Gjysma e LSI-së abstenon, në votim mungonte Berisha, Cara, Tafaj, Pollo, Mediu e Duka, 6 vota që mund të ndryshonin numrat në Kuvend. LSI, taktikë apo mungesë konsultimi të vendimit të grupit?!
Kuvendi rrëzoi dje kërkesën e Partisë Demokratike për diskutimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit që lejon hetimin ndërkombëtar të çështjes “CEZ”. Deputetët e mazhorancës rrëzuan me 54 vota “kundër” kërkesën e bërë nga opozita, ndërsa 50 deputetë votuan “pro” dhe 12 “abstenim”. Ndërkaq, ajo që ra në sy në votim ishte se një pjesë e grupit parlamentar të LSI-së, duke përfshirë edhe kreun e kësaj force Ilir Meta, votuan “pro” kërkesës së PD-së. Nga ana tjetër një pjesë tjetër e grupit të LSI-së abstenoi duke qëndruar neutralë në qëndrimin e tyre lidhur me çështjen. Por një tjetër detaj ishte fakti se në seancë gjatë votimit munguan edhe disa deputetë të PD-së, duke përfshirë ish-kryeministrin Berisha. Në rast se të paktën pjesa e deputetëve të LSI-së që abstenuan do të bashkonin votat me PD-në ose nëse do të merrnin pjesë në votim deputetët e PD-së që munguan, me shumë mundësi kërkesa e demokratëve për futjen me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për hetim ndërkombëtar të aferës “CEZ” do ishte votuar. Nga ana tjetër nuk kuptohet nëse votimi i përçarë i LSI-së, ku kryetari dhe disa deputetë votuan “pro” kërkesës së demokratëve dhe pjesa tjetër e deputetëve abstenuan ishte një taktikë e përzgjedhur nga forca e drejtuar nga Meta apo një mungesë konsultimi në grup për votimin. Ndërkohë në përfundim të votimit, kreu i Kuvendit Meta tha se projektligji do të kalojë për diskutim në procedurë normale.
Rrëzimi i kërkesës
Rrëzimi i kërkesës së demokratëve u paralajmërua që në Konferencën e Kryetarëve ku mazhoranca ka vendosur të mos fusë në rendin e ditës me procedurë të përshpejtuar projektligjin për hetimin ndërkombëtar të CEZ-it. PD dhe LSI ishin dakord parimisht në deklaratat e tyre publike që afera e CEZ të hetohej nga prokurorë të huaj, por ato ndahen për kohën kur duhet shtrirë ky hetim. Sipas projektligjit të PD-së hetimi duhet bërë vetëm për pjesën e marrëdhënies së CEZ me DIA-n, ndërkohë që LSI kërkon shtrirjen e hetimit gjatë gjithë periudhës që kompania çeke ishte në Shqipëri. Ndërkohë PS u shpreh kundër futjes së projektligjit me procedurë të përshpejtuar pasi sipas tyre në këtë formë shkelet kushtetua dhe 6 vendime të Gjykatës Kushtetueses. Ndërkohë në fjalën e tij para votimit, kreu i grupit parlamentar demokrat tha se qëndrimi i mazhorancës është qartësisht i dukshëm kundër hetimit ndërkombëtar. Megjithatë ai kërkoi që shumica të paktën të votonte përfshirjen e projektligjit të PD-së në kalendarin tre javor të Kuvendit. “Keni deklaruar se kërkoni ta hetoni. Është fajtor Berisha, është fajtor Ridvani, ndërkohë që këtu ju me votë e keni ndaluar hetimin e kësaj çështjeje dhe këtë e kupton edhe më idioti pse është ndaluar. Votohet në parlament që të bllokohen hetimet për çështjen penale. Doni të hetohet tani e keni mundësinë me votën tuaj, të hetoni ju e të hetohen këta tanët. Deri dej keni thënë se është e degjeneruar drejtësia, është e korruptuar, kurse tani doni që ta hetojë kjo drejtësi. N.q.s. nuk e doni me procedurë të përshpejtuar futeni të paktën në kalendarin tre javor”, – tha Paloka. Por pavarësisht kësaj thirrjeje, megjithëse me një diferencë shumë të vogël votash, për shkak se një pjesë e LSI bashkoi votat me PD dhe një pjesë tjetër abstenoi, mazhoranca arriti të rrëzojë kërkesën e demokratëve.
box
Si u votua në Parlament
Pro kërkesës së PD-së: Ilir Meta(LSI), Monika Kryemadhi (LSI), Petrit Vasili(LSI), Robert Bitri(LSI), Silva Caka(LSI), Agron Cela(LSI), Kejd Mehmetaj(LSI), Vangjel Tavo(LSI), Luan Rama(LSI) dhe deputetëve të PD të pranishëm në sallë
Kundër kërkesës së PD-së: Spartak Braho dhe të gjithë deputetët e PS të pranishëm në sallë
Abstenuan ndaj kërkesës së PD-së: Edlira Çekrezi (LSI), Bujar Derveni (LSI), Antoneta Dhima (PS), Vangjel Dule (PBDNJ), KLuan Duzha (LSI), Gjovalin Kadeli (LSI), Pirro Kapurani (LSI), Bujar Kllogjeri (LSI), Gledian Rrahovia (LSI), Shkëlqim Selami (LSI), Ylli Shehu (LSI), Përparim Spahiu (LSI)
Nuk votuan kërkesën e PD(s’ishin në sallë)- Sali Berisha (PD), Igli Cara (PD), Myqerem Tafaj (PD), Genc Pollo (PD), Alban Zeneli (PD), Fatmir Mediu (PR), Agron Duka(PR),, Edi Rama (PS), Shkëlqim Cani(PS) Enkelejda Shkreli(PS), Parid Cara (PS), Mesila Doda, Shpëtim Idrizi (PDIU), Aqiq Rakipi (PDIU), Tahir Muhedini (PDIU), Dashamir Tahiri
box
Votimi i kërkesës së PD
54 kundër
50 pro
12 abstenim