Rektori i Universitetit të Tiranës, Kule: Plani i qeverisë, korpusi universitar
Vojsava Sota
Fillimi i vitit të ri akademik solli dje uljen në auditorët e fakulteteve të 170 mijë studentëve. Studentët do të jenë pjesë kyçe e zbatimit të ligjit të ri të arsimit të lartë. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, tha se qeveria ka futur në planin e saj të investimeve korpusin universitar, i cili pritet të përfundojë pas dy apo tri vitesh. “Qeveria shqiptare ka futur në prioritetet e saj kampusin e mirëpritur dhe të dëshiruar të Universitetit të Tiranës, që do të jetë këtu afër. Procedurat janë futur në prioritetet e investimeve. Ne ato që kemi kursyer do t’i vëmë në dispozicion të këtij kampusi që ju që keni filluar sivjet universitetin e Tiranës, të paktën në vitin e tretë të gëzoni shërbimin e një kampusi të ri të Universitetit të Tiranës që është nga më modernët në Evropë”, – deklaroi rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.
Ligji i ri
Ndërkohë, në lidhje me ligjin e ri të këtij viti akademik, ministrja e Arsimit, Nikolla, tha se stafet akademike do të kenë një rol kyç në zbatimin e ligjit të arsimit të lartë, i cili u jep më shumë autonomi dhe më shumë përgjegjësi universiteteve. “Autonomia e re universitare, administron nga pikëpamja financiare më mirë universitetin nëpërmjet figurës së administratorit që e gjen në shumë borde të eksperiencave ndërkombëtare. Ndaj jeni ju pedagogë që keni mundësinë të zgjidhni mbi numrin dhe kuotat e studentëve, të përcaktoni kriteret e pranimit, tarifat për studimet dhe të jeni ju ata që vendosni me gjithë karrierën akademike. Ftesa jonë është për të mbështetur jo vetëm kampusin, por profesorët në punën e tyre pasionante, studentët etj.”, – u shpreh ministrja e arsimit. Ligji i ri i qeverisë për arsimin ka hasur kundërshtinë e fortë të studentëve dhe një pjese të pedagogëve, të cilët shprehen kundër favorizimit që ai i bën privatit. Po ashtu ata kanë shprehur një sërë kritikash për disa nga nenet e tjera të ligjit, duke theksuar se ai duhet riformuluar. Për kundërshtimin e këtij ligji nuk kanë munguar protestat e studentëve si para godinës së Kryesisë së Kuvendit, Parlamentit apo edhe para Kryeministrisë, duke u kërkuar deputetëve dhe përfaqësuesve te qeverisë që mos e votonin atë. Por pavarësisht këtyre kundërshtive mazhoranca e votoi ligjin, madje rrëzoi edhe dekretin e Presidentit, i cili kërkonte rishikimin e ligjit, pasi, sipas tij, binte ndesh me Kushtetutën.