Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi do të kërkojë nga Parlamenti shtyrjen e afatit të tij deri në qershor të vitit që vjen. Burimet pranë Kuvendit bën të ditur se komisioni do të kërkojë që paketa e ndryshimeve në Kushtetutë, të përfshijë dhe çështjen e dekriminalizimit, ato që lidhen me reformën territoriale si dhe ndryshimet që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas kësaj logjike, brenda tetorit, edhe një herë klasa politike do të shprehë gatishmërinë për konsensus për reformën në drejtësi, por ndryshimet që prekin Kushtetutën dhe që pritet të kalojnë në sitë nga Komisioni i Venecias, do të votohen në dhjetor. Ajo që mund të sjellë debat mes palëve është ideja e shumicës për të përfshirë çështjen e dekriminalizimit si pjesë të diskutimit të reformës në drejtësi.