Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve u diskutuan dje ndryshimet në Kodin e Punës, ku relatorja e projektligjit, deputetja socialiste Vasilika Hysi, bëri të ditur se një nga risitë që sjell ky draft është se pagesat për punëmarrësit do të bëhen vetëm në bankë. “Në bazë të ndryshimeve në ligj paga nuk do merret më kesh, por të gjitha pagesat do jenë në bankë”, – tha ajo, ndërsa kërkoi që punëmarrësi të kishte informacion se pse i është hedhur sasia e caktuar e të hollave. “Secili e di rrogën dhe pjesën e sigurimeve, por punëdhënësi bën ndryshime të pagës dhe çdo njeri duhet të dijë në fund të muajit pse ka 10 lekë dhe jo 100 lekë”, – tha ligjvënësja e PS-së. Lidhur me këtë çështje ndërhyri në diskutim edhe deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili tha se projektligji duhet të zgjidhë rastin kur banka për arsye të ndryshme mund të mos funksionojë për një kohë të caktuar. “Nëse sistemi bankar jashtë vullnetit të punëdhënësit nuk është në gjendje ta japë shërbimin ky punëmarrës do të ngelet pa marrë pagë, ndërkohë që punëdhënësin është gati t’ia japë, si do zgjidhet kjo?”, – pyeti Bylykbashi. Në ndërhyrjen e saj Hysi theksoi: “E ke në ligj, në fjalinë e fundit të pikës 1 thuhet: punëdhënësi përgjigjet financiarisht kundrejt punëmarrësit kur banka nuk mund të paguajë brenda 30 ditëve nga data e derdhjes së shumës për llogari të punëmarrësit. Nuk e merr dot në bankë do e marrësh në dorë”. Ndërkaq, përfaqësuesi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Manhasa, tha: “Kjo dispozitë është vendosur në mbrojtje të punëmarrësit që në bankë të paguhet paga e plotë pasi evitojmë informalitetin gri. Por si rasti që ju përmendët (i drejtohet Bylykbashit) ka edhe zona ku nuk ka bankë si në miniera, do e shikojmë edhe këtë”./ G. Saliu