Lufta dy-ditore tregtare dhe mediatike mbi refugjatët të cilën e dëshmuam javën e shkuar mes Kroacisë dhe Serbisë, tregon se sa pak duhet që gjërat të përkeqësohen me shpejtësi në Ballkan. Çështja e refugjatëve ka nxitur tensione nacionaliste në Europë, por lufta në Ballkan që ndodhi vetëm 20 vjet më parë i bën tensione të tilla edhe më të rrezikshme se kudo tjetër. Fillimisht, nuk u duk shumë serioze, madje argëtuse, si një lloj “kabareti” politik në Ballkan. I pyetur për koment mbi refuzimin serb rreth trajtimit të refugjatëve nga Kroacia, kryeministri kroat Zoran Milanoviç tha: “Shqiponja nuk po i flet mizave. Ne [Kroacia] jemi një shqiponjë”. Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, u përgjigj me një deklaratë nga filmi legjendar jugosllav Balkan Spy, ku ndodhet shprehja: “Shqiponja ra. Shqiponja ra”. Pastaj papritur djalli hyri në lojë. Përballë një fluksi të përditshëm refugjatësh në kufirin jugor dhe e bindur se Serbia ka një marrëveshje me Hungarinë për të dërguar me kast refugjatë në Kroaci, Zagrebi mbylli pikën e kalimit Bajakovo për të gjithë kamionët nga Serbia fundjavën e shkuar. Lëvizja u projektua për të ushtruar presion mbi Serbinë që të drejtojë disa refugjatë nga Hungaria. Kjo zemëroi Serbinë dhe Beogradi u kundërpërgjigj të mërkurën duke mbyllur kufijtë për të gjitha mallrat kroate. Kroacia u përgjigj menjëherë duke mbyllur kufijtë e saj për të gjithë trafikun e pasagjerëve nga Serbia. Asnjë qytetar serb nuk mundi të hyjë në Kroaci, as ndonjë automjetet që mbanin targa serbe. Në këtë pikë, gjërat pushuan së qëni argëtuese dhe jo vetëm sepse bllokada në kufi kushton 1 milion euro çdo ditë, sipas analistëve ekonomikë.
Jehonat e luftës në Ballkan
Sanksionet tregtare midis dy vendeve, që ishin në luftë gjatë viteve nëntëdhjetë sollën kujtime të ngjarjeve që i paraprinë konflikti. Atëherë, kriza filloi me bllokadat ekonomike dhe tregtare midis atyre që ishin atëherë republikat jugosllave, tani shtete të pavarura. Papritmas, aroma e barutit zuri vend. Në të dyja anët, politikanë të njohur hodhën deklarata të forta, pothuajse luftarake. Gjatë një samiti të Bashkimit Europian, Milanoviçi i Kroacisë e përshkroi sjelljen e Serbisë si “jo normale”, ndërsa ministri serb i drejtësisë Nikolla Selakoviç deklaroi se “Kroacia sulmoi brutalisht Serbinë”. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se “në të kaluarën filloi lufta” mbi këto lloj çështjesh, para se të shtonte: “Nëse Kroacia dëshiron konflikt, nuk ka asnjë problem “. Në një notë ‘diplomatike’ jashtëzakonisht të ashpër, Serbia i përshkroi masat kroate si diskriminuese dhe i krahasoi ato me veprimet e Shtetit të Pavarur Kroat të epokës së Luftës së Dytë Botërore, drejtuar prej Ustashëve i cili zbatoi ligje që diskriminuan serbët, hebrenjtë dhe komunitetet rome. Për një çast, u duk sikur lufta kishte ndodhur veç dje dhe se të dyja palët në konflikt ishin gati të vazhdonin aty ku e lanë 20 vjet më parë. Sikur përpjekjet për të penguar pasionet dhe për të normalizuar marrëdhëniet gjatë dy dekadave kishin rënë në një ‘vrimë të zezë’ Ballkani. “Fjalë të tilla ndikojnë në përkeqësimin e mëtejshëm të situatës,” paralajmëroi lideri politik i serbëve të Kroacisë, Milorad Pupovaç. “Mua më duket se ky është kthim në periudhën para vitit 1996. Nëse bllokada vazhdon dhe përhapet, do të vijë një rinovim i marrëdhënieve të këqija dhe një shkatërrimin e asaj që është ndërtuar në 20 vitet e fundit.” Nëse situata nuk do të ishte kaq serioze, qytetarët e të dy vendeve do të ishin duke qeshur mbi faktin që të dy kryeministrat dhanë, në të njëjtin moment, deklarata pothuajse identike për publikun. Milanoviç i Kroacisë tha se ai “nuk mund të lejojë që Serbia të na bëjë budallenj “, ndërsa homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç, tha se ai “nuk mund të lejojë që Serbia të shkelet dhe poshtërohet”. Kjo konfirmoi rregullin e vjetër sipas të cilit të gjithë në Ballkan mendojnë që duhet të ruhen nga fqinjët e tyre.
Kriza “e përkeqësuar” nga media
Ashtu si në fillim të viteve 1990 pak para se të niste lufta, mediat e përkeqësuan situatën, sidomos gazetat serbe. Ndërsa mediat e moderuara serbe analizuan dëmin ekonomik dhe transmetuan deklaratat e dhëna nga liderët kroatë dhe serbë, titujt tabloidëve të Beogradit kërkuan të fyejnë Kroacinë dhe kryeministrin e saj. Tituj si “Gangsterët Ustasa”, “I çmenduri i çon kroatët në luftë”, “Ustasa sulmon serbët”, ishin të zakonshëm. Gazeta Kurir madje iu referua Milanoviç si “një idot” në lajmin kryesor. Andrija Jarak, një gazetar për Nova TV kroate, që ka bazën në Beograd tha se nuk kishte përjetuar ndonjëherë “një shkarkim kaq të madh urrejtje dhe zemërimi”. Në Kroaci, media thuajse e raportoi të gjithë historinë në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kroaci, dhe u përqendrua mbi përpjekjet e Milanoviç për të fituar votuesit e krahut të djathtë. Një nga pasojat paradoksale të fushatës zgjedhore në Kroaci ishte fakti se partia nacionaliste Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, nuk guxoi të sulmojë Serbinë në këto rrethana, nga frika se do të nënkuptonte se mbështeste Milanoviçin, i cili është nga Partia Social Demokrate në qeveri. Megjithëse fushata elektorale ndikoi në sjelljen e Milanoviç, gjithashtu përgjithësisht ndihmoi, sepse i shtriu dorën krahut të djathtë nacionalist kroat. Është e pashmangshme që disa ndjesi të lidhura me Ustasët ende ekzistojnë në skenën politike kroate, por Milanoviç për vite ka qenë një pengesë e madhe politike për tendenca të tilla. Në këtë kuptim, gazetat e Beogradit që deklaruan se Milanoviç është një Ustasa ngritën pikëpyetje në Kroaci, veçanërisht kur Informer publikoi në faqen e parë një fotomontazh duke e prezantuar Milanoviçin si Ante Paveliç, lider i NDH, që do të ishte e barazvlefshme me prezantimin e Angela Merkel si Karl Marksi. Megjithatë, një keqkrahasim i tillë tregon se sa të brishta janë marrëdhëniet fqinje mes Serbisë dhe Kroacisë. Është mirë që, për një çast, të gjithë pushuan së foluri negativisht dhe nacionalikisht rreth vetë refugjatëve, por është keq që ndjesia nacionaliste papritur përshkallëzoi mes kroatëve dhe serbëve. Konflikti rezultoi të ishte hiçgjë, por vetëm sepse Brukseli ndërhyri shpejt. Ngjan sikur ballkanasit do të kenë nevojë për kujdestarë për një kohë të gjatë. BIRN