Mediat serbe vijojnë propagandën për atë që rrezikojnë në ndeshjen e 8 tetorit në “Elbasan Arena”. Më e fundit në listë është hipoteza se në Shqipëri skuadra rrezikon edhe helmimin nga ushqimi. Sipas mediave të Beogradit, zyrtarët e Federatës Serbe nuk besojnë te qëllimet e mira të palës shqiptare, për periudhën dy-ditore kur përfaqësuesja e Ivanovic me shokë do të qëndrojë mes Tiranës dhe Elbasanit. Për këtë arsye ata vendosën të marrin me vete një kuzhinier. Bëhet fjalë për Velmir Mitrovic, i cili do të udhëtojë në Tiranë pak orë përpara ekipit serb. Ai do të kontrollojë cilësinë e ushqimit dhe mënyrat për të përgatitur menytë që do të konsumojnë lojtarët. Vendimi i federatës për t’u kujdesur edhe për këto detaje të vogla, lidhet me shqetësimin që të evitohen episode të cilat mund të ndikojnë në epilogun e ndeshjes. Federata Serbe e argumentoi qëndrimin me ngjarjen e ndodhur në Minsk, ku 17 lojtarë të përfaqësueses së Luksemburgut u helmuan nga ushqimi përpara ndeshjes së Euro 2016 me Bjellorusinë. Ekipi serb do të mbërrijë në Shqipëri më 7 tetor, vetëm pak orë përpara zhvillimit të ndeshjes. Përveç bazës materiale, ata do të transportojnë me vete edhe ujin, për një sasi prej qindra shishesh. Kjo mbështetur në përvojën e mëparshme të disa ekipeve, që kanë pasur shqetësime shëndetësore prej ujit të pijshëm në vendet ku shkojnë.
Cana në rrezik për ndeshjen me Serbinë
Lajme të këqija për Giani de Biasin dhe sidomos për tifozët e Shqipërisë. Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka pësuar një lëndim në kavilje dhe ka lënë fushën duke çaluar. Pas këtij dëmtimi të Canës, të gjithë tifozët shqiptarë kanë filluar të brengosen për fatin e kapitenit shqiptar. Sigurisht që pritet të bëhen disa teste për të parë shkallën e lëndimit, mirëpo Cana rrezikon seriozisht ndeshjen kryesore të Shqipërisë, atë ndaj Serbisë më 8 tetor në “Elbasan Arena”.