Dosja  / Ish-ministri Myqerem Tafaj, në gjyq për licencimin e 4 universiteteve private

0
143

 

images

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim në Gjykatën e Lartë kërkesën ndaj ish-ministrit të Arsimit dhe Shkencës, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Myqerem Tafaj, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”

 

Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, do të gjykohet në Gjykatën e Lartë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pasi akuzohet se lejoi në mënyrë të kundërligjshme hapjen e programeve mësimore në shkollën e lartë private “Vitrina”. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të enjten se ka përfunduar hetimet për ish-ministrin Tafaj, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, dhe ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë kërkesën për gjykimin e tij. Albi Serani, këshilltar për median i Prokurorisë së Përgjithshme, tha se “veprimet hetimore kanë arritur në përfundimin se i pandehuri ka vendosur hapjen e programeve mësimore, në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Akreditimit”. “Për Prokurorinë e Përgjithshme, ky veprim i tij është kryer me dashje të drejtpërdrejtë, pasi edhe pse ka patur një detyrim ligjor për ta respektuar, edhe pse vlerësimi i dhënë nga institucioni kompetent ishte i qartë (vlerësim negativ), ai ka vendosur hapjen e tyre në mënyre të kundërligjshme”, – tha Serani në njoftimin për shtyp.

 

Dosja e prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim në Gjykatën e Lartë kërkesën ndaj ish-ministrit të Arsimit dhe Shkencës, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Myqerem Tafaj, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal. Në përfundim të veprimeve hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 4, viti 2015, Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në përfundim se, i pandehuri ka vendosur hapjen e programeve mësimore të një shkolle të lartë private, aktualisht e mbyllur, në kundërshtim me atë që ka vendosur Këshilli i Akreditimit. Për Prokurorinë e Përgjithshme, ky veprim i tij është kryer me dashje të drejtëpërdrejtë, pasi edhe pse ka patur një detyrim ligjor për ta respektuar, edhe pse vlerësimi i dhënë nga institucioni kompetent ishte i qartë (vlerësim NEGATIV), ai ka vendosur hapjen e tyre në mënyre të kundërligjshme.

Veprimet e kryera nga ana e të pandehurit Myqerem Tafaj kanë sjellë për rrjedhojë hapjen e programeve mësimore, të cilat nuk janë në përputhje me kriteret ligjore të përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore, për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë. Për Prokurorinë e Përgjithshme, me veprimet e kryera, i pandehuri Myqerem Tafaj, në cilësinë e ish-Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, ka sjellë si pasojë krijimin e mundësisë së subjektit privat “Shkolla e Lartë Private Vitrina”, që, pavarësisht se nuk plotësonte standardet e parashikuara nga ligji, të zgjerojë aktivitetin në fushën e arsimit dhe të ofrojë programe jo cilësore studimi, me pasoja financiare për individët dhe për shtetin, si garant i standardeve të larta mësimore, si edhe duke i krijuar favore të pa merituara institucionit arsimor në fjalë.

 

Reagimi i Tafajt

Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka reaguar pas vendimit të prokurorisë që e akuzon për shpërdorim detyre, për akreditimin e 4 fakulteteve në kundërshtim me ligjin. Tafaj e ka cilësuar të padrejtë vendimin e marrë nga organi i akuzës. Fajtor për këtë gjë ish-ministri ka bërë luftën politike mazhorancë-opozitë dhe vendimi i prokurorisë është ndikuar nga presioni i qeverisë, thotë Tafaj. Ai shtoi se ka respektuar të gjitha procedurat për akreditimin e universiteteve për rastet që akuzohet. Myqerem Tafaj ka qenë ministër i Arsimit në vitet 2009-2013 dhe u kallëzua nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. “Që në fillim, dëshiroj të theksoj se vendimi i marrë nga Prokuroria e Përgjithshme është i padrejtë dhe, si i tillë, duket se është marrë nën presionin e qeverisë. Unë e kam kundërshtuar këtë vendim të Prokurorisë, duke parashtruar argumente dhe sqarime të hollësishme. Çështja lidhet me një urdhër për hapje të programeve të studimit, ndërkohë që shkolla e lartë jopublike Vitrina dhe fakultetet e saj kanë qenë të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Besoj se gjykata do ta gjykojë këtë çështje në mënyrë të pavarura dhe të drejtë, sepse jam i sigurt në pafajësinë time”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here