Vaji i peshkut mund ta ndalë ndikimin negativ të ushqimit të shpejtë në tru, theksojnë shkencëtarët.
Pas më shumë se një dekadë hulumtimesh, është zbuluar që ushqimi me përqindje të lartë të yndyrave mund të ndikojë në tru dhe ta çrregullojë neurogjenezën, procesin i cili krijon qelizat e reja nervore, transmeton Koha.net.
Shkencëtarët nga Universiteti në Liverpul kanë zbuluar që ushqimi i pasur me acidet yndyrore omega-3, si vaji i peshkut, mund të ndalojë ndikimin negativ duke stimuluar zonën në tru e cila kontrollon ushqimin, mësimin dhe kujtesën.
“Konsumi i tepruar i makronutrientëve të caktuar, si sheqeri i rafinuar dhe yndyrat e ngopura në ushqimin e shpejtë çon deri te pesha e tepërt trupore, çrregullimi i metabolizmit, ndërsa ndikon edhe në proceset mentale. Këto ndryshime mund të shihen në strukturën e trurit dhe në mundësinë e krijimit të qelizave të reja nervore, çka potencialisht e lidh trashjen me sëmundjet neurodegjenerative. Acidet yndyrore omega-3 mund të ndërrojnë ose ndalin këto ndikime”, – ka deklaruar Lucy Pickavance, një nga hulumtuesit.
Hulumtimi ka treguar që ushqimi me përqindje të lartë të yndyrave ndërpret sekretimin e hormonit i cili mbron neuronet dhe stimulon rritjen e tyre. Acidet yndyrore omega-3 e kthejnë sekretimin e hormonit në gjendjen normale, luftojnë kundër qarkullimit të rritur të molekulave inflamatore dhe triglicerideve, dhe nxisin rritjen e qelizave nervore.