Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dje projektligjin “Për shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve. Kjo iniciativë, vjen si nevojë e përmbushjes së detyrimeve, nga një sërë aktesh ndërkombëtare, në të cilat Shqipëria është palë me: Konventën Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Konventa Kombëtare për Parandalimin e Torturës, dhe të Trajtimit ose Ndëshkimit çnjerëzor ose Degradues. Këto bashkëpunime, synojnë përmirësimin e kushteve të të Trajtimit për Personat e ndëshkuar, përmes rritjes së garancive ligjore, për parandalimin e shkeljeve të këtyre personave. Ndërkohë, gjatë mbledhjes së komisionit, i pranishëm ishte dhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili bëri një prezantim të projektligjit të tij. Duke vënë në dukje risitë që përmban ky projektligj, ai deklaroi: “Reformimi i sistemit të trajtimit të të dënuarve, është një prioritet kyç i Ministrisë së Drejtësisë, në drejtim të konsolidimit të shtetit, të së drejtës, dhe garantimit të të drejtave të njeriut. Qëllimi kryesor i projektligjit, të paraqitur nga ana jonë, është përmirësimi i kushteve të personave të dënuar me burgim, për të garantuar dhe respektuar liritë dhe të drejtat e tyre, në përputhje me aktet e Bashkimit Evropian, aktet ndërkombëtare në fuqi, si edhe standardet e pranuara botërisht, përmes futjes së nocionit të ri për Shqipërinë, pra të burgut me regjim të hapur”. Gjithashtu ministri Naço theksoi se përforcimi i sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë përmes një regjimi të posaçëm, do të mundësojë parandalimin e lidhjeve të mëtejshme në botën e krimit, për personat që vuajnë dënimin me burg të sigurisë së lartë. Sipas argumentimit të Naços, kjo do të ndihmojë në shkëputjen e tyre përfundimtare nga bota e krimit, duke nënkuptuar se ndryshimet e reja që propozohen, janë një përgjigje në luftën kundër kriminalitetit.