Debatet në PD për përgjegjësitë e humbjes në zgjedhjet e fundit vendore krahas përplasjeve mes ish-ministrave, aktualisht deputetë dhe krerëve të degëve kanë sjellë qëndrime të ndryshme edhe mes këtyre të fundit. Drejtues lokalë mbetën të ndarë në marrjen e këtyre përgjegjësive, pasi e kanë të vështirë të bashkohen të gjithë me idenë kush humbi duhet te largohet. Fituesit e përkrahin këtë tezë, ndërsa humbësit jo. Kështu, dega e Partisë Demokratike Shkodër ka nisur analizën për të gjitha njësitë e saj dhe kryetari, Ramiz Çobaj, i cili anon në anën e fitores, flet për një largim të humbësve. “Aty ku nuk kemi pasur arsye për të humbur, por për mungesë të drejtimit dhe organizimit sigurisht që do ti themi tani ju zotërinj duhet të hapni krahun dhe duhet të vijë një që të çojë punën më përpara”, – tha ai. Ndërkaq, kreu i degës së demokratëve në Librazhd kundërshton raportin me shifrat e rezultateve zgjedhore të publikuara në kryesi. “Absolutisht çdonjëri prej nesh duhet të mbajë përgjegjësitë e veta dhe këto përgjegjësi do të evidentohen jo në konceptin e “prerjes së kokave”, por në konceptin e përmirësimit të punës, rrënjësisht aty ku është problemi. Sepse ne duhet të kapim problemin që të shërojmë plagën”, – u shpreh Bujar Vreto.