Tregtia e jashtme shfaqi sërish një ecuri të dobët gjatë muajit gusht, duke regjistruar rënie, si në eksporte, ashtu edhe në importe. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet gjatë muajit gusht ranë me 17.6% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Rënia e gushtit e thelloi më tej rënien progresive të 8-mujorit me rreth 3.7%. Grupi që ka udhëhequr eksportet në vitet e fundit, “Minerale, lëndë djegëse, energji” edhe për gushtin shënoi rënie me 17.3% ndaj gushtit 2014. Të dhënat progresive të 7-mujorit dëshmojnë një rënie të eksporteve të këtij grupi me 23.7% me bazë vjetore. Një ecuri më pozitive po regjistron dega e fasoneve. Eksportet e grupit “Tekstile dhe këpucë” u rritën me 2.3% për 8-mujorin, duke ruajtur rritjen pozitive, ndonëse me ritme të ngadaltë. Një ecuri të plogësht gjatë muajve të fundit po shfaqin edhe importet. Gjatë gushtit, vlera e importeve ishte 10.3% më e ulët ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sipas Instatit, edhe bilanci progresiv i tetëmujori është tashmë negativ, me një rënie prej 0.6% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Edhe në krahun e importeve rezultatet më negative po i shfaq grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji” me një rënie vjetore prej 35% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ulja e çmimeve të lëndëve të para e sidomos e naftës po rezulton një faktor përcaktues në bilancin tregtar të vendit. Pozitive është se rritja më e lartë e importeve është regjistruar në grupin “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, me 14% më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Rritja e importeve në këtë grup tregon tërthorazi një rritje të investimeve të reja në ekonomi.
Rënia e ndjeshme e importeve ka bërë që gjatë muajit gusht deficiti tregtar i vendit të ulet me 5% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sidoqoftë, për të gjithë 8mujorin deficiti tregtar vazhdon të jetë pak më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me rreth 2.3%. Deri në fund të gushtit, deficiti tregtar i vendit ka prekur shumën e afro 183 miliardë lekëve.