Një dashuri e dy personave që kanë përfunduar një lidhje shumë kohë më parë. Rastësisht takohen pas një kohe shumë të gjatë në një hotel, aty fillon prapë të rikthehet dashuria e dikurshme, e ndoshta dhe më shumë.
Është kjo pak a shumë domethënia e këngës “Mos ik”, këngë kjo që do të vij nën interpretimin e Egert Panos në edicionin e 54-të të Festivalit të RTSH-së. Në një rrëfim për “KultPlus”, Egerti tregoi se këtë vit po e realizon ëndrrën e tij që e kishte për 12 vite me radhë, që të ishte pjesë e këtij festivali.
“Kjo është hera e parë për mua që marr pjesë në festival, është një dëshirë që po realizohet sepse kam 12 vite që dëshiroj të marr pjesë në RTSH, por studimet në Universitetin e Muzikës në Roma dhe në Konservatorin të Frosinone kanë qenë për mua shumë të rëndësishme, e kështu në kuadër të kësaj edhe jam përgatitur më mirë për pjesëmarrjen time në festival”, – fillon këngëtari.
“Mos ik” vjen me tekst të Enrieta Sinës, ndërsa kompozimin e ka bërë vetë Egerti, i cili tregon se kjo këngë është e përpunuar edhe nga tre muzikantët shumë të mirë në muzikën xhaz: Vincenzo Grieco në kitarë, Sergio Caruso në piano dhe Antonio Colaruotolo në Bass.
“Shpresoj që publiku ta pëlqej këngën, nëse fitoj do ta prezantoj Shqipërinë në “Eurovision” me gjithë dashurinë dhe mallin që kam për vendin tim”, – u shpreh Pano.
Ndërsa sa i përket jetës së tij, artisti tregon se nga mosha 8 vjeçare ka migruar në Itali.
“Studioj muzikë që në moshë të re, këto vitet e fundit kam përfunduar studimet për “Kanto modern” fillimisht në Universitetin e Muzikës në Roma pastaj në Konservatorin e Frosinone, kam punuar edhe me shumë këngëtarë me nam si Manuela Villa, Annalisa Minetti, Rita Forte. Tani në Itali punoj si mësues për kanto”, – pohoi ai.
Krejt për fund, Pano tha që do të ishte shumë i lumtur të bashkëpunonte me artistët shqiptarë.
“Në këtë moment kërkoj vetëm të këndoj këngën time me gjithë dëshirën që kam në zemër, pas festivalit shpresoj dhe do të isha shumë i lumtur të bashkëpunoj me artistët shqiptarë sepse zemra ime është gjithmonë në Shqipëri”, – përfundoi kështu Egert Pano, njëri ndër konkurrentët e Festivalit të këngës në RTSH, festival ky që fituesin e tij e dërgon drejt “Eurovisionit 2016”.