Gjendja e Canës drejt përmirësimit

0
168

download

 

Lorik Cana pritet të jetë në fushë më 8 tetor për ndeshjen kualifikuese të Euro 2016-ës ndaj Serbisë. Edhe pse vetë kapiteni i kombëtares apo klubi i Nantës ende nuk janë shprehur zyrtarisht, shkalla e dëmtimit nuk është aq serioze sa u mendua fillimisht. Imazhet e Lorikut që largohej nga fusha duke çaluar, në minutën e 55-të të ndeshjes ku Nanta fitoi me Lilën, alarmoi stafin e kombëtares dhe tifozët. Kapiteni kuqezi iu nënshtrua menjëherë kontrolleve mjekësore, të cilat konfirmuan se nuk bëhet fjalë për ndrydhje të kaviljes së majtë. Nga rënia e keqe pas duelit me Baptistën, lëndimi lidhet me pjesën e thembrës, në zonën që njihet si “tendina e Akilit”. Kjo është një pjesë mjaft problematike për futbollistët, por në rastin e Lorik Canës sinjalet janë shpresëdhënëse. Burime të afërta me mbrojtësin konfirmuan se 32-vjeçari vazhdoi kontrollet mjekësore dhe sipas gjasave do të jetë në fushë kundër serbëve. Kapiteni kuqezi do të vazhdojë mjekimin e specializuar, për të bërë të mundur rikuperimin brenda një kohe sa më të shkurtër dhe të japë kontributin në ndeshjen vendimtare të përfaqësueses drejt ëndrrës në Evropianin e Francës. Nga sa mësohet, si masë parandaluese stafi mjekësor i Nantës dhe trajneri Der Zakarian vendosën që pavarësisht një rehabilitimi të mundshëm, Cana të mos luajë në kampionat të shtunën kundër Nisës. Gjendja e mbrojtësit do të shqyrtohet edhe nga stafi mjekësor i Shqipërisë, sapo të nisë grumbullimi i kombëtares. Nuk përjashtohet që kapiteni të sakrifikojë për të qenë në fushë, një vendim që lidhet edhe me pikëpyetjet rreth gjendjes së mbrojtësit tjetër të qendrës, Mërgim Mavraj.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here