Ministri: Opozita ka shumë vite përpara për t’u kthyer më e shëndoshë. Fino rrëzon Brahon: Nuk besoj se ka skenar destabiliteti
Gëzim Saliu
Në kohën kur koalicioni i majtë po kalon momentet më të vështira të tij, ku zërave të shumtë për përçarje i janë shtuar edhe deklaratat publike “pickuese” të përfaqësuesve të lartë të LSI-së, socialistët po mundohen të shmangin përballjen me aleatët. Numrat që bëjnë të pamundur formimin e shumicës në Parlament pa partinë e Metës, mungesa e guximit për të hyrë në zgjedhje të parakohshme si edhe frika e dështimit në rast të ndarjes nga LSI-ja, kanë detyruar PS-në të mos u përgjigjet dhëmb për dhëmb kritikave indirekte të partisë së dytë kryesore të koalicionit. Ndonëse nga këta të fundit nuk kanë munguar deklaratat që kritikojnë dhe madje e cilësojnë si të dështuar e të rrezikshëm një skenar të mundshëm për bashkëpunim mes PS-së dhe PD-së, socialistët mjaftohen vetëm duke i cilësuar si “përralla” qëndrime të tilla. Përmes ministrit Saimir Tahiri dhe deputeti Bashkim Fino, forca më e madhe politike në vend theksoi dje se nuk ka asnjë lloj ftohjeje në koalicionin e majtë. Sipas dy figurave të larta të PS-së, koalicioni qeverisës po funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme, gjë e cila, theksoi Fino, do të vërtetohet edhe në votimin e sotëm në Parlament.
Deklaratat
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, zhvilloi dje një takim të shkurtër me Kryeparlamentarin Ilir Meta, por deklaratën e tij në lidhje me ecurinë e koalicionit ai preferoi ta jepte jo nga Kryesia e Kuvendit, por nga Elbasani, ku tha se ishte një takim pune. Tahiri rrëzoi çdo mundësi për përplasje brenda shumicës, duke theksuar nga ana tjetër se detyra që ka, e detyron të takohet shpesh me Kreun e Kuvendit, Meta. “Koalicioni dhe mazhoranca janë mjaft solide, kanë prioritete tepër të qarta, ndër të cilat reforma në drejtësi, që është element kyç jo vetëm për rrugën e Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian, por mbi të gjitha për ta bërë Shqipërinë dhe shoqërinë më drejtë nga njëra anë dhe nga ana tjetër për të luftuar pandëshkueshmërinë, qoftë brenda gjyqësorit, qoftë në raport me qytetarët”, – tha ai. Më tej, për të vazhduar deklaratat mobilizuese për një koalicion pa probleme, Tahiri siguroi se opozita ka shumë rrugë të gjatë përpara për të bërë, ndërsa theksoi se nuk ka asnjë shans për bashkëpunim me demokratët. “Për këto përrallat e tjera, jo koalicion me PD-në, e sigurt është që vendit i duhet një opozitë e shëndoshë, siç është edhe më e sigurt që opozita ka shumë rrugë përpara dhe vitet që ka përpara do t’i mjaftojnë besoj për t’u kthyer në opozitën e shëndoshë që ka nevojë vendi dhe qytetarët dhe ma do mendja që edhe Lulzim Basha është përgatitur dhe është në gjendje që në harkun kohor të viteve që ka përpara të kthehet në opozitë të shëndoshë”, – u shpreh ministri i Brendshëm. Në të njëjtën linjë, edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, mohoi mundësitë për një destabilitet politik në vend. Sipas tij, nuk ka arsye pse vendi të futet në zgjedhje të parakohshme ndërsa aleanca mes dy partive më të mëdha po shkon shumë mirë. “Pse duhet të ketë zgjedhje të parakohshme kur nuk ka… Unë jam duke thënë jo. Unë nuk shikoj asnjë krizë, asnjë ftohje midis partive të mëdha në pushtet po vazhdon mazhoranca me sukses. Do ta shikoni të këtë dhe në seancë plenare të së enjtes te votimet”, – tha ai. Ndërkohë i pyetur lidhur me letrën e Brahos dhe mundësinë e një skenari destabiliteti të vendit, Fino u përgjigj shkurt: “Unë them jo, bëjani Brahos këtë pyetje!”