Gjykata e Krimeve të Rënda nis procesin e dytë gjyqësor brenda javës ndaj Kastriot Ismailaj, për konfiskimin e pasurisë në bazë të ligjit “Antimafia”. Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, togat e zeza hapen shqyrtimin gjyqësor, duke kërkuar konfiskimin e rreth 2 milionë eurove nga llogarit bankare të Kastriot Ismailajt, bashkëshortes dhe nënës së tij. Ndërkohë, tre ditë më parë, po kjo Gjykatë, nisi procesin gjyqësor të kërkuar nga prokuroria, për konfiskimin e 3 mln eurove të tjera që ndodhen në llogarit bankare të Ismailajt dhe kompanive që ai drejtonte në Shqipëri. Në sallën e gjyqit, mungonte i dyshuari Ismailaj që ndodhet i izoluar në burgun e Fierit, por u përfaqësua nga avokati Vladimir meçe. Mbrojtësi ligjor, kërkoi nga gjykata të pushoi këtë proces gjyqësor, me argumente se parat që klienti i tij i ka siguruar në llogari bankare janë para se të miratohet ligji i “Antimafias”. Gjithashtu, avokati tha se prokuroria ka bllokuar edhe llogarinë bankare rrjedhëse të nënës së Kastriot Ismailajt, duke i sekuestruar kështu edhe pensionin e pleqërisë dhe kursimet e saja. Ai tha gjykatës, që duhet të lirohet llogaria e nënës së tij, pasi vuan nga një sëmundje për të cilën i duhen parat për të blerë ilaqe. Kundër kësaj kërkese ishte prokurori i çështjes, duke kërkuar që procesi të vazhdoi me konfiskimin e tyre. Sipas akuzës, Kastriot Ismailaj dhe të afërmit e tij, nuk vërtetojnë burimin e ligjshëm të parave të sekuestruara, pasi ekzistojnë dyshime të arsyeshme se janë krijuar nga burime të paligjshme, për të cilat po hetohet i arrestuari. Gjykata, pasi dëgjoi avokatin, vendosi të shty seancën gjyqësore, duke i lënë kohë prokurorit të bëj prapësimet e pretendimeve të avokatit mbrojtës. Seanca radhës do të vazhdoi me 14 tetor. Ndërkohë Kastriot Ismailaj po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për akuzën e “Mashtrimit” dhe “Pastrimit të parave”, mbi bazën e të cilave ka përfituar miliona euro nga CEZ shpërndarja me kontratën e mbledhjes së borxheve dhe debitorëve të energjisë.