrugë alternative. Gjithashtu në ndihmë tonë ishin më shumë se 220 ambulanca dhe 4000 punëtorët e shpëtimit që ishin dërguar në vendngjarjen e rrëmujës për të ndihmuar të plagosurit disa prej të cilëve janë evakuuar nga helikopterët”, – tha mbrojtësi civil për “Reuters”. Në këtë ritual, për të ruajtur sigurinë qenë të pranishëm më shumë se 100.000 forca të policisë dhe mijëra videokamera për të verifikuar grupet që të arrinin pa rrezik në destinacion. Në ditën e sakrificës pelegrinët që kanë marrë pjesë ishin mbi 2 milionë, janë sakrifikuar financiarisht dhe fizikisht për të përmbushur një nga pesë shtyllat e besimit mysliman që është të shkuarit në haxh. Ky është një nga ritet më të rëndësishme ku besimtarët vinë rreth e qark Gurit të Mekës për të kryer pra ritualin e gjuajtjes me gurë. Mbledhja e mijëra besimtarëve myslimanë në Mekë, një herë në vit nga e gjithë bota, ka qenë skenë e shumë tragjedive vdekjeprurëse. Në të kaluarën fatkeqësia më e rëndë që ka ndodhur është ajo e vitit 1990, kur gjatë një rrëmuje në Mina, u vranë 1 mijë e 400 veta, si dhe rrëmujat në vitin 1994, në vitin 2004 dhe 2006, ku u vranë më shumë se 200 persona. Më herët gjatë këtij muaji, rrëzimi i një vinçi vrau 109 veta dhe plagosi mbi 400 të tjerë në qytetin e shenjtë mysliman. Por vitet e fundit qeveria ka shpenzuar miliarda dollarë për përmirësimin dhe zgjerimin e infrastrukturës në haxh dhe zhvillimin e teknologjisë së kontrollit. Siguria gjatë haxhit është një çështje e ndjeshme politikisht për pushtetin e dinastisë së mbretërisë, Al Saud, i cili e paraqet veten ndërkombëtarisht si kujdestar i tarikatit të ortodoksëve dhe kujdestar i vendeve të shenjta si Meka dhe Medina. Por festimi i Kurban Bajramit në botë këtë vit nuk u mbyll vetëm me fatkeqësinë në Mina. Edhe në Jemen kanë ndodhur dy shpërthime në xhaminë Al-Balili gjatë faljes së namazit të Kurban Bajramit. Nga shpërthimet humbën jetën 25 persona. Këto sulme pasojnë kthimin e Presidentit të Jemenit, Abdrabbuh Mansour Hadi, dy ditë më parë në qytetin Aden. Ai kishte qëndruar në ekzil që nga marsi, kur rebelët Huthi kishin marrë kryeqytetin. Koalicioni i cili udhëhiqet nga Arabia Saudite, ka arritur t’i largojë rebelët Huthi nga disa zona, përfshirë edhe qytetin Aden. Sidoqoftë, rebelet Huthi vazhdojnë të kontrollojnë kryeqytetin. Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 5000 njerëz janë vrarë deri tani, gjysma e tyre civilë.