Reforma në drejtësi / Nishani, letër Kuvendit: Komisioni i posaçëm mënjanoi Presidentin, procesi pa transparencë

0
116

Bujar Nishani“Dokumenti strategjik dhe plani i veprimit janë nisur direkt në Venecia pa u miratuar më parë në tërësi në Komision. Kështu po e kthejnë vendin në aktor qesharak në raport me partnerët”

Gëzim Saliu

 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shpreh një sërë kritikash për punën e deritanishme të komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, duke vënë theksin tek mënjanimi i institucionit të Kreut të Shtetit nga ky proces. Përmes një letre drejtuar Kuvendit, Nishani pohon se procesi po zhvillohet në mungesë të plotë transparence, si për aktorët e drejtpërdrejtë ashtu edhe për publikun e gjerë. Sipas Presidentit, reforma në drejtësi meriton një vëmendje të posaçme e jo periferike, si dhe një diskutim të gjerë me qëllim sigurimin e besueshmërisë, zbatimit të suksesshëm dhe jetëgjatësisë së saj. “Komisioni i posaçëm e ka zhvilluar veprimtarinë e tij në shkelje flagrante me vendimin nr. 96, të miratuar nga vetë komisioni, ku specifikohet se “për çdo element të objektit të veprimtarisë së tij, komisioni i posaçëm do të organizojë, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe nën kujdesin e Presidentit të Republikës, tryeza pune gjithëpërfshirëse me institucionet e sistemit të drejtësisë, ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë dhe subjektet e tjera të interesuara”, – deklaroi ai. Më tej Kreu i Shtetit argumentoi se asnjë nga tryezat e organizuara deri më sot nuk janë thirrur nën kujdesin e Presidentit të Republikës, duke reflektuar mungesën e plotë e të njëanshme të bashkëpunimit me këtë institucion. Ai sqaron se Presidenti është ftuar të marrë pjesë në disa aktivitete selektive, me njoftim të momentit të fundit, duke pamundësuar kontributin mbi thelbin dhe përmbajtjen e çështjeve të diskutuara. “Lidhur me sa më sipër, vlerësoj se shmangia e qëllimtë e institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe e aktorëve të tjerë me peshë e integritet nga bota akademike dhe shoqëria civile, dëmton rëndë procesin dhe çdo akt që del prej tij”, – u shpreh Nishani.

 

Kritikat e Kreut të Shtetit

Për Presidentin e vendit janë jo të pakta rastet kur komisioni i posaçëm ka kompromentuar procesin, sipas tij, deri në kufijtë e mashtrimit publik, mbi veprimet apo mosveprimet e kreut të shtetit. Kritikat me tej për punën e komisionit, i cili thuajse të gjitha dokumentet e miratuar i ka vetëm me votat e mazhorancës pasi opozita iu bashkua vetëm në fund procesit, lidhen edhe me përmbajtjen e reformës . “Fakti që dokumenti fillestar i prezantuar në muajin maj, është krejt i njëjtë me dokumentin final të miratuar në muajin korrik, me vendim nr. 14 datë 30.7.2014, do të thotë se procesi dhe metodologjia e ndjekur kanë qenë në rastin më të mirë të padobishme e joefikase dhe në rastin më të keq janë konsideruar si detyrime formale për të finalizuar procesin, gjithsesi të njëanshëm”, – deklaroi Nishani. Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit thekoi se situata po bëhet edhe më shqetësuese pas hapave të ndërmarrë rishtas, “të cilët kanë krijuar një kaos të vërtetë, dhe po e kthejnë vendin në aktor qesharak në raport me partnerët”. “Komisioni i posaçëm, pasi ka miratuar raportin analitik “Analizë e sistemit të drejtësisë”, në të njëjtën ditë ka miratuar në parim dokumentin strategjik dhe plan veprimin, si dhe ka përcjellë në mënyrë krejtësisht arbitrare e të njëanshme aktet ligjore që parashikojnë ndryshime kushtetuese në Komisionin e Venecias. Ndërkohë që as dokumenti strategjik dhe as plan veprimi nuk janë diskutuar dhe as miratuar në tërësi, me dakordësinë e të gjithë palëve, në turravrap, janë përcjellë një paketë ndryshimesh për të cilat duhet të shprehet një institucion prestigjioz ndërkombëtar”, – deklaroi Presidentit. Në mbyllje të letrës së tij, Kreu i Shtetit thekson se reforma në drejtësi duhet të jetë gjithëpërfshirëse, transparente si edhe objekt i një debati të gjerë publik.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here