Bashkëshortja e Ismailajt: Letra e Brahos, kërcënim. Doshin e njoh, nuk më shantazhoi

0
153

intervista e gruas se Ismailajt

 

Bashkëshortja e Kastriot Ismailajt reagoi dje pas publikimit të lajmit për letrën e deputetit Braho drejtuar krerëve të shtetit, duke hedhur poshtë mundësinë e një kërcënimi për familjen e saj. Në reagimin e saj për “Top Channel”, Vojsava Ismailaj tha se e njeh Tomë Doshin prej shumë vitesh dhe pranoi se e ka takuar deputetin javën e kaluar, por duke nënvizuar se nuk ka folur për çështjen e burrit të saj. Nga ana tjetër, ajo e konsideroi letrën si kërcënim për shkak të procesit të arbitrazhit në Vjenë dhe ku shteti shqiptar kërkon që Ismailaj të tërhiqet nga kërkesa për dëmshpërblim.

 

Intervista

 

TCH: Si quheni?

Gruaja e Kastriot Ismailajt: Vojsava Ismailaj, nënë e një djali dhe martuar me Kastriot Ismailajn prej 17 vjetësh.

TCH: Sot është publikuar një letër ku thuhet se jeni kërcënuar, a jeni kërcënuar dhe nga kush?

Vojsava Ismailaj: Është publikuar një letër nga zoti Braho. Unë nuk di të jem kërcënuar nga askush, as nga zoti Doshi, as nga zoti Prifti. Doshin e njoh që para 15 vitesh, e kam takuar, kam pirë kafe dhe asgjë më shumë.

TCH: Kur e keni takuar për herë të fundit Doshin?

Vojsava Ismailaj: Para disa ditësh. Mund të ketë qenë e martë ose e mërkurë.

TCH: Ku?

Vojsava Ismailaj: Tek “Sheratoni”.

TCH: Për çfarë keni diskutuar?

Vojsava Ismailaj: Në vija të përgjithshme. Bisedë e lirë, kishim kohë pa u takuar dhe thjesht po diskutonim në vija të përgjithshme.

TCH: Sa kohë kishit pa e takuar?

Vojsava Ismailaj: Nuk e mbaj mend me saktësi. E kam takuar, jemi përshëndetur, por s’e mbaj mend me saktësi.

TCH: Keni diskutuar ndonjëherë për këtë çështje?

Vojsava Ismailaj: Absolutisht fare.

TCH: E kam fjalën për çështjen e bashkëshortit tuaj…

Vojsava Ismailaj: Ka qenë një moment që ai më pyeti çfarë bëhet me Kastriotin. I thashë se është në paraburgim dhe kaq, nuk vazhdoi më tej.

TCH: E njihni Dritan Priftin?

Vojsava Ismailaj: Jo.

TCH: E keni takuar?

Vojsava Ismailaj: Absolutisht jo.

TCH: Keni komunikuar ndonjë herë me të?

Vojsava Ismailaj: Absolutisht jo.

TCH: A jeni kërcënuar ndonjëherë gjatë këtyre muajve nga persona të tjerë?

Vojsava Ismailaj: Ka pasur indirekt dhe kërcënimet kanë qenë si shashka, që do të thotë: Kastrioti të tërhiqet nga Arbitrazhi që të lirohet. Ky është kërcënimi që ka ardhur në mënyrë indirekte.

TCH: Indirekte nga cilët persona?

Vojsava Ismailaj: Nga persona të panjohur për mua. Anonimë.

TCH: Me mesazh?

Vojsava Ismailaj: Qoftë edhe në rrugë.

TCH: Si ka ndodhur?

Vojsava Ismailaj: Kur kam qenë duke ecur në rrugët e Bllokut kanë qenë personazhe që s’i kam parë dhe janë hedhur shashka të tipit ‘thuaj burrit të tërhiqet nga arbitrazhi, ose…’

TCH: Si e konsideroni këtë letër?

Vojsava Ismailaj: Një presion nga shteti shqiptar. Një mesazh, një kërcënim nga shteti shqiptar.

TCH: Për ç’arsye?

Vojsava Ismailaj: Që të heshtim. Të heshtë Kastrioti.

TCH: Për ç’arsye duhet të heshtni?

Vojsava Ismailaj: E vërteta e kompanisë DIA ose e vërteta e arbitrazhit për kompaninë DIA që i takon Kastriot Ismailajt.

 

 

Kreu i Sekretariatit të Energjisë

Kopac: CEZ mbante peng statusin, marrëveshja e nevojshme, Arbitrazhi zgjaste 10 vjet

 

Kreu i Sekretariatit të Energjisë, Janez Kopac, e cilësoi dje si të domosdoshme marrëveshjen e arritur mes CEZ-it dhe qeverisë duke theksuar se në të kundërt konflikti do të mbante peng reformat dhe investimet. Kopac, i cili ka ndërmjetësuar negociatat mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke CEZ, theksoi dje në seancën dëgjimore në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese: “Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ishte shumë i lumtur që kjo çështje u zgjidh, sepse vendi ishte peng i kësaj mosmarrëveshjeje të pazgjidhur dhe jo vetëm reformat, por çdo investim potencial i huaj do të priste zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Procedurat e arbitrazhit zakonisht zgjasin 10 vjet, pra i gjithë vendi do të mbetej peng për 10 vjet”. Sipas tij, nëse nuk do ishte nënshkruar marrëveshja, Shqipëria kërcënohej nga vetoja çeke për statusin e vendit kandidat në BE. “Dy orë pas nënshkrimit të marrëveshjes në zyrën time, Republika Çeke vendosi të heqë veton”, – tha Kopac. Por ndaj këtij qëndrimi reagoi PD e cila përmes deputeti Genc Ruli theksoi se vetoja çeke u përdor si argument për të nënshkruar një marrëveshje. “Nuk kemi pasur asnjë njoftim zyrtar se Çekia do vendoste veton. Dhe aspekti tjetër që riktheu diskutimin është se shkel parimet konstitucionaliste. Nuk ka marrëveshje që të parashikojë përjashtim të përgjegjësisë apo procedimit penal të ish-zyrtarëve apo personave që mund të kenë ndikuar në nënshkrimin e keq të marrëveshjes”, – deklaroi Ruli.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here