Shqiponjat fluturojnë për në Francë / Kur bën ekip, hyn në histori  

0
244

 

kombetarja shqipKuqezinjtë kanë dominuar sfidën, duke fituar 0-3 në ndeshjen ndaj Armenisë dhe arritën të merrnin trepikëshin e nevojshëm për në Francë 2016

 

Jurges Veizaj

 

Bac u kry! Kuqezinjtë ia dolën mbanë, duke na dërguar në Francë, për një arritje që nuk është thjesht historike, por ndryshon njëherazi të gjithë historinë e futbollit shqiptar. Në Armeni, kombëtarja fitoi 3-0 ndeshjen më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve, duke kurorëzuar 13 muaj shpresa, dëshira e ëndrra dhe tani edhe Etrit Berisha (te himni me sy mbyllur) bashkë me të gjithë ne mund t’i hapim sytë, pasi Shqipëria është në Francë. Evropiani nga tani e mbrapa është realitet. Ndeshjen më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve De Biasi provoi ta sulmonte që në formacion, duke hedhur që nga minuta e parë në fushë Roshin, Gashin dhe Cikalleshin. Që ishte një sfidë e veçantë u kuptua që në pasionin me të cilin kuqezinjtë tanë kënduan himnin, duke e bërë më të afërt edhe nga Armenia e largët. Rëndësia e sfidës megjithatë i bllokoi këmbët e kuqezinjve e për fat dhe ato të armenëve, që në minutën e 7-të humbën një mundësi të pastër për të kaluar përpara me Gazharyan. Vendasit patën rastin e parë, ndërsa shqiptarët golin, pasi në të 9-tën, Hoynasian në përpjekje për të ndaluar Gashin e dërgoi topin në rrjetën e tij, për autogolin më të bukur në botë. Stoli kuqezi u përfshi i tëri nga një përqafim i madh, megjithatë për festën kishte ende kohë. Gjimshiti mund të kishte shënuar në të 18-tën, por goditjen nuk e kishte të saktë. Gjithsesi, Berati mori masat e portës dhe pesë minuta më pas, zgjodhi finalizimin me takë, për të çuar në rrjetë “ëndrrën” kuqezi. Armenia nuk u dorëzua dhe mori qarkullimin e topit, edhe pse rastet i krijoi vetëm në fundin e fraksionit kur në minutat e 43-të dhe 44-t, për pak sa nuk rihapi ndeshjen. Në pushim, Shqipëria ishte tashmë në Evropian, por për ta zyrtarizuar kishte nevojë edhe për 45 minuta të tjera. Ankthin e shqiptarëve mund ta largonte Basha, por Migjeni nuk e shndërroi dot në poezi topin që i erdhi në këmbë, duke e flakur jashtë. Në të 47-ën provoi edhe Gashi, por goditja e tij ishte shumë qendrore. Nga ky moment lojën e kishin armenët, me Pizellin që në të 57-ën depërtoi mirë drejt zonës sonë. Gjithsesi, golit iu afrua më shumë Shqipëria. Në të 66-ën, Kasparov devijoi në momentin e fundit harkimin e Roshit, ndërsa një minutë më pas Hysaj mori me forcë një top në afërsi të zonës armene, duke shërbyer për Sadikun që nuk e pati të saktë shënjestrën. Pizelli ishte më i rrezikshmi për të tijtë, por në të 71-ën gjeti sërish gati Berishën. 4 minuta më pas ishte Mrkatchyan që i futi të dridhurat Shqipërisë. Për t’i larguar përfundimisht ato, mendoi Armando Sadiku, që në të 76-ën na bëri të besojmë më në fund se jemi në Francë. Minutat e mbetura fluturuan pak a shumë si një udhëtim drejt Francës, ku këtë vit do të ketë edhe një kombëtare me plis për Paris.

 

Box

Gianni De Biasi: Këtë fitore ua dedikojmë gjithë shqiptarëve

 

Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, ka thënë se është shumë i lumtur për kualifikimin, por refuzoi të premtonte ndonjë sukses të veçantë në Francë, pasi ende është herët. “Jam shumë i lumtur, nuk e përshkruaj dot, por dua t’ua kujtoj të gjithëve se që në ndeshjen e parë e kemi menduar këtë pikë. Disa në besuan dhe disa jo, por kjo tani nuk ka rëndësi. Asgjë nuk ishte e lehtë, pasi erdhëm nga një humbje e vështirë. Para ndeshjes i qetësova djemtë, pasi do të ishte e patolerueshme të humbnim në ndeshjen e fundit”, – ka shtuar De Biasi duke refuzuar t’ia përmendë emrin Serbisë. “Ishte një ndeshje e vështirë, kurse tani duhet të shikojmë në të ardhmen dhe të përmirësohemi. Ky është një shembull për të gjithë, pasi treguam se si një shtet i vogël mund të arrijë gjithçka me punë. Këtë fitore ua dedikoj të gjithë shqiptarëve që na kanë ndjekur me dashuri dhe zemër dhe familjes time”, – ka thënë për fund trajneri i kombëtares.

 

Duka: Më në fund ia dolëm

 

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, foli pas kualifikimit historik të Shqipërisë në Evropianin “Francë 2016”. Duka tha se futbollistët e kombëtares shqiptare janë heronj dhe ata meritojnë të trajtohen ashtu. “Kemi skuadër me zemër dhe ia dolëm, pak na besuan ne, por ne ia dolëm. Djersa shpërblehet, gjithçka shkoi në vendin e vet”, – theksoi Duka. Më tej, drejtuesi më i lartë i Federatës Shqiptare të Futbollit tha se edhe pse tre muajt e fundit kombëtarja vuajti shumë, por tashmë mori shpërblimin e merituar. “Më në fund ia dolëm. Shpresoj të kemi vazhdimësi, pasi mendoj se meritojmë të shkojmë edhe më tej. Dëshiroj që sot t’i bëj të gjithë të gëzuar, edhe ata që nuk besuan te kualifikimi”, – përfundoi Duka.

 

Cana: Grupi i djemve, fantastik, në Francë për të kaluar grupin

 

Kapiteni legjendar i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka folur pas arritjes historike të Shqipërisë, duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian “Francë 2016”. “Kam pasur pak shpresa se një ditë do ta arrijmë këtë sukses, por ky brez ka ardhur me një dëshirë për t’i bërë krenarë të gjithë. Jam shumë i lumtur, pasi me këta djem kam përjetuar çdo humbje, çdo fitore, çdo dhunë, çdo zhgënjim, çdo sharje dhe me të vërtetë jam krenar me të gjithë këta shokë skuadre. Ky grup ka pasur diçka të veçantë. Është brezi i parë që ka pasur të grumbulluar lojtarët nga të gjitha trojet shqiptare. Ky grup e ka pasur synimin të kualifikohet dhe ia arritëm, humbjen nga Serbia dhe Portugalia i kemi harruar. Serbia do të pijë birra dhe do të na shohin nga televizioni”, – deklaroi Cana. “Nuk do të shkojmë në Francë për shëtitje, do shkojmë për ta kaluar grupin”, – tha Cana.

 

Berisha: Shihemi në Francë

 

Portieri i kombëtares, Etrit Berisha, i cili ishte një ndër më meritorët për suksesin e Shqipërisë, u shpreh shumë i lumtur për kualifikimin në Francë. Gardiani shqiptar edhe një herë ka kërkuar falje për humbjen kundër Serbisë, por tani kjo i përket të kaluarës dhe duhet t’i shijojmë sukseset e së ardhmes. “Ishte një ndeshje e madhe, ende nuk mund ta besoj se e kemi arritur Francën. Gjithmonë kemi besuar te kualifikimi, por gjatë udhës kishim pak vështirësi. Dy ndeshjet e fundit ishin shumë të vështira, por ne arritëm të ktheheshim. Një betejë e kemi humbur, por e fituam luftën dhe kjo ka rëndësi. Me këtë rast dua t’i përshëndes të gjithë, posaçërisht tifozët kuqezi, pasi ata ishin gjithmonë pas nesh. Edhe një herë kërkoj falje për humbjen kundër Serbisë, por tani kjo i përket të kaluarës. Shihemi në Francë”, – ka thënë Berisha në fund të ndeshjes.

 

Abrashi: Ia arritëm qëllimit

 

Njëri nga mesfushorët më të mirë të kombëtares shqiptare pa dyshim që është edhe Amir Abrashi. Mesfushori gjakovar ka postuar një foto në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, duke falënderuar tifozët për suksesin e arritur. “Ëndrra u bë realitet, ia arritëm qëllimit, faleminderit tifozë! Fluturojmë drejt Francës”, – shkroi Abrashi.

 

Kaçe: E mbajtëm premtimin

 

Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë, Ergys Kaçe, ka thënë se futbollistët e kombëtares kanë mbajtur premtimin e dhënë, duke arritur kështu kualifikimin për Euro 2016. Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë, Ergys Kaçe, ka thënë se futbollistët e kombëtares kanë mbajtur premtimin e dhënë, duke arritur kështu kualifikimin për Euro 2016. “Ju premtuam!!! Shqipëria në Francë”, – ka shkruar Kaçe në Facebook, duke shprehur gazimin e madh pas fitores.

 

UEFA uron Shqipërinë për kualifikimin

 

Faqja zyrtare e “Euro 2016” në Tëitter ia ka uruar Shqipërisë kualifikimin në këtë garë. “Shihemi në Francë, Shqipëri! Urime!”, – shkruan në postim. Me triumfin kundër Armenisë, kuqezinjtë zunë vendin e dytë në grupin I dhe në këtë mënyrë u kualifikuan drejtpërdrejt në Francë 2016. Njëherësh përmendin se edhe mediat më të mëdha botërore kanë shkruar për arritjen historike të kombëtares shqiptare.

 

2mln euro për kombëtaren nga FSHF

 

U zbulua dhe premioja për kombëtaren shqiptare të futbollit në rast se kuqezinjtë kualifikoheshin në Euro 2016. Prej ditësh përflitej për një shpërblim të FSHF-së për kombëtaren dhe vetëm dje u zyrtarizua edhe shuma. Plot 2 mln euro do të përfitojnë kuqezinjtë me rastin e kalimit direkt për në Francë 2016.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here