Përpos faktit se takimet mes Ramës dhe Metës janë shtuar me synim gjetjen e gjuhës së përbashkët për problematikat që kanë përcjellë mazhorancën këtë muaj, duket se dy partitë kryesore të koalicionit e kanë të vështirë ti “përtypin” përplasjet mes tyre. Debati i dy ditëve më parë në Komisionin e Ligjeve mes ministrit të drejtësisë Nasip Naço me deputetët socialistë Vasilika Hysi dhe Pandeli Majko nuk ishte rastësor, por vazhdimësi e një situate me konflikte mes aleatëve të koalicionit të majtë. Kështu ditën e djeshme po në këtë komision, kur u diskutua projektligji i qeverisë për ndryshime në Kodin penal që ashpërsojnë masat kundër biznesit, u vu re mungesa e deputetëve të LSI-së në mbledhje. As Petrit Vasili dhe as Silva Caka, dy deputetët e LSI-së në komisionin e Ligjeve, nuk morën pjesë në diskutimet e ashpërsimit të masave kundrejt biznesit në kuadër të luftës kundër korrupsionit.
Debati
Ndryshimet e qeverisë në Kodin Penal propozojnë heqjen e ndëshkimit me gjobë dhe zëvendësimin e tij me burg. Kjo masë u cilësua e tepërt nga ana e opozitës, e cila theksoi se PD nuk mund të japë votën për ashpërsime ekstreme të ligjit që çojnë biznesin në burg. “Në fakt, në shumë vende shkeljet doganore dhe tatimore janë kundërvajtje administrative. Pasi rrallë këto shkelje janë burim rreziku i shtuar për qytetarët, me përjashtim të ilaçeve dhe produkteve të naftës, për të cilat unë jam dakord. Për të gjithë të tjerat, ministri i Financave i tha sot biznesit se i pret vetëm burgu, dhe jo pak por 10 vite burg. Jemi kundër këtij agresiviteti dhe pro alternativës së butë ndaj qytetarëve dhe biznesit”, tha deputeti demokrat, Eduard Halimi. Por ndërsa ministri i Financave. Shkëlqim Cani tha se kjo masë vjen në saj të nivelit të lartë të informalitetit në vend, Majko u tregua më i drejtpërdrejtë ku tha se ndryshimet e ligjit në pjesën ku parashikojnë burgun prekin vetëm kontrabandistët. “Kontrabandisti nuk është qytetar, por një maskara që meriton vetëm burgun. Neni 174 ka të bëjë me kontrabandën me mallra të tjera, ku nuk përfshihet fare qytetari; neni 177, kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm, edhe këtu nuk shoh ndonjë qytetar. Edhe neni për kuponin tatimor do ta lexoj, por ai është një nen që, po e dëgjove relatoren, tha se vlen të ndëshkohet”, pohoi Majko. Ndërkohë deputeti demokrat Gent Strazimiri, ashpërsoi gjuhën e kritikave ndaj qeverisë duke ironizuar edhe me aksionin e saj kundër informalitetit. “Qimja e berberit është problemi, jo trafiku i drogës, jo makina e shitur, jo ministri debil që del dhe akuzon vetveten dhe si hyn gjemb në këmbë”, deklaroi ai. Në këtë pjesë nuk mungoi përgjigja e socialistëve përmes deputetit Ulsi Manja, i cili theksoi se,: “Berberi pa kasë fiskale vetëm me gërshërë fiton 30 mijë lekë në ditë neto, tregtari që shet artikuj konsumi dhe nuk i fiton 30 mijë lekë”. Ky reagim solli vazhdimin e ironisë nga ana e deputetit demokrat, i cili në replikë e sipër tha,: “I kanë bërë edhe llogarinë sa i bën qimja berberit në ditë, vullnet më të mbrapsht dhe më idiotesk politik skam parë”. Ndërkaq kundërshti ndaj projektligjit kishte dhe nga rradhët e mazhorancës, ku Nard Ndoka pohoi se,: “Shkojmë me disa nisma të pastudiuara, thjesht duke krijuar një klimë terrori në mënyrë artificial”.
Debati në Kuvend
Halimi- Ministri i Financave i tha sot biznesit se i pret vetëm burgu, dhe jo pak por 10 vite burg.
Majko- Kontrabandisti nuk është qytetar, por një maskara që meriton vetëm burgun. Këta janë ca horra që vendin e kanë vetëm në burg se po i vure gjobën shkojnë e paguajnë gjykatësin nën dorë.
Strazimiri- Kush është armiku në këtë vend? Kontrabandisti, që nuk është qytetar, apo është trafikanti i prostitutave, trafikanti i drogës apo vrasësi, të cilët nuk mundemi t’i ndalojmë të futen në Parlament, sepse janë qytetarë
Ndoka- Shkojmë me disa nisma të pastudiuara, thjesht duke krijuar një klimë terrori në mënyrë artificial
Strazimiri: Qimja e berberit është problemi, jo trafiku i drogës, jo makina e shitur, jo ministri debil që del dhe akuzon vetëveten dhe si hyn gjemb në këmbë.
Manja: Berberi pa kasë fiskale vetëm me gërshërë fiton 30 mijë lekë në ditë neto, tregtari që shet artikuj konsumi dhe nuk i fiton 30 mijë lekë.
Strazimiri: I kanë bërë edhe llogarinë sa i bën qimja berberit në ditë, vullnet më të mbrapsht dhe më idiotesk politik