Rruga zyrtare që mund të ndjekë një individ për të kuptuar nëse i përgjohet apo jo telefoni fiks ose ai celular është kërkesa pranë kompanisë që ofron shërbimin. Sigurisht që një përgjigje mund të vijë dhe standardi i pritshëm i kësaj përgjigjeje mund të jetë: Përgjimi i numrit tuaj telefonik bëhet vetëm me urdhër të gjykatës shqiptare. Po vetë, a mund të kuptoni nëse ju përgjohet telefoni? Po, në media të specializuara ndërkombëtare raportohet se ka disa shenja që tregojnë se telefoni juaj mund të jetë duke u përgjuar.
Përsëritja e zërit apo jehona
Telefoni juaj ndoshta përgjohet, nëse ju konstatoni se zëri juaj dhe/ose i personit tjetër në thirrje, përsëritet. Nëse kjo ndodh rregullisht në çdo telefonatë që kryeni, ndoshta telefoni juaj është duke u përgjuar.
Pasi keni mbyllur telefonin
Kur mbyllni një telefonatë, nëse dëgjoni zëra edhe disa sekonda pas mbylljes së telefonatës, është një sinjal përgjimi.
Bateria e nxehtë e celularit
Në qoftë se bateria e telefonit tuaj celular është e nxehtë ndërkohë që ju nuk e keni përdorur telefonin në disa minuta të mëparshme, ndoshta telefoni juaj është duke u përgjuar.
Shenja të jashtme në celularin tuaj
Në qoftë se shikoni që drita e ekranit të telefonit tuaj celular ndizet pa e hapur ju, kjo tregon se ndoshta dikush po punon duke bërë transferim të dhënash nga telefoni juaj, ose edhe po ju përgjojnë.