Italo Calvino
Në pesë të mëngjesit, karvanë ushtarakë kapërcenin qytetin; përpara dyqanit të ushqimeve, fillon e formohet radha e grave ku çdo njëra mbart nga një kandil: mbi mure, ende e njomësht boja e parullave propagandistike shënjuar prej brigadave të lëvizjeve të ndryshme të Këshillit të Përkohshëm përgjatë natës. Në orën kur sazexhinjtë vendosin veglat e muzikës nëpër kutia dhe dalin nga qilarët e kabareve, qielli ish’ gjelbëruar. Klientët e “Titanisë së Re” përshkojnë një copëz udhë së bashku, si për të mos e ndërprerë bashkëfajësinë që ishte krijuar në lokal gjatë natës, midis njerëzish të mbledhur kuturu apo për huq; të gjithë formojnë një turmë ku burrat, nën jakat e ngritura të kapërdinave, kanë pamje kufomash, pamje mumiesh të dala prej sarkofagësh të konservuar përgjatë katër mijë vjetësh, të gatshëm për të rënë sërish në pluhur nga njëri çast në tjetrin, ndërkohë që një erë farfuritëse epshndjellëse zotëron gratë të cilat këndojnë, çdo njëra nenëz-zëth, poshtë palltove të tyre të hapura dantellat e këmishëve të natës, përshkojnë fustat e tyre të gjata duke i dhënë një rit të pavetëdijshëm hapave vallëzues, fenomen pastërtish dehës i cili bën që njëra eufori të gufojë mbi euforinë pararendëse; duhet thënë që në çdonjërën prej tyre, shpresa është ende gjallërisht e pa përfunduar, njësoj sikur sazexhinjtë të ndalen një grimëherë mu në mesin e udhës, të rihapin veglat e tyre muzikore dhe të fillojnë sërish tu bien gajdeve.
Në ballinë të ish bankës Levinson, mbikëqyrur nga patrullat e gardës popullore, bajonetë e beretë ngrehur, grupi i dëfryesve të natës shpërndahet, sikur ta kishin bërë me fjalë, e gjithkush ndjek udhën e tij pa u përshëndetur me tjetrin. Ne qëndrojmë të tre: Valeriani dhe unë kemi vënë në mes Irinën dhe e mbajmë për krahu, unë nga e djathta, si gjithmonë, për t’i bërë vend një patllakeje të rëndë që mbart në rrip, ndërkohë që Valeri, i cili ka qenë gjithmonë civil, anëtar i Komisariatit të Industrisë së Rëndë, po qe se mbart një pistoletë me vete (dhe besoj se e ka një), duhet të jetë ndonjë nga ato pisqollat e vockla pafkë që mund të mbahen edhe në xhep. Në këtë orë, Irina shndërrohej si një hije e pagojë, dhe një si biçim frike e ndante nga ne – e kam llafin për vete, por jam i sigurt që edhe Valeri ndante po të njëjtën gjendje pasigurie si unë, megjithëse nuk ja kishim kurrë besën këtij subjekti – sepse e ndienim që ishte veç çasti e loja ku Irina vërtetësishtë merrte kapistallët zotërues të ne të dyve, e aq të çmendura gjithashtu sa ç’ishin gjërat rreth-e-qark dukej haptazi se rrethanat po na shpinin drejt të vetë ndierit edhe njëherë si të burgosur të rrethit të saj magjik, që nuk ishte hiç gjë në raport me atë vështrim që ajo vlonte në imagjinatë, pa u ndalur përpara çdo zullumi me tepri: që mund të jetë fare mirë kuriozitet epshor, gazmim i epërm mendor e orgji, apo mizori. E vërteta është se jemi që të tre tepër të rinj, shumë të rinj për këtë lloj situate që jetojmë, gati-gati mustakë pa dirsur.
Irina, ajo, mbartte me vete të gjithë epokën e femrave pararendëse të llojit të saj, megjithëse ishte më e re nga ne, na vinte të bënim gjithëshka që ajo dëshironte. Ajo filloi të fishkëllente një melodi ndanë zë, Irina, dhe vetëm sytë i qeshnin, sikur të kish’ para shijuar një ide që i kishte ardhë ndër mend; më tej fërshëllima u bë e kuptueshme, ishte një marsh i fryrë prej nji operete në modë, dhe ne, gjithmonë të tromaksur në sa ishte duke përgatitur në mendjen e saj, doravet ne pra ja nisëm fërshëllimës për ta shoqëruar, marshonim si të stërvitur nga melodia e një bande muzikore të papërballueshme, dhe ndiheshim njëherazi viktima dhe fitimtarë. Diçka ja beh ndërsa kalojmë para kishës Shën-Apolon, të shndërruar në lazaret për kolerikë, qivure masivë të ekspozuar mbi këmbalecë, rrathë të mëdha kufijsh me gëlqere të përndezur rrethojnë këmbalecët për të penguar turmat e të gjallëve nga kontakti me kufomat, dëgjohen zhurmat e qerreve që sjellin kufoma të tjerra në varrezën masive. Një grua plakë po falej në gjunjë mu në hajat të kishës, dhe ne, që marshonim me hapa të fortë provokuar nga muzika e marshit që fërshëllenim njëzëshëm, gati-gati sa nuk e shkelëm me këmbë plakën e gjorë. Ajo ngriti drejt nesh gishtin e vet të vyshkët, e ashpër si një gështenjë, dhe, duke u mbështetur në prag, ja dha me zë: “Zotërinj t’mallkuem!” e nji hop më tej: “Të namun Zotninj!”, si me qenë dy mallkime të një të vetmeje kreshendo muzikore, duke na quajtur “zotërinj” e “zotninj”, ajo na përshkruante si dy herë radhazi të nëmur; duke ndjekur mallkimin e saj mendja mund të shkonte fill tek ideja se në ato dy fjalë nën shtresoheshin kuptime të tjera në vijim si: “kurvarë bordellosh” apo më keq “vafshi në…”, por nji grimëherë sytë e saj ndeshën uniformën time, e duke i zbritur sytë përdhe e qepi gojën.
Po e rrëfej këtë incident me të gjitha detajet sepse duhet konsideruar – jo menjëherë tash, por më vonë – si një ogur i gjith asaj që duhej të ndodhte; dhe ngaqë imazhet e asaj kohe duhet të kapërcejnë këtë faqe sikur karvani i ushtarëve qytetin (megjithëse fjala “karvan” evokon imazhe pak a shumë të përafërta por jo përfundimtare; nuk është përzgjedhur keq si fjalë besoj që flatron në ajrin e një farë pa përcaktimi përfundimtar si kuptim, tipik si çorodia e amullt që zotëron epokën në fjalë): si ato parullat që ndërroheshin nga njëra shtëpi në tjetrën, që ftonte popullsinë të nënshkruhej nën huan e Shtetit, apo si ato kolonat sindikaliste të organizuara nga kundërshtarë qendrorë, ku trajektoret e lëvizjeve nuk duhet të takohen me njëra-tjetrën, njëra palë manifeston për vazhdimin dhe hapjen e grevës në uzinën e armëve Kauderer, e pala tjetër për ndalimin e lëvizjes, prioriteti i prioriteteve është kryekëput për të prodhuar armë për popullin kundra trupave kundër-revolucionare që kanë mbërritur të rrethojnë qytetin. Duke u kryqëzuar, të gjitha këto linja ç’kufizonin po aq mirë hapësirën ku ç’vendoseshim, Valeri, Irina, dhe unë: për aq sa historia jonë dilte prej askund, ja behte një fill rrugëtimi, një drejtim, një ravijëzim. Irinën, e kisha njohur ditën kur fronti kishte ngelur pas në dymbëdhjetë kilometra (a më pakë) nga porta e Lindjes. Ndërkohë që milicia urbane – çunakë më pak se tetëmbëdhjetë vjeçar dhe rezervistë në moshë më të madhe – merrnin vend qëndrim rreth ndërtesave kryesore të Thertores – vend që nga emri përngjante tashmë me një shenj ogurzezë, po për kë, nuk e dinim ende -, një valë njerëzish po grumbulloheshin mbi qytet mbi një urë të Hekurt. Fshatarkat mbanin mbi krye kaçile nga gryka e të cilave shfaqej ndonjë torolingë pate, derrkucë histerikë silleshin nëpër shalë, të ndjekur nga gërnja e fëmijëve (shpresa për të vendosur diçka nën strehën e rekuizimeve ushtarake i shtynte familjet e fshatit t’i hallakasnin aq sa ishte e mundur fëmijët dhe kafshët, për t’ia besuar së ardhmes), ushtarë në këmbë apo shaluar mbi kuaj, që kishin dezertuar nga njësitet e tyre, apo që kërkonin t’i bashkëngjiteshin turmave të forcave të shpartalluara, hanëmet e kamura të kësaj bote në krye të një tabori me shërbëtorë e rraqe, hamallë me tezgat e tyre, të sëmurë të zbuar nga spitalet, shitës ambulant, funksionarë, murgesha, arixhinj, jetime të ish-kolegjit të gocave të oficerëve nën uniformë të mbajtur peng në udhë e sipër: e gjithë kjo botë rridhte përmes kolonave metalike të urës, si e shtytur nga një erë rrëngjethëse, e lagësht, e cila ngjante sikur përshkonte me thëllim tejetej shqyerjet e hartës, zgërdhelat e shlyemë që ishin hapur ndër kufij e në front.
Ishin të shumtë, atë ditë, ata që kërkonin strehë në qytet: kishte nga ata që kishin frikë të shihnin teksa fikeshin bashkë me revoltën plaçkitjet, edhe nga ata që kishin arsye të forta për mos tu ndodhur në udhën e hordhive të riformuara; dhe ata që kërkonin strehë pas barazisë së brishtë të Këshillit të Përkohshëm, edhe ata që donin thjesht të zhdukeshin pa lënë gjurmë në amulli e sipër për të grabitur pa pasur probleme nga ligji, cilido qoftë ky, ligj i vjetër apo i ri. Gjithkush e ndiente se mbijetesa e çdo njërit në veçanti ishte në lojë, dhe e çuditshme është se, atje ku përngjante më pa vend për të folur për solidaritet, duhej mbi të gjitha të hapje rrugë me bërryla e thonj, përmes njëfarë bashkësie të formuar, një marrëveshje, që na bënte të bashkoheshim aty-për-aty ballë pengesash, dhe ku kuptoheshim vetëm me një gjysmë-fjale. Për këtë arsye pa dyshim, ose ngaqë shpesh rinia takohet gjithmonë nëpër rrëmuja të përgjithshme, edhe në gëzime: fakti është se në kapërcim e sipër të urës së Hekurt mu në mesin e turmës, atë mëngjes, ndihesha i lehtë, në harmoni me të tjerët, me botën, me veten time, sikur kjo të mos më kishte ndodhur për një kohë të gjatë. (Dua të përdor fjalën e saktë: ndihesha – për ta thënë më shkoqur – në harmoni me amullinë e të tjerëve, botës dhe vetes time.)
Kisha mbërritur gjer në skajin tjetër të urës, atje ku një tufë hapash ribashkohet me bregun tjetër të lumit, rrjedha e njerëzve ngadalësonte hapat, topitej, i kundërvihej të shtyrave me kundër-të-shtyma për të mos gremisur ata që zbrisnin ngadalë matanë – të gjymtuarit në bisht të karvanit njëri pas tjetrit çalë-çalë mbi një patericë take-tuk mbi tjetrën. Flokë-kafshuar e drejtuar zdrënkthi bash për të shmangur rrëshqitjen nën vagonët e hekurt në buzë të shinave, qerre të qorrollepsura buzë rruge të cilat duhej t’i ngrije e shtyje bash me krahë – ndërsa syri më kapi rrëshqanthi gruan që zbriste krah meje. Gëzof lëkure dhe dorashka llustrafinë, kapelë barsolinë ngjyrëmanushaqe me një trëndafil mbi krye: me një fjalë, elegante; e re dhe e hajthme gjer në epsh, çka e konstatova pak më pas. Ndërkohë që e vështroja në profil, vura re sak se i zgurdulloi sytë, duke e shpënë dorën e veshur me dorashkë mu në gojën e shqyer papritur prej një klithme të tmerruar, trup-kapitur e alivanosur e lëshoi veten tërësisht pas. Do kishte rënë përtokë, do ishte shkelur nga e gjithë kjo turmë që përparonte si një kope elefantësh, po qe se nuk do isha treguar aq i shpejtë për ta mbajtur nga njëri krah.
– Ndiheni keq? Mbështetuni tek unë. Nuk ka gjë.
Ajo ishte e ngrirë dhe nuk mund të bënte një hap më tepër.
– Boshllëku, hiçi, teposhtë, thoshte ajo, kam marramendje, ndihmë…
Asgjë nga ajo që shihnim nuk e përligjte marramendjen; por ajo ishte e bukur dhe e kapur paq nga paniku.
– Mos i zbrisni sytë përdhe, mbahuni tek krahu im; ndiqni të tjerët, po mbërrijmë në krahun tjetër të urës.
Shpresoja që këto argumente mjaftonin për ta qetësuar. Por ajo:
– Shoh të gjitha këmbët të braktisin hapat, i shoh të përparojnë në boshllëk, apo vithisur… Një turmë e tërë që gëlltitet, thotë ajo gjithmonë e ngurosur.
Pashë midis shinave të hekurta rrymën e çngjyrosur të lumit, që mbartte teposhtë copa akulli sikur re të bardha. Përgjatë një grimë kohe të shkurtër, më ngjan se provova tëpkë atë që provon: çdo boshllëk kridhet në një tjetër boshllëk, çdo zhytje, edhe më e pa rëndësishmja, jep mbi një tjetër zhytje, çdo humnerë derdhet mbi një hon të pafundmë. Kalova njërin krah rreth supeve të saj, kërkoja t’i rezistoja shtytjeve të tyre, nga pas nesh, që donin të zbrisnin dhe protestonin:
– Lërnani të kalojmë pra! Ikni përqafohuni diku tjetër! Nuk keni turp?
Por e vetmja mënyrë unike për të dalë nga ky ortek njerëzish, ishte të vazhdoje drejt-për-drejtë në hiç, të fluturoje… Dhe ja më erdhi radha mua tashti të ndihem i kacavjerrur si me qenë përsipër një humnere…
Ndoshta është tregimi im që formon një urë mbi hiç!, ai procedon duke hedhur përpara tij të dhëna, ndijime, ndjenja për të krijuar një bazë të vithisjes kolektive dhe individuale, mu në mesin e së cilës mund të hapim një shteg gjithë duke qëndruar gjerësisht në padije të kushteve historike dhe gjeografike. Unë, jam duke i hapur vetes një shteg në një shumicë detajesh që mbulojnë një boshllëk që nuk dua ta shoh, përparoj me një goxha hap, ndërkohë që personazhi im femëror vjen dhe bëhet gati në buzë të një hapi, mu në mesin e turmës që e shtrydh, gjersa ja dalë mbanë për ta zbritur, gati gati duke e mbajtur në krah, hap pas hapi, për ta prurë mbi kalldrëmin e skelës përmatanë. Ajo e mori veten; ngriti përpara saj një vështrim të sigurt; rimori ecjen pa u ndalur, pa nguruar; u drejtua drejt rrugës së Mullinjve; dhe unë, kam gati gati mundim për ta ndjekur. Tregimi im, gjithashtu tregimi im, duhet të sforcohet për ta ndjekur, për të dhënë një bashkë bisedim konstruktiv, replikë pas replike, mbi hiç. Ndërsa tregimi, ura, nuk ka mbaruar : mbi çdo fjalë, ngelet e hapur humnera.
– Kaloi? pyeta.
– Nuk është gjë. Marramendja më merr kur jam në pritje të paktën, edhe kur nuk ka hijen e një rreziku. Lartësitë dhe ultësirat më japin të njëjtin efekt… nata, në qoftëse shikoj qiellin duke menduar për largësinë e yjeve… Edhe përgjatë ditës… Po qe se do shtrihesha mu këtu, për shembull, vështrimin e kthyer nga sipër, një vorbull do më merte…
Ajo po tregonte retë që po kalonin, të shtyra nga era. Ajo fliste për marramendje si për një tundim që, në njëfarë mënyre, mëshonte mbi të. Jam paksa zhgënjyer që ajo nuk ka për mua një të vetme fjalë falënderimi. Vrojtoj:
– Nuk është një vend i mirë për tu shtruar dhe vrojtuar qiellin, këtu, as ditën as natën. Mund të më besoni, e di.
Intervale boshe hapeshin në dialog midis një replike dhe tjetrës, sikur shinat e trenit të urës.
– Ju dini të vrojtoni qiellin? Na! Ju jeni astronom?
– Jo, kam një tjetër lloj vrojtimi…
I tregova mbi jakën e uniformës time paletat e artiljerëve. Ditëve të bombardimeve duke vështruar kalimthi predhat. Vështrimi i saj kalon nga paletat e supave, që nuk i kam të gjera, pastaj tek shenja e dukshme e gradës time, qepur mbi mëngë.
– Ju vini prej frontit toger?
Prezantohem:
– Aleksi Zinober. Nuk e di nëse duhet të më quani toger. Në regjimentin tonë, gradat tashmë janë hequr, por mundësitë ndryshojnë pa shkak. Për momentin, jam një ushtarak me dy shirita mbi mëngë, kjo është e gjitha.
– Unë, jam Irina Piperin, dhe isha para revolucionit. Në të ardhme, nuk e di. Vizatoja copa, dhe kur copat e basmës mungonin, vizatoja vizatime në ajër.
– Me revolucionin, ka njerëz që ndryshojnë gjer në atë pikë sa vijnë e bëhen të panjohur dhe njerëz që ndihen gjithmonë e më tepër të ngjashëm me veten e tyre. Duhet të jetë një shënjues që tregon se janë tashmë të gatshëm për kohët e reja. A s’është kështu?
Ajo nuk përgjigjet. Unë shtojë:
– Ose të paktën nuk mund të jetë mohimi total që i mbron nga ndryshimi. A është ky rasti juaj?
– Unë… Më thoni, atëherë, ju, më thoni nëse besoni se keni ndryshuar shumë.
– Jo shumë. E ndiej që mbart disa forma të caktuara të së shkuarës: të mbash një grua që rrëzohet për shembull; megjithëse askush nuk të thotë faleminderit sot.
– E gjithë bota ka çastet e saj të dobësisë, gratë sikurse dhe burrat, dhe kjo nuk do të thotë, toger, që nuk do ja u kthej pak më vonë mirënjohjen për sjelljen tuaj të mëparshme.
Ka në zërin e saj një pikë hidhërimi, gati sentimentale. Në këtë vend, dialogu – që e ka përqendruar të gjithë vëmendjen mbi ‘të, gjer në atë pikë sa gati e ka harruar vizionin e qytetit të hapërdarë gjithandej – mund të ndërpritej; karvanët ushtarak kaptojnë edhe njëherë vendin dhe fletën e këtyre rreshtave dhe ne u ndamë, ose është edhe njëherë grumbulli i grave përpara dyqaneve, edhe njëherë kortezhi i punëtorisë që mbartin pankarta. Irina është larg tashmë, kapela me trëndafil lundron mbi një det beretash ushtarake, helmetash, shaje; unë mundohem ta ndjek, por ajo nuk kthehet pas. Vijnë këtu ca paragrafë të mbushur me emra gjeneralësh e deputetësh, në emër të gjëmimeve të topave, të frontit, të veteranëve, të fraksionistëve dhe të ribashkuarve sërish në partitë përfaqësuese të Kuvendit; të shqyera nga të dhënat meteorologjike: rrebeshe, breshër, mot me vrenjtësira, erë veriu me furtunë. Por nuk është gjë tjetër veçse tabloja e gjendjes së shpirtit tim: më pas një gjendje gëzimi përmbyti ngjarjet, më pas një përmbushje mbi mua, një përqendrim i ngulitur mbi një projekt,, sikur gjithë çka që mbërrin rreth e qark meje shërbente veç për të më maskuar, shërbente veç të më grabiste, në mënyrën e thasëve me rërë që ngrihen për mbrojtjen gjithandej (qyteti përngjan se po përgatitet për një betejë rrugësh) dhe gardheve me dërrasa që çdo natë ngjitësit e prirjeve të ndryshme politike mbulonin njëra mbi tjetrën afishet gjithashtu të përmbytura nga shiu, veç letra të palexueshme dhe sfungjerosura dhe me cepa të përthyer.
Çdo herë që kaloj para vendit të Komisariatit Të Industrisë së Rëndë, i them vetes: “Sot, do shkoj të shoh mikun tim Valerianin.” E përsëris qysh prej ditës kur kam mbërritur. Valerian: miku im më i shtrenjtë që kam në jetë. Por e tërheq çdo herë pas këtë fjali në çastin e fundit, bash për fajin e ndonjë marrëdhënie të rëndësishme që del aty për aty. Dhe të thuash që i gëzohem ndonjë lirie të lëkundshme për një ushtarak në shërbim: natyra e saktë e funksioneve të mia nuk është e qartë; vete e vij përgjithësisht ndërmjet lagjesh të ndryshme; më shohin rrallë në kazermë, njësoj sikur të mos isha i lidhur në asnjë bashkësi; dhe nuk më shohin të gozhduar pas ndonjë zyre.
Në ndryshim me Valerianin; ai nuk lëviz pothuajse fare nga zyra e tij. Ditën që ngjitem dhe e shoh, e gjej atje, por nuk duket i zënë me punesa të qeverisë; është duke lustrosur beretën e tij të vockël llamburitëse. Me të më parë, zgërdhihet nën mjekrën e pa rrojtur:
– Atëherë, ke ardhur të biesh në grackë me ne.
– Apo për të vënë të tjerët në grackë.
– Kurthet janë brenda njëri-tjetrit, dhe mbyllen të gjitha njëherazi.
Ngjason sikur do të më paralajmërojë për diçka.
Pallati ku janë vendosur zyrat e Komisariatit është ish banesa e një familje përfituesish allishverishesh lufte, konfiskuar nga revolucioni. Mobiliet luksoze që kanë ngelur aty janë shkrirë njësh me mobiliet e trishta të zyrave, zyra e Valerit është e plotnuar me orendi kineze: vazo me dragonj, kuverta me ojna të lakuara, një perde mëndafshi.
– E çfarë do të kapësh në këtë pagodë? Një mbretëreshë orientale?
Një grua del nga dhoma e pasme: flokë shkurtër, rroba mëndafshi ngjyrë hiri, ngjyrë qumështi fillestare:
– Ëndrrat mashkullore nuk ndryshojnë, pavarësisht revolucioneve.
Nga toni agresivisht sarkastik i zërit, njoha kalimtaren që kisha takuar mbi urën e Hekurt.
– E sheh? Ka veshë që dëgjojnë të gjitha çka ne themi…, konstaton Valeriani duke qeshur.
Dhe unë:
– Revolucioni nuk bënë procesin gjykues të ëndrrave, Irina Piperin.
– Jo më tepër se sa ajo që na shpëton nga ëndrrat e këqija.
Valeriani ndërhyn:
– Nuk e dija që njiheshit.
– Jemi takuar në ëndërr, them. Ishim duke rënë nga një urë.
Dhe ajo:
– Ah jo, jo. Gjithsecilit i takon veç ëndrra e tij.
– Ka gjithashtu – këmbëngul – njërës të cilëve u ndodh të ëndërrojnë në një vend të sigurt, nën strehën e një marramendjeje të gjithanshme, si ky këtu.
– Marramendja është gjithandej.
Ajo merr revolverin e Valerit duke e bërë të dukshëm përpjetë, vepra, ku vendos syrin në shënjestër si për të verifikuar që është pastruar si s’ka më mirë, zhvendos siguresën, shënjon një objekt ndër një nga banesat përballë dritares, një qen në këmbë, dhe e mban armën ngulitur tek syri i saj, ndërkohë që e ka ngritur siguresën. “Një pus pa fund. Ndijojmë thirrjen e hiçit, tundimin e gremisjes, sikur të takonim një errësirë që ju bind…”
– Ej, nuk luhet me armën! bëj shenjë.
Dhe afroj dorën. Por ajo, e drejton revolverin në drejtimin tim.
– Përse jo? Ju, po, dhe femrat jo? Revolucioni i vërtetë fillon ditën kur armët do të jenë në duart e femrave.
– Dhe ku burrat do të jenë të çarmatosur? Kjo të duket e drejtë, shoku? Armët në duart e grave, përse fundi i fundit?
– Për të uzurpuar vendin tuaj. Ne sipër, dhe ju poshtë. Vetëm e vetëm që ju të provoni paksa atë që ndiejmë, kur je një grua. Hajde, lëvize bythën, kalo nga ana tjetër, ulu afër mikut tënd.
Arma është gjithmonë e drejtuar mbi mua.
– Irina ka vijueshmëri në idetë e saj, më paralajmëron Valeri. Ta kundërshtosh është e kotë.
– Dhe tashti? them duke vështruar Valerin, duke pritur që ky i fundit të ndërhyjë dhe ta thyej shakanë therëse.
Valeriani shikon Irinën, por është një shikim i humbur, si një llahtarë lemeritëse, një shikim nënshtrimi absolut, shikimi i një mashkulli që e pret kënaqësinë vetëm prej bindjes së tij apo vullnetit të një femre.
Hyri papritur një motoçiklist i Komandës Ushtarake, duke sjellë një krah me dosje. Në hapje e sipër, porta fsheh Irinën që zhduket. Valeri, sikur mos ishte asgjë, u hedh një sy gjërave…
“Më thuaj…, e pyes shokun tim, ndërkohë që ajo s’është këtu dhe mund të flasim lirshëm, beson se janë shakara që bëhen këto?”
– Irina nuk bën shaka, ma kthen tjetri pa i ngritur sytë nga letrat e dosjeve, do e shohësh.
Dhe ja, duke u nisur nga ky çast, koha ndryshon formën e saj, nata është zgjeruar, netët nuk përbëjnë gjë tjetër përveçse të qenit një natë e vetme dhe e stërzgjatur nëpër qytetin e përshkuar nga treshja jonë, dëshpërimisht e pandashme, një natë unikale që përfundon në dhomën e Irinës, nën rrjedhë skenash intime por gjithashtu zhveshjesh pisk e lakuriq dhe zbythjesh humbëse, për celebrimin e një kulti sekret dhe vet sakrifikues kurbani në të cilin Irina është gjithherë kryesore në të gjitha së bashku, hyjnorja, përdhosja, viktima. Tregimi merr drejtim të pandërprerë, hapësira që duhet të përshkojë është këtë herë e mbingarkuar, e dendur, nuk ka ngelur asnjë tmerr hapësire boshe mbi boshllëkun e hiçit, midis tapicerive me motive gjeometrike, jastëkëve, një atmosferë e lagësht nga trupat tanë të zhveshur, gjokset e Irinës që kërcenin ndëshkueshëm mbi kafazin e kraharorit të saj të dobët, aureola e tyre e zeshkët që do ishte mirë të ish aplikuar tek një gjoks më i çelur, pika e pidhit të saj të ngushtë në formë trekëndëshi me dy kënde e brinjë të drejta, drejtkëndësh me një llaf, (kjo fjala “drejtkëndësh”, për të qenë e lidhur logjikisht me pidhin e Irenës, është e ngarkuar për mua me një ndjeshmëri elektrike të tillë aq sa nuk mund ta prononcoj pa u dridhur). Duke u afruar në qendër të skenës, linjat kanë tendencën të përdridhen, bëhen dredha dredha si tymi i krahut që djeg aroma mediokre, mbetje të një droge armene në të cilën reputacioni uzurpon tymnaja opiumi që vlejnë të jenë të plaçkitura nga një turmë që pretendon të shpaguaj zakonet e mira; ato mbështillen njëra mbi tjetrën – linjat – si fije të padukshme që na lidhin të treve dhe që, në rast se ne luftojmë për tu zhbërë, ri shtrëngojnë përparësinë e nyejve tona dhe i faqosin mbi lëkurën tonë. Në qendër të kësaj ngatërrese, në qendër të dramës së bashkëfajësisë tonë sekrete, është sekreti që mbart brenda meje dhe që nuk mund ta shpalos askujt, Valerianit dhe Irinës më tepër se të gjithë të tjerëve, misioni sekret që më ishte besuar : të zbuloj spiunin e infiltruar në Komisionin Revolucionarë, atë që po përgatit të përmbysë qytetin në duart e Bardhistëve.
Në qendër të revolucioneve që, përgjatë këtij dimri me erë, fshinte rrugët e kryeqyteteve sikur shakullina e erës së veriut, po fillonte të lindte një revolucion sekret që transformon pushtetin e trupave dhe sekseve : Irina e besonte, dhe ajo ja kishte dalë mbanë për ta bërë të besueshme jo vetëm për Valerianin që, ishte i biri i një gjyqtari, i diplomuar në ekonomi politike, i disiplinuar nga guru të vërtetë indianë dhe teozofë zviceranë, ishte i para fatëzuar për tu adaptuar nga doktrina e parë e porsa ardhur, me kusht që ajo ta shpjerë në skajet e mendimit, por mua gjithashtu, që vija nga një shkollë shumë më tepër e ashpër, unë që e dija që e ardhmja luante me skadenca të menjëhershme midis Gjyqit Revolucionar dhe Gjykatës Ushtarake të Bardhistëve, unë që e dija se dy toga pushkatimi presin me armët e ngrehura : një në çdo kamp kundërshtar.
U përpoqa të shkisja duke rrëshqitur me lëvizje zvarritëse në qendër të spirales, aty ku linjat përdridhen si gjarpërinjtë, duke ndjekur ngërçin e gjymtyrëve të përthyeshme dhe nervoze të Irinës, nën një vallëzim të avashëm ku nuk është ritmi ai që ka rëndësi por mbështjellja dhe çmbështjellja dredha dredha e linjave. Atë që Irina ka ndër duart e saj, janë dy koka gjarpërinjsh që harbohen me hyrjen në virtyt të prirjes së tyre për të penetruar në një linjë të drejtë; ajo që në të kundërt pretendon në maksimum të forcës i përgjigjet një ëmbëlsie reptilësh të përthyer për t’ia mbërritur ngërçit të saj të pamundur.
Ndërsa ishte atje artikulli i parë i besimit të kultit që pat ngritur Irina ; ne filluam të hiqnim dorë nga gjithë ç’kishte marrë vend vertikaliteti, i linjave të drejta, dhe kjo pjesë e keq vendosur e sedrës mashkullore që na kishte ndjekur gjer tash megjithëse e kishim pranuar kushtin tonë të skllevërve të një femre që, mu në mesin tonë, midis nesh, nuk pranonte as xhelozi as supremaci të asnjë lloji. “Ule kokën”, thoshte Irina, dhe dora e saj shtrëngonte nyjën e fryrë të Valerit, gishtat e zhytur ndër leshrat e flokëve ngjyrë shtupë të ekonomistit të ri, pa e lënë të ngrihet më lartë se prehri i saj fytyrën e tij. “Ule edhe më tepër!” ; përgjatë kësaj kohe, ajo më vështronte me sy të akullt, dhe donte ta vështroja gjithashtu, dhe që vështrimet tona të zhvendoseshin më tej në udhën dredha dredha në vazhdim. E ndieja vështrimin e saj, vështrim që nuk më braktise asnjë çast, ndieja mbi vete në të njëjtin çast një tjetër vështrim, që më ndiqte çdo ditë, gjithandej, vështrimin e një fuqie të padukshme që nuk priste prej meje asgjë tjetër veç një gjëje të vetme : vdekjen – atë që duhej të mbartja për të tjerë a për vete, pak rëndësi ka.
Prisja çastin që gjalmi i vështrimit të Irinës të çlirohej paksa. Ja tek ajo i mbyll sytë; rrëshqasë në errësirë, pas jastëkëve divanet sirtarët, atje ku sipas zakonit të tij Valeriani ka lënë rrobat e tij të palosura me një rregull të pashoq, rrëshqasë në terrinë të qerpikëve të rënë t’Irinës, fus duart nëpër xhepa, nëpër shamitë e Valerianit, tinëzisht tretem nën hijen e qepallave të mbyllura të Irinkës, ndanë hijen e psherëtimës së zërit që del nga gryka e saj, gjej copën e letrës të përthyer më katërsh aty ku emri im ishte i shkruar me penë të hekurt, nën formulën e njohur, firmosur dhe kundra firmosur, me një dënim me vdekje për tradhti, me të gjitha vulat e rregullores.
Përktheu: Flurans Ilia