Dante për të verbrit “Komedia hyjnore” shqip edhe në Brail

0
252

 

 

LibraVioleta Murati

Një rrugë e gjatë nga marrëdhënia e parë e përkthimit të “Komedisë hyjnore” të Dante Alighierit në shqip. Prej sprovës në arbërisht të Luigji Lorekios kanë kaluar 120 vjet dhe në kulturën shqiptare kryevepra poetike e Dantes njeh katër variante të përkthimit.

Ky bilanc edicionesh dje, krah festimeve në 750-vjetorit të lindjes së Dantes, njeh për herë të parë “Komedinë hyjnore” në shqip edhe në alfabetin Brail (alphabet i të verbërve) promovuar në mjediset e Bibliotekës Kombëtare. Një ekspoze ku ishin hedhur përballë studiuesve të sotëm si sfidë guximi, por njëkohësisht duke lajmëruar dhe procesin e botimit të Kantikut të Ferrit nga përkthyesi shkodran Meritan Spahija, që i referohet traditës së hershme në shqip, gegërishtes. Kuratori i ekspozitës, Lisandri Kola, ka treguar këtë kontribut të Bibliotekës, si janë pasqyruar në kronologji përkthimet prej 1896 nga Luigji L’Orechio, me fragmentin nga “Ferri” të Jeronin de Radës, ku jo vetëm rendi kronologjik, por edhe recitimi kritik që nga fillimet e shek. XX me revistën “Leka”, “Drita” etj., duke mbetur një nyje e hapur në mbërritjen e rendit me botimin e Pashko Gjeçit, njohur si një përkthim integral, apo fragmente të përkthyesit Nikollë Daka. Më pas ka njohur botimet shkollore dhe universitare realizuar nga Mark Ndoja, së cilës i është referuar edhe edicioni i parë i “Komedisë hyjnore” në alfabetin Brail. Përkthimi origjinal i Ndojës ishte e ekspozuar aty, si kontribut i familjes, përkthyesit Leka Ndoja i cili ka vënë në dispozicion bocetin dorëshkrimor edhe për këtë rast, siç na thotë “duke e sjellë nga shtëpia në Bibliotekë”.

“Prandaj nuk habisin emrat e poetëve tanë që lidhën përvojën e penës së tyre me të, që nga De Rada e Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi e Martin Camaj, Ernest Koliqi e Arshi Pipa, deri te Kadare e At Zef Pllumi për të shkëlqyer Dante i papërsëritshëm, në përkthimin e Pashko Gjeçit, në elegancën postume të Mark Ndojës, në fragmente eruditë të Nikollë Dakës”. Janë përkthyes poetë, të cilët, Ferrin simbolik të Dantes, jo vetëm e përjetësuan në gjuhën shqipe, por edhe e jetuan çnjerëzisht burgjeve dhe kampeve të internimit komunist.

“Në këtë rrugëtim “Komedia hyjnore” shqiptohej si një alegori, thelbi intelektual estetik i lirisë. Dantja shndërrohej në “i pashmangshëm””.

Persida Asllani, drejtore e Bibliotekës Kombëtare, ndalet në Danten e ditës, për botimin e të verbërve si një rast unik, pasi impresionohej nga studentë me aftësi të kufizuara që me shumë vështirësi, por me përkushtim ja dilnin. Njëra prej tyre, e njohur për talentet e saj në televizione, por e njohur vetëm dje nga ky mjedis si doktorante e kulturës antropologjike, Blerina Shalari, ka recituar në “errësirë” disa vargje të Dantes, duke prekur librin e ri të “Komedisë kyjnore” në Brail. Ndërsa i ftuar me ligjëratën e tij, ishte dantologu italian prof. Rimo Caputo. Ndonëse i kushtohej si ditë Dantes e në simbolikë konstituimit të gjuhës zyrtare italiane, në Bibliotekën Kombëtare zyrtarisht vazhdon të mos përkthehet asnjë fjalë në shqip. Qoftë në ceremoninë e paraqitjes së ekspozitës, ashtu dhe me ligjëratën e profesorit italian. Na justifikohen për të parën herë se kur festohet kjo “gjuhë” s’ka përkthim, por edhe në inferioritetin e shfaqur shpesh e më shpesh, se tashmë italishtja njihet masivisht. Sa e sa herë e kemi thënë, pse na duhen përkthyesit nga kjo gjuhë, pse të paktën dje pankarta që lajmëronte këtë veprimtari përmbante dy gjuhët?! Përgjigjet gjithmonë kanë doza naiviteti dhe mungesë totale përgjegjshmërie: shpërfillet reciprociteti zyrtar, midis dy gjuhëve kur në vesh të ambasadorit apo përfaqësuesve italiane përkthyesit vepronin me shpejtësi! Nuk mund të konsiderohet Biblioteka Kombëtare as zyrë e Institutit Italian, si model kontributi për gjuhën e kulturën italiane, as auditorë të fakultetit linguistik.

Megjithatë, dje, dantologu italian shpjegoi njësoj për studiues, studentë e pedagogë pse Dante Alighieri i tyre u flet edhe ditëve të sotme, pse mbetet i freskët, i paezauruar për shqiptarët dhe pjesën tjetër të botës. Dante më i lehtë për t’u lexuar, në një kohë që qendra e “Komedisë hyjnore” guxon, mban energji, është agresive për të ndërtuar dhe jo për të shkatërruar. Në qendër të Dantes a është paqja?! Dantologu nuk ka më asnjë dilemë nga rileximet e tij, për t’i treguar kësaj ane, përtej Adriatikut, si botë pacifiste, si ndërtues i paqes.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here