Kanë nisur punimet për Pazarin e Ri në Tiranë, i cili sipas kryetarit të Bashkisë, do të shndërrohej në një pedonale. Plani i hartuar pikërisht për këtë projekt, ka filluar të vihet në zbatim dje, duke filluar punimet e para. Për kryetarin Veliaj, ky projekt do të përmbajë krijimin e një zone pedonale, nënkalim, si edhe parking për makinat. “Ky pazar dhe ky investim do të bëhet shtysë e mëtejshme e zhvillimit të Tiranës. Kjo do të jetë zona e biznesit më e madhe që Bashkia ka ndërtuar deri më tani. Menaxhimi i përbashkët i Pazarit të Ri të kthyer në një model biznesi, do të jetë më i miri që kemi pasur në përvojën e këtij bashkëpunimi në Tiranë”, – deklaroi Veliaj. Gjithashtu në këtë aktivitet, i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i Fondit Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff, i cili theksoi rëndësinë e zhvillimit të këtij projekti. Por nga ana tjetër, përpara deklaratave të kryetarit të Bashkisë, kthimi i Pazarit të Ri në një pedonale, ngjalli pakënaqësira të mëdha tek tregtarët. Ata ishin kundër kësaj nismë të Bashkisë, pasi më prishjen e tij, tregtarët do të ngelnin pa punë për disa muaj rresht.