PD: Deputetë të mazhorancës si edhe njerëz të afërt të Kryeministrit përfituan nga OSHEE 7 mln USD
Debati për energjinë elektrike, duke përfshirë këtu çështjen kryesore të CEZ-it, mbetet në qendër të aktualitetit politik në vend. Përmes një deklarate nga selia blu, nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, bëri publike disa detaje të reja për mënyrën se si disa kompani kanë përfituar nga OSHEE rreth 7 milionë dollarë. Duke theksuar se këto kompani kanë si pronar deputetë të mazhorancës ose njerëz të afërt të Kryeministrit Edi Rama, Spaho tha se të gjithë paratë janë ndarë me negocim dhe pa shpallje gare. “Bëjnë pasuri me këto miliona deputetë dhe klientela e Edi Ramës, teksa lihen në errësirë fëmijë të porsalindur, pleq të vetmuar dhe çohen në burg njerëzit e pamundur. Këto para u duheshin marrë me dhunë qytetarëve që ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës të kapte 5 miliardë lekë për rikonstruksion zyrash. Sipas llogarive të bëra, ndërtuesit të Ramës i janë dhënë para për të bërë punime rregulluese që shkojnë 1639 euro metri katror. Ndërkohë që për të ndërtuar një godinë të re, kostoja është 4 herë më e vogël. Këto para u duheshin marrë me dhunë qytetarëve që të merrte pa tender Safet-kandidati i Edi Ramës në Kamëz, 850 milionë lekë për shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike sikurse mori edhe kompania e Pjerin Ndreut, 340 milionë lekë”, – tha ai. Më tej deputeti demokrat listoi edhe dy përfaqësues të mazhorancës së majtë që kanë përfituar nga paratë e OSHEE duke pohuar: “Kur ndahet torta nuk mungon i kudondodhuri i korrupsionit, Ilir Beqaj, me kompaninë e tij Intech plus, që ngjeu lugën edhe me paratë e OSHE-së. 970 milionë lekë ka përfituar Sadri Abazi, një tjetër kanakar i Edi Ramës. Një lukuni donatorësh, deputetësh, miqsh të Edi Ramës janë sulur e kanë mbushur xhepat me paratë e shqiptarëve, pa tender, pa garë, me negocim nëse ju mjaftojnë për tu ngopur ose jo”.
Reagimi i PS-së
Ndërkaq akuzave të Partisë Demokratike lidhur me investimet në sistemin energjetik iu përgjigj dje deputeti socialist Ervin Bushati. Ky i fundit më shumë se përgjigje të drejtpërdrejtë për akuzat e demokratëve, bëri nj krahasim mes punës së qeverisë së majtë dhe asaj paraardhëse në sistemin energjetik. “Këtë vit po investohet më shumë se 6 vitet e marra së bashku të qeverisjes së PD-së. Janë mbi 335 milion dollarë investime të garantuara për sektorin energjetik vetëm në këto dy vite qeverisje. Nga një gërryes i vazhdueshëm i Buxhetit të Shtetit, sektori energjitik është kthyer tanimë në kontribuues me kohë të plotë të zhvillimit ekonomik”, – tha deputet i PS-së. Më tej, Bushati solli si argument të investimeve uljen e humbjeve në rrjet, që sipas qeverisë kanë rënë në 25 për qind nga 45 për qind që ishin në kohën e qeverisjes së demokratëve. “Janë të njëjtën që inkurajuan, shtynë dhe toleruan paligjshmërinë në pagesat e energjisë elektrike. Ata mohuan gjithçka që bëri ky shtet. Vetëm në 9 muajt e parë janë arkëtuar më shumë se gjithë viti i tyre më i mirë. Në kohën që ata akuzojnë humbjet në rrjet ishin 45 %, ndërsa në shtator u shënua rekordi historik me 25% humbje teknike në rrjet”, – u shpreh ai.