Diktatura e proletariatit dhe diktatura e urisë

1
187

 

 

 

ndricim-mehmeti21-c1200x600Nuk është ndonjë gjë e panjohur nëse ripërsërisim edhe një herë se diktatura e proletariatit me të gjitha tiparet e saj më negative dhe represive, u zbatua në Shqipëri. Ende dhe sot në vendin tonë, ne nuk dimë se sa është dëmi ekonomik, moral, social, psikologjik, familjar etj. Nuk dimë ende sesa është ndikimi i denigrimit, depersonalizmit të njeriut, rekrutimit të spiunëve të intelektualë, pesëdhjetëlekëshave të lagjes e me radhë.

Ajo që ndokush i kthehet me nostalgji, është vetëm një mundësi punësimi, që në shumicën e rasteve kishin thuajse të gjithë, nën diktaturën e proletariatit. Ajo që ishte diktatura më e egër, më e pamëshirshme dhe më e pandjeshme sa i takon peshës së një qenie humane në shoqëri, kishte një mundësi punësimi. Natyrisht që edhe kjo do analizën e vet, sesa e nevojshme, të kishte një numër kaq apo aq i madh i punonjësve në një ndërmarrje apo sektor të caktuar, por njerëzit e thjeshtë gjithsesi, vendin e punës e identifikojnë me pasjen e një rroge, që mundësonte siç thuhet në zhargonin popullor “të haje një copë buke”.

Ç’po ndodh sot në të ndriturën demokraci?

Tani diktatura e proletariatit është zëvendësuar nga diktatura e urisë. Heqja nga puna, kërcënimi me burgim, largimi nga sytë këmbët i njerëzve, në kampe azilantësh, ku pranojnë të hanë edhe njëherë në ditë, i shkon për shtat shprehjes se jemi nën diktaturën e urisë. Si mundet në një sistem demokracie, t’i tregoj rrugën një mësuesi se i munguakan orët? Si mund të ndodh një shkencëtar të lihet në rrugë, me mospërfillje, e madje me një arrogancë deri në krim? Kush ka marrë përsipër të zhdukë një klasë e ta zëvendësoj me një shtresë tjetër “administratorësh të denjë”, të ardhur nga lista e partisë vetëm se të, parët dyshohen si kundërshtarë politikë? Si mund të flasësh për demokraci, mundësi për të qenë i lirë, i mirëqenë, të shpalosësh talentin, fuqitë e tua, të ushtrosh profesionin në përputhje me aftësitë, kur të gjitha shumëzohen me zero? A mund të përgjigjet dikush, në këtë vend, sesi mundesh të bëhesh ministër, pa mbaruar një universitet dhe një njeri i thjeshtë me një barrë shkollë hidhet në rrugë? Si mundet një prof.dr. me shumë djersë e mund, kërkime dhe rezultate të larta, i refuzohen auditoret universitare, vetëm se ka qenë zëvendësministër apo deputet i qeverisë që shkoi, e tani nuk meriton të rikthehet aty ku nisi karrierën? A mundet të ndodh diku, qoftë në shtetin, më modest të zhvilluar, që një njeri merr brenda 1 vit titullin “Doktor” dhe “Profesor i Asociuar”? Prandaj me të drejtë për vendin tonë ekziston shprehja se “gdhihesh kapter e erresh gjeneral, erresh gjeneral e gdhihesh kapter”.

Po dikush mund të ngrihet e të thotë me të drejtë ose jo: Pse mor zotëri hera e parë është, që ndodh kjo? Nuk ka dyshim që padrejtësia nuk ka lindur e as nuk do të “vdes” sot. Sidomos në një shoqëri si e jona, mbushur me inate, mllefe dhe hakmarrje primitive. Por dikush duhej të ngrihej shumë më lart se posti që ju dha bujarisht dhe me shumicë prej popullit të tij, e të thoshte mjaft.! Jo vetëm për jetësimin e emrit të tij në historinë e turbullt të politikës shqiptare, por për të treguar edhe një farë intelekti që politika e ka më shumë të nevojshme se çdo fushë tjetër. Në të kundërt të kësaj pritshmërie, u morën masa si dikur në spastrimin e famëkeq të armikut të klasës në vitet ‘30 në Bashkimin Sovjetik, që me çdo kusht të largoheshin nga puna të dyshuarit antiparti, ose që nuk ishin të denjë për reformat që ndërmori në atë kohë Stalini. Ndoshta dikush do të thotë se kjo është e tepruar, por nuk mund të gjej një rast të ngjashëm në demokraci. Nuk si të mos ndiesh se nuk ke tepruar kur shikon mësuesin e matematikës në prag të pensionit, i cili, endet rrugëve në kërkim të një pune qoftë edhe si roje. Nëse një ekonomist, inxhinier, mësues, sociolog etj., ka përfunduar një shkollë, me të drejtën e ushtrimit të profesionit për të jetuar e jo pasuruar pa të drejtë, kush është ai njeri që me një firmë e hedh në rrugë dhe nuk i le asnjë mundësi jetese? Si mund të besoj tek patriotizmi i një kryeministri, i çdo ministri, që nuk lë foto pa dal me kombëtaren dhe dëbon me duart e tij bashkëqytetarët nga vendi që qeveris? Sa njerëz “kanë pronotuar” kazanët e mbeturinave urbane dhe rrinë me shpresën e përditshme, se dikush do të harxhoj më shumë kanaçe, do të hedh një shishe plastike, a ndonjë kolltuk të vjetruar? Nëse e gjitha kjo justifikohet me faktin se “e dimë që kemi varfëri dhe më shumë se kaq nuk mund të bëjmë më shumë”, atëherë përgjigjja është akoma më e qartë se ky justifikim banal: “Punoni për popullin e jo për xhepin zotërinj qeveritar”. Nuk është justifikim të thuash se kaq mundëm e kaq bëjmë. Mund të rrijë edhe ca kohë pa u restauruar ministritë, sallat e hartave, libraritë brenda kryeministrisë, bunkeri para ministrisë, zyrat luksoze të agallarëve të rinj. Gjithë “mirëbërësit” biznesmenë që me shumë zell ndihmojnë qeverinë të jetë sa më “dinjitoze para të huajve”, të hedhin vështrimin nga bashkëqytetarët e tyre, me gjakun e të cilëve po trashin çdo ditë e më shumë qafën.

Po vëlla, motër, mik, ti që s’më njeh, ti që nuk je dakord me mua, kjo është diktatura e urisë.

Të ngrihesh në mëngjes, pa kurrfarë motivimi pasi ke punuar për vendin tënd 5, 10 20, 30 e më shumë kusur vjet, duke u shpërblyer modestisht, e t’i thuash vetes, çfarë do të bëj sot që ende jam papunë, kjo nuk është gjë tjerët veçse tmerri pafund. Cila është vlera e demokracisë, të ardhmen e ndritur që ajo ka, mundësitë e shumëfishta që të jep, ç’kuptim, kanë në momentin kur kruan xhepin derisa të griset e nuk gjen dot një lek? Përse duhet t’i them fëmijës se vendi yt është i shtrenjtë, e kudo që të shkosh si ai s’do të gjesh? Sepse i riu i mirë, intelektual, drejtor pa mbushur 25 vjeç, duhet të jetë në partinë që punëson e sajdis njerëzit më shumë se të tjerë!? Shkurt duhet të jesh një zar, palaço, maskara, delirant që mburr kryetarin. Duhet të tregosh shpirt malësori e jo moçalori, i aftë për të vërtitur të tjerët rreth vetes e t’i hedhësh trutë e gomarit, e më pas ta gjen vetë vendin që do kryetari. I mjeri profesor i 25 vjeçarit, është e detyruara ta shoh ish-studentin e tij, si i tulatur, të përpiqet të kuptojë se çka ndodhur, pa ju fashitur nga mendja, fuoristrada, nga e cila ish-studenti nxori këmbë e duar, për t’i treguar mentorit të tij, se nuk i vlen dha aq shumë mençuria. Mundet që profesori, ekonomisti, inxhinieri, agronomi, infermieri, nuk kanë kuptuar shumë nga demokracia e vendit e fajin ja hedhin më kot qeverisë. Nëse janë pa punë, duhet të riaftësohen gjetiu, p.sh. hidraulik, shitës i bananeve me pakicë, picier, brumëgatues, tallazheir, shkrirës metalesh të buta dhe forta. Ka Shqipëria vende pune sa të duash, por mesa duket ne kemi intelektualë “dembelë”. Fjala vjen të marrësh tokë me qera e të punosh askush nuk të ndalon. Puna nuk njeh moshë, përkundrazi, shoku Enver thoshte se ajo të rinon. 65 vjeçari e lart ka mundësinë të rinohet, të pasurohet paçka se i mbeten pak vjet jetë. Po djalit, vajzës, nipit, çfarë do t’i lë trashëgim? Punën e ndershme, që nuk e çoj askund, largimin nga vendi që është i bekuar nga Zoti dhe ka mallkimin e atyre që e qeverisin, apo me shprehjen që është bërë e modës “Mbase e bën Zoti më mirë”? Më e mundshme është që në vend të përrallave dhe bisedës së lirshme në shtëpi, t’i tregojmë djalit e mandej nipit, historinë e një vendi, ku liria, dinjiteti dhe profesioni vlejnë shumë më tepër se gjithçka. Ky vend për fat të keq nuk është Shqipëria, por Amerika, Gjermania, Finlanda, Suedia etj. Shqipëria është vendi ku diktatura e proletariatit në demokracinë që jetojmë plot bujë e arritje është zëvendësuar nga diktatura e urisë. E kjo diktaturë nuk përmbyset me urata, por me shumë mençuri edhe me trimëri, nëse jemi të zot. Nëse ulim kurrizin sot, askush mos t’i ankohet askujt. Të ardhmen tonë e kemi vet në dorë, nuk e ka asnjë ambasador, qeveri mike, apo i madhi Zot. Nëse i japim një dorë të mirës të ngrihet nga llumi, miqtë shtohen dhe së bashku me Zotin të ndihmojnë të mos humbësh busullën.

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here