Pritja në Kryeministri / Rama premton “Arenën Kombëtare”: Në hyrje pllakë të artë me të gjithë emrat e futbollistëve

0
149

 

ceremonia.... kombetarja festaKryeministri mban fjalim 30-minutësh para futbollistëve të kombëtares dhe stafit, kritika edhe për tifozët

 

Gëzim Saliu

 

Pas mbërritjes në Shqipëri, ekipi kombëtar u prit dje me një ceremoni zyrtare para selisë së Kryeministrisë, ku nuk mungoi as këndimi i himnit kombëtar nën dirigjimin e orkestrës simfonike. Kreu i qeverisë, Rama, kapiteni i kombëtares, Cana, dhe trajneri i kombëtares, Gianni De Biasi, prinë ceremoninë dhe më pas së bashku me pjesën tjetër të ekipit dhe stafit teknik iu drejtuan selisë së brendshme të ekzekutivit, ku u zhvillua takimi i organizuar. Në fjalimin e tij para djemve të kombëtares, i cili zgjati thuajse 30 minuta, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje për rezultatin e arritur nga ekipi. Më tej ai premtoi ndërtimin e stadiumit të ri të kombëtares, “Arenën Kombëtare” të Tiranës, për të cilën tha se kanë nisur punimet, pas një rakordimi të përbashkët me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. “Ju them se kemi vendosur së bashku me kreun e FSHF-së ndërtimin e stadiumit të Tiranës, “Arenën Kombëtare”, në hyrje të së cilës do të shkruhen në një pllakë të artë të gjithë emrat tuaj një për një. E bëmë këtë, se juve ju duhej një shtëpi më e madhe këtë vit dhe tani që ju e bëtë kombëtaren, sipërmarrjen më të madhe në vend, “Arena Kombëtare” është imponim për ne”, – tha Rama.

 

Pritja

Në fjalimin e mbajtur në pritjen e organizuar për ekipin kombëtar, Kryeministri Rama nuk ngurroi të kritikonte ata tifozë shqiptarë që, sipas tij, u treguan të padrejtë me sjelljen e tyre pas ndeshjes me Serbinë. Nisur edhe nga kritikat e shumta të ardhura nga tifozët si për masat e ndërmarra për ndeshjen ashtu edhe për arrestimin e Ballist Morinës, kreu i qeverisë përdori këtë ceremoni për t’iu përgjigjur të gjithëve. “Rikthimi i papritur i mallkimit të dy minutave të fundit në ndeshjen me Serbinë, që për pak fashiti ëndrrën e jashtëzakonshme, bëri që të mos ishin të paktë ata që u sollën keq me ju dhe harruan se çfarë kishit bërë për të arritur deri aty. Harruan fare që grupi ynë ishte një ferr dhe ku më as optimistët nuk do të vinin bast për vendin e tretë dhe jo më për kualifikimin. Ngatërruan lojën me luftën, topin me armën, dashurinë për ngjyrën e kombëtares dhe iu lëshuan me fjalë të padenja juve dhe trajnerit tuaj fantastik, nuk po llogaris këtu akuzat ndaj meje, se balta e kahershme është pjesë. Ata nuk e dinin peshën e rëndë të përgjegjësisë që ajo fanellë ju sjell, por për mua që e kam pasur atë privilegj në rininë time, në ndeshje ku e ku më të parëndësishme se tuajat dhe pa asnjë presion mbi shpinë, e besoj se vetëm ju e dini që çfarë barre të rëndë keni mbajtur përsipër. Sot nuk do të mungojë as ajo shprehja se “populli s’ka bukë dhe ju merreni me sporte”, se “Shqipëria po përmbytet e Kryeministri e ka mendjen tek futbolli”. Miku im Salihi tha para se të iknit se “mezi pres të fitoj t’u mbyll gojën”. Prite kur të fillojnë prapë në qershor dhe të thonë se kush e ka fajin që nuk fituat në Evropian”, – deklaroi kreu i qeverisë. Ndërkaq, duke shprehur vlerësime për arritjet e ekipit, Kryeministri theksoi se historia që shkruan djemtë kuqezinj shkon përtej kombëtares së futbollit. “Shumë përzemërsisht ju falënderoj me gjithë zemër dhe ju shpreh mirënjohjen më të thellë për fitoren historike. Sikur ju t’ju dorëzoheshit varfërisë së aspiratave, do të ishit në vendin e katërt. Sikur ju të ishit dorëzuar para frymës negative dhe ngjarjeve të dhimbshme, historia e këtyre eliminatorëve do të ishte ndryshe. Ky është mësimi më i madh për vendin tonë, për dy shtetet tona, Shqipërinë dhe Kosovën. Më lejoni t’ju jem thellësisht mirënjohës për forcën e këtij shembulli”, – u shpreh Rama. Po ashtu Kryeministri bëri të ditur se ceremoninë për ekipin kombëtar e kishte përgatitur pavarësisht rezultatit që do merrej në Armeni. “Sot rrugët janë plot dhe përsëri do të ishim këtu po të kishim humbur dje. Edhe sikur të mos ia kishit dalë në këtë arritje të paprecedent, kjo kombëtare do të ishte në majën më të lartë të historisë së futbollit shqiptar, sepse si kurrë më parë ju e bëtë Shqipërinë dhe shqiptarët të preknin ëndrrën e daljes në Evropian. Ju fituat, barazuat e humbët, u ngjitët, u rrëzuat dhe u ringjitët, duke shkruar një faqe të lavdishme në histori”.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here