Shpërndarja e diplomave në Elbasan / Meta: Investimi në arsim s’duhet konsideruar si shpenzim, por si investim i mirëfilltë

0
168

 

 

meta ne parlamentKryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë dje në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ku pjesë e takimit ishin edhe ministrja e Arsimit e Sportit, Lindita Nikolla, ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, deputetë të qarkut të Elbasanit, si dhe drejtues vendorë. Në fjalën e tij përshëndetëse para studentëve dhe familjarëve të tyre, Meta u shpreh se kjo ceremoni diplomimi është shumë e rëndësishme për të gjithë studentët që diplomohen pasi sipas tij është kurorëzimi i një investimi të jashtëzakonshëm, jo vetëm individual, por edhe familjar dhe mbi të gjitha edhe shoqëror. Më tej Kryeparlamentari deklaroi se Shqipëria është në një rrugë të rëndësishme dhe të pandalshme, atë të integrimit evropian dhe padyshim që pozicionimi i saj si vend anëtar i Bashkimit Evropian nesër, do të jetë veçse produkt i aftësive për të konkurruar me efikasitet dhe me sukses në të gjitha fushat për të ofruar vlera më cilësore.“Nuk mund të ofrojmë vlera më të larta cilësore në të gjithë fushat e tjera, përfshirë këtu edhe ekonominë që mbetet vendimtare, pa afruar në radhë të parë vlera më të larta cilësore në fushën e arsimimit dhe të edukimit, çka është edhe qëllimi kryesor edhe i reformës në të gjithë sistemin tonë arsimor, e sidomos në atë të arsimit të lartë. Ne i shohim që dallgët e krizës financiare ndërkombëtare, e sidomos evropiane, janë në rënie, por nuk janë në shuarje. Sfidat mbeten të mëdha dhe Evropa mbetet gjithashtu e prekshme me zhvillimet gjeopolitike në rajonet e tjera fqinje, sikurse po vërtetohen edhe valët migratore si rezultat i konflikteve”, deklaroi Meta. Në vijim të fjalës së tij kreu i Kuvendit theksoi se për vendin tonë sfidat tona mbeten shumë të mëdha, dhe mbi të gjitha duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ekonomia ka mundësi të rritet akoma më shumë. “Modeli ynë ekonomik, ku rritja e prodhimit vendas duhet të jetë edhe më parësore, ku vlerat e krijuara nga resurset tona natyrore duhet të vijnë në rritje si rezultat i përpunimit të tyre në vend, ku industritë dhe shërbimet realizohen me standardet më të larta dhe më të besueshme, ku investimet dhe shpenzimet publike të alokohen në mënyrë të veçantë në ata sektorë që kontribuojnë më shumë në rritjen ekonomike dhe në punësimin e qëndrueshëm, ku investimi në arsim e sidomos në arsimin profesional nuk duhet konsideruar si shpenzim, por si investim i mirëfilltë me kthim të sigurt dhe me mjaft interes për të gjithë shoqërinë”, – u shpreh Meta.

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here