Me Ismail bej Qemalin nga Vlora në Brindizi Shpresat dhe justifikimet e Kryeministrit të qeverisë së rrëzuar të Vlorës

0
228

 

Nga ARNALDO CIPOLLA

Brindizi, 26 janar, natë.gazeta per ISmail Qemalin

Sot në mëngjes gati pa u ndier, u nis drejt Brindizit mbi vaporin “Città di Bari”, Presidenti i Qeverisë së Përkohëshme, Ismail bej Qemali, i cili u largua nga Shqipëria krejt papritmas aq sa lajmi për largimin e tij nuk ishte bërë publik në qytet. Dihej vetëm që Ismaili kishte vendosur të largohej nga Vlora por gjegjësisht akoma besohej se të paktën do kishte pritur ardhjen e Princit Wied-it. Megjithatë plaku Qemal, sot në mëngjes rreth orës tetë doli nga shtëpia e tij që ndodhet buzë detit, e zbriti në skelë pa praninë e truprojeve, pa shpurën e shoqëruesve, pa kortezhin e miqve që ta përshëndesnin, madje pa praninë qoftë të një antari të vetëm të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. E shoqëronin katër persona: një shqiptar me plis të bardhë, njëri prej djemve të tij dhe dy shërbëtorë. Xhandarët që bënin roje në skelë e vështronin me mungesë kërshërie tek kalonte. Nuk kam ndër mend t’iu tregoj se çfarë do të nisë të thuhet sonte në Vlorë – dhe mbi këtë gjë ka për tu folur për një kohë shumë të gjatë -, mbi faktin që nisja e tij ishte një farë arratije. Është e sigurtë që Ismaili u largua nga Shqipëria në një mënyrë veçanërisht të trishtueshme.

Ngutje e Ankthshme

Gjatë udhëtimit nga Vlora drejt Brindizit mora vesh nga njëri prej shërbëtorëve të tij që nisja e beut të moshuar kishte qenë vërtet e dhimshme e njëhkohësisht edhe e dëshirueshme. Ish Kryeministri i Qeverisë Shqiptare, sapo kishte parë nga dritarja e dhomës së tij të punës siluetën e vaporit “Città di Bari”, kishte zbritur buzë detit dhe me një varkë kishte udhëtuar drejt vaporit mbi të cilin kishte hipur ndërkohë që po kryheshin akoma operacionet e ankorimit. Plaku kishte qëndruar zgjuar gjithë natën, në vigjëlim të ankthshëm. Ai e priste mbërritjen e vaporit si një formë çlirimi. Sigurisht që vendimi i nisjes ishte marrë pas këshillës që i kishin dhëne një natë më parë gjatë seancës së Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, ku Qemali kishte marrë pjesë.

Pasi u informova fare rastësisht mbi hipjen në vapor të Ismailit, i’a dola mbanë t’i hipja edhe unë në momentin e duhur vaporit “Città di Bari”.

Lundrimi ishte i mirë e i shpejtë, dhe mbërritja në Brindizi nuk u karakterizua nga ndonjë episod i denjë për kronikë. Askush nuk e dinte që në bordin e vaporit ndodhej ish Kryeministri i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare. Ismail Qemali donte t’i shpëtonte çfarëdolloj kërshërie të mundëshme dhe të nisej me trenin e parë direkt për në Nicë.

Lexuesit e gazetave italiane, ndofta do habiten që deri më sot asnjë prej gazetarve të dërguar special në Shqipëri, nuk e ka konsideruar të dobishme intervistimin e Ismail bej Qemalit. Sidoqoftë, arsyeja është e qartë, sidomos pas asaj që rezultoi në lidhje me Qemalin me rastin e arrestimit të Beqirit1*. Presidenti i Qeverisë së Përkohshme nuk mund t’u ofronte gazetarve, asgjë më shumë sesa një vetëmbrojtje të tepërt dhe ri-mohime të vazhdueshme ndaj akuzave të shumta që i bëheshin.

Por largimi nga Shqipëria e Ismail Qemalit transformohej në diçka tjetër: ai ribëhej sërisht njeriu i situatës vetëm për faktin se shfronësohej. Kjo është edhe arsyeja pse e mendova të arsyeshme ta intervistoj.

Një Plak i Lodhur

Ja dhe portreti i tij, në një çast me dy fjalë: Ismaili është plakur, tregon gati shtatëdhjet vjeç, nuk e përdor fezin tradicional por e ka zëvendësuar atë me një kasketë udheetimi. Duket i lodhur, i mërzitur, pesimist, i zhgjënjyer dhe i pezmatuar. Fjalëve të mia të para, natyrisht shumë të sjellshme, nëpërmjet të cilave e përgëzoj për vendimin që mori për të ardhur në Itali, Ismaili iu përgjigjet:

–           Është e kotë që mundoheni të vendosni mjalt në fjalët tuaja! Jam i zëmëruar me ju! Pse nuk erdhet të më bënit vizitë në Vlorë? Keni publikuar gjëra shumë të rënda mbi personin tim.

–           Shkëlqesi – i përgjigjem – kam përshtypjen se tani ky rast na ofron mundësinë të flasim qetësisht. Çfarë mendimi keni për Esatin dhe dorëheqjen e tij?

–           Mua – më përgjigjet Ismaili – nuk më rezulton që kjo dorëheqje të këtë ndodhur. Do të jetë e paevitueshme, por, deri tani Komisioni i Kontrollit nuk ka marrë asnjë komunikim në lidhje me këtë aspekt.

–           Po ju, pse e keni dhënë dorëheqjen?

–           Sepse kështu duhej të ndodhte. Ardhja e Princit Wied, përcakton detyrimisht ndërprerjen e çdo Qeverie të Përkohshme Shqiptare.

–           Më falni, por çështja që ka të bëjë me Beqirin, a ka të bëjë gjithashtu me dorëheqjen në fjalë?

–           Është pikërisht një lloj manie kjo e juaja dhe e kolegëve tuaj (gazetar – sh.p.) që kërkoni ti lidhni bashkë këto dy çështje që janë të ndryshme: ajo që ka të bëjë me komplotin Xhonturk dhe ajo që ka të bëjë me ndërprerjen e aktivitetit të Qeverisë. Po jua ripërsëris që nuk ka asgjë të përbashkët midis fantazive të Xhonturqëve – të cilët nuk do të lulëzojnë kurrë në Shqipëri, dhe dorëheqjes së Qeverisë.

–           Shkëlqesi, megjithatë procesverbali i Komisionit të Kontrollit i datës 2 janar që më ka treguar kundërshtari juaj politik Mufid beu, është një provë e tmerrshme kundrejt jush, ose më mirë të themi kundër plogështisë së Qeverisë së Përkohshme. Nga ai dokument rezulton se nuk u pengua kërcënimi që vinte nga Xhonturqit.

 

Qemali Harron Frëngjishten e tij të Përsosur

 

Në këtë pikë të bashkëbisedimit tonë, Qemali gati harron të flasë frëngjishten e tij të përsosur, për të evituar që të më përgjigjet.

–           Mjaft –shton Ismaili hutueshëm –ajo që u bë tashmë u bë, por ju nuk mund të mohoni faktin se akti patriotik i Qeverisë së Përkohëshme ka thjeshtëzuar çështjen më kryesore dhe më urgjente të Shqipërisë.

–           Konkretisht?

–           Atë të kufirit jugor. Greqia tashmë nuk mund të gjejë justifikime se gjoja Shqipëria nuk ka një Qeveri me të cilën ta shtjellojë çështjen. Po është e vërtet që Shqipëria aktualisht qeveriset nga Europa nëpërmjet Komisarëve të saj, por keni për të parë që trupat e ushtrisë greke do të largohen pa bërë rezistencë, pa zvarritje, ndershmërisht.

–           Jeni i informuar nëse Princi Wied do të mbërrijë së shpejti në Shqipëri?

–           Nuk besoj se ardhja e tij do të jetë e menjëhershme. Supozoj se do të kem mjaft kohë në dispozicion për të shkuar në Nice e për t’u shlodhur pak atje. Më pas do të rikthehem për të nderuar sovranin legjitim të Shqipërisë.

 

“Dëshirë për t’u kthyer ne atdhe…”

 

Keni ndërmend që të ktheheni ne Shqipëri?

Pse jo? Ku doni qe te shkoj? Unë jam shqiptar dhe patriot. Bashkëshortja ime, e moshuar jeton në Itali që prej periudhës së bllokimit të Vlorës. Kur Princi Vilhelm I Vidit do jetë në gjithë efektet i kurërozuar me koronën e Skënderbeut dëshiroj të kthehem në vendin tim që të kryej vepra paqësore në krah të tij.

-Juve keni qene Bej, funksionar Osman…

 

-Po, guvernator i Bagdatit.

 

-Thuhet se Qeveria turke nuk ka ngelur e kënaqur prej punës suaj si administrator…

-Kjo është një gjë keqdashëse që ju ka sygjeruar sigurisht Myfit beu, por nuk ka rëndësi: pikërisht juve jeni dëshmitar sa ishte e përhapur dhe njerëzore përkrahja që kisha në Vlorë prej bashkëqytetareve të mi të cilët më panë me dhimbje kur u nisa.

 

-Më thoni, bej, cila është arsyeja e vërtet e cila ka qenë vendimtare për nisjen tuaj?

 

-Për arsye shlodhjeje, jo për tjetër gjë. Më besoni! Unë jam teje i lodhur! Provoni të mendoni sa më shumë pune u ngarkua Qeveria e përkohshme dhe e varfër për të mirën e vendit, prej ditës së paharrueshme në të cilën u shpall pavarësia mes bllokut të ngushtë grek deri me sot. Kush ushqeu atë flakë të parë dhe te pasigurte të lirisë kemi qenë ne. Na jepni këtë gjykim të drejtë përpara se të mbyllet misioni ynë. Më tej mund të shtoj që Komisioni i kontrollit edhe dje, në mbledhjen e gjatë në të cilën mora pjesë edhe unë, me rinovoi përsëri shprehjen dhe mirënjohjen më të lartë dhe pa kushte për punën e bërë prej Qeverisë së përkohshme. Shqipëria ka patur fatin e keq se informuesit e saj të kushteve të brendshme e njihnin shumë pak. Më lini që t’ju them: është folur, për shembull, për forcën ushtarake të famshme të Esadit (Esad Pashe Toptani, shënimi përkthyesi), e cila nuk ka ekzistuar kurrë si dhe pretendimit influencues të saj që nuk ka kaluar kurrë kufijtë e Tiranës.

Besnikëria e papritur e legjitimitetit.

­

Mbasi të jeni shlodhur në Nice, do shkoni në Gjermani për të përshëndetur princin Vilhelm. Ccfarë do i thoni?…

 

– Çfarë dëshironi që t’ju them? Do kufizohem që t’i ofroj besnikërinë time pa kushte dhe të sinqertë, sigurisht me tepër të sinqertë se ajo e të tjerëve, të cilët sot, nuk di përse, e lënë mbas dore, në mënyrë qesharake, lindjen e papritur të besnikërisë së tyre legjitimiste.

­

-Shkëlqesi, shpresoj që ju nuk do të donit të mbani një kujtim të keq të gazetarëve italiane që ndoqën këtë faqe të thellë të historisë shqiptare, e cila është përpara ardhjes se Princit Vid. Në të vërtet na ngjan që pozicioni juaj në Vlore nuk ishte ndër më të kënaqshmit…

 

­-Nuk ishte në të vërtet ndër më të kënaqshmit, – përgjigjet plaku. -Dhe në të vërtet për këtë po largohem! Proverbi juaj i krishterë “nemo propheta in patria” është më se i vërtetë në tokën tonë të dhimbshme. Por, unë, nuk jam një shitës ambulant i mirënjohjeve. Do donit të ishit kaq të përzemërt të më ndihmonit te merrja biletat për në Nice?

 

-­Aspak, bej!

 

Ndërkohe Ismaili nxjerr prej xhepit një dorë monedhash të arta. Unë thërras kreun e stacionit, duke iu lutur që doja të prisja biletat për personazhin e rëndësishëm në mërgim dhe i përgjysem në vullnetin e tij. Ismaili është i lodhur dhe ulemi në dhomën e pritjes. Turma ka kuptuar pjesërisht që plaku të cilin unë shoqëroj vjen prej Shqiperisë, prej atij vendi kaotik te cilin e kemi këtu përballë dhe që arrihet me një piroskaf, dhe kureshtarë, formonin një rreth përreth grupit të formuar prej Ismailit, prej tij dhe prej meje.

Përshendesni përseri tokën time.

 

Shkelqesi-shtoj-rinisëm këtë mbrëmje për në Vlorë. A keni nevojë për diçka?

 

-Ju faleminderit, – më përgjigjet Ismaili duke me shtrënguar dorën- përshëndetmi edhe njëhere tokën time. Por ajo tashmë është në duar të mira sepse është në Duart e Europës.

Ndahemi duke kthyer me njëri tjetrin fjalë të përzemërta. Unë e bëj në menyren lindore duke vendosur duart në zemër, tek goja dhe në ball.

Mbas atyre çka kuptova duke folur me mërgimtarin, nuk do bëj komentime. Figura dhe veprimtaria e Qemalit janë tashmë të gjykuara në mënyrë të pashlyeshme. I jemi mirënjohës beut plak sepse ka dhënë shembullin e mire duke lënë Shqipërinë, dhe nuk duam ta shohim si diçka që e bëri sepse i detyruar, por në mënyrë spontane. Duhet të shpresojmë që gjithë të tjerët të cilët nuk janë pak ta ndjekin duke u larguar për qetësinë e vendit, prej Shqipërisë, e cila ka nevojë qysh tash-proçesi i Beqirit është ende i hapur-për qetësi qytetare dhe për një administrim të mirë dhe pa interesa.

 

 

1*-Beqir Grebenea u arrestua në Vlorë më 1914.

 

(përktheu nga italishtja dhe redaktoi: Brunilda Ternova dhe Etnor Canaj)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here