Nga dr. Ndriçim Mehmeti
Një ditë që pa gdhirë kërmilli i thotë lepurit: “A bëjmë një garë o këmbëlehtë, se kush e ngjit malin më shpejt? Ik e më lër rehat që në mëngjes o kërmill, se nuk ta kam ngenë”. Pas këmbënguljes së kërmillit dhe një basti të majmë, lepuri mendoi: “Po unë ç’humbas. Ta provoj njëherë me këtë trutharë”. I mençuri lepur e mori me ritëm garën, ndonëse ishte i bindur se asnjëherë kërmilli nuk do të arrinte. “Kur të arrij, – mendonte lepuri, – do të ulem në një hije e do të kundroj me ëndje kërmillin që do të zvarritet mes jargëve dhe djersës për të më arritur”. E ndërsa po i afrohej majës së malit, lepuri i çuditur pa trutharin kërmill, që për shtatë palë qejfe rrinte në majë të gurit dhe e priste. “Si mund të mbërrish, i tha lepuri, duke dihatur ca nga lodhja, ca nga nervat e ca nga habia”. “Shumë thjesht ia priti kërmilli, duke u lëpirë pas kurrizit të kafshëve më të shpejta. Vetëm me ndershmëri nuk mund të bësh hajër o lepur. Prandaj që këndej e tutje, unë kërmilli, profesori i lëpirjes, që s’më hyn në punë ndonjë gradë a titull, do të jem shefi yt, që jeton duke djersitur. Kështu do të marrësh vesh sesi vjen njeriu e ngjitet jo duke vrapuar e duke u stërmunduar, por duke u lëpirë e ngjitur. Ti kujtoj se të ecësh, gërmosh, pastrosh tokën nga barërat, të presësh të kullotësh i lirë, a të shijosh atë pak ushqim, që të jep natyra, je më i vlefshëm? Jo o miku im. Nuk ke mësuar asgjë nga kjo jetë. Duhet të mos mendosh shumë gjatë e të bëhesh si unë: I pa ditur, pa kapur asnjë punë me dorë, por i mençur për t’u lëpirë pas të parit që i ka me shumicë pushtetin dhe lekët. Ti kujton se po mësove, u solle mirë, ule kokën dhe punove, do të të thonë së paku faleminderit? Jo. Do të japin një shkelm bythëve dhe do të thonë ik pirdhu. Raca e atyre që nuk punon, e vegjeton, që përsërisin me zell fjalët e shefit, u përkulen sa herë që kalon, i hapin çadrën në diell e në shi, dëshirojnë të vrapojnë t’i hapin derën, rrinë e flasin si ai, madje edhe në banjë shkojnë në të njëjtin orar, është raca më e ndritur në botën ku jetojmë unë e ti. Nuk ka rëndësi, se kush është mbreti i pyllit, luani, çakalli, ujku apo tigri. E rëndësishme është të jesh në vëmendjen e shefit të radhës. E po qe se shefit i shkau këmba, t’i shtyje edhe pak më tutje, e i thuaj: Vafsh në esfel, se desh na more në qafë. Të rrojë mbreti i radhës, se unë rehat jam. Nga këta ka shumë. Ndërsa kohët e fundit unë kam mësuar një tjetër zanat: Sa herë që më thërrasin të dal në mexhilis, të flas, të qesh, të ofendoj sa të mundem atë që më porosit shefi. Shefi burrë ose grua, sipas rastit e di mirë aftësinë time. Në debate s’më del kush përpara. Jo se kam më shumë mend se të tjerët, porse ndjek taktikën merru me atë që flet dhe jo për atë që të kërkohet. E mbaj veten si psikolog, madje kohët e fundit kam marrë edhe gradë në këtë fushë. Do thuash se cili është studimi që bëre? E ç’rëndësi ka kjo. Jam psikolog, sociolog, pedagog, demagog, e për të gjitha nuk ma kalon kush. Madje sipas sondazhit të bërë me ndihmën e ndërkombëtarëve me origjinë shqiptare, në një mendje me mua ka rënë edhe gomari. Nuk ja dilet me punë më tha një ditë- kumbari. I dashur profesor-psikolog-veshgjati- pse të mos bëjë dhe unë si ty? Të bëjë nja dy rrugë xhaba për pronarin e pastaj të filloj të merrem me filozofi. T’i them tim zoti kur të dali për në pazar se më të bukur, të mençur e të ditur si ai nuk ka. Kostumi që vesh ai kombinon aq bukur, sa do ta kishte zili edhe i madhi Armani. Gjigant, i përbotshëm, i njohur nga Anglia në Bengal, nga Kejp-Tauni në Taxhikistan, askush nuk është më i mirë se tim zot. Madje bleva edhe vetë një palë këpucë të modës- më tha i ngrati gomar- e një kapistall të rri, siç i ka hije derës së shefit tim. Sa marr vesh që ai do të dali, fap, unë i paraprij duke pëllitur: “dëgjoni o milet, imzot do të shëtiti në nahijen tuaj. Dilni nga një për derë, me ç’të keni: Kek, muhalebi, byrek, raki të fortë vendi e verë të shtrenjtë prej importi. Mos harroni ndonjë lek të hollë, euro, paund a dollarë. Të gjitha bëjnë punë, mjafton që shefi, të mos kthehet në shtëpi duar bosh. Ju flas unë gomari filozof, shërbyes i përvuajtur i shefit tim gjigant e më i mençmi ndër të gjithë ju që më keni sharë. E kështu-vazhdoi kërmilli i frymëzuar-duket se i ke punët pisk o lepur. Edhe kafshët e tjera do të mësojnë më shumë nga unë. Mos u habit siç të munda ty kështu do e pësojnë të gjithë. Sa do të shkojë kjo gënjeshtar ime thua? Sa të dua. E kush më pengon t’i apo ndonjë i mençur si puna jote. E çfarë di ti më shumë nga jeta? Të ulësh kokën e të hash atë që gjen në tokë? Jo miku im. Puna është të bindësh shefin se ai ka gjithmonë të drejtë. Të sulmosh me egërsi armiqtë e tij të shpallur e të pashpallur. Të thuash se tani që erdha unë erdha në krye të mbretërisë së pyllit, ditët e bardha do të vijnë, edhe pse kurrë dielli nuk do të shndrijë. Bëhesh merak se do të më kuptojnë që kam gënjyer? Kush? Ndonjë më i mençur se ty delfin, dele, qen apo kuaj? E kush i pyet të mençurit në botën në tonë? Po të ishte kështu, unë do të isha si shokët e mi duke u tiganisur në ndonjë restorant luksoz, por ja ku jam duke shijuar fitoren time të padiskutueshme, mbi ty këmbëshpejtin e mbretërisë sonë. Eh mor i mjerë, të gënjeu mendja se me shpejtësinë tënde dhe atë që ke lexuar do ta kishe të lehtë. Do të vuash ca, s’ke ç’i bën. Në fund të fundit koka ta bëri. Unë të thashë që do të fitoja, por t’i s’ma vure veshin. Tani humbe edhe atë pak liri që kishe, para se të më sfidoje mua. Të thashë që ri urtë, e unë do të lejoja të rrije në një cep livadhi. Së paku njëherë në tre ditë do të gjeje pak ushqim. Tani prit të marrësh nga mua, kur të më teket ndonjë rrënjë karote a ndonjë lëvozhgë sallate që do të mbetet nga pjata tona të majme. E more ditëzi kështu kur u mundove të më tregoje se shkenca nuk mund të gabonte, e të nxirrte mua të parin në vend të më të shpejtit që ne kemi. Tani rri e mos pipëti. Edhe po të thirra ndonjëherë në mexhlis, të bësh ndonjë interviste e të dalësh në televizion, sakën se më prek. Koha jote mori fund. Koha ime sa ka filluar. Nuk e di sa do të zgjas, ama ti je fajtori i gjëmës që kemi. Ti punove, u mundove, nuk u lavdërove, tani meriton të të them gjithmonë: E keqja më erdhi nga koha jote e jo nga mua që jam duke u lëpirë, deri këtu lart. Mëso dhe mos harro kurrë. Me të lëpirë ngjitesh shumë lart. Rroftë shefi dhe shefja. Zoti i bekoftë kollaren dhe kostumin shefit, fustanin e këpucët shefes”.