Me avionë të ushtrisë / Qeveria gjermane plan për dëbim më të shpejtë të azilkërkuesve

0
169

 

azilantet shqiptare emigrantetQeveria gjermane po mendon që për dëbimin e refugjatëve të përdoren edhe avionët e mëdhenj të transportit të Bundeswehr-it.

 

Në politikën ndaj refugjatëve po ndodhin ndryshime të shpejta. Sipas planeve të fundit të qeverisë gjermane, për kthimin në vendlindje të azilkërkuese, të cilëve nuk u është pranuar kërkesa për azil në Gjermani, do të përdoren avionët e mëdhenj të transportit të Bundeswehr-it. Deri tani dëbimi i azilkërkuesve është bërë me avionë linje apo charter.

Deri tani disa lande gjermane nuk i dëbonin azilkërkuesit gjatë stinës së ftohtë të dimrit. Këtë vit ky rregull nuk do të zbatohet më. Shumica e parlamenteve të landeve gjermane janë shprehur pro organizimit të riatdhesimeve të azilkërkuesve të refuzuar edhe në muajt e dimrit. Në këtë pikë duket se nuk ka mospërputhje në mes të qeverisë federale dhe qeverive të landeve.

 

Më pak leje të përkohshme qëndrimi

Nën drejtimin e koordinatorit për refugjatët Peter Altmeier dhe ministrit të Brendshëm Thomas de Maiziére po përparojnë planet për ngritjen e zonave të tranzitit në kufi si dhe po zhvillohen bisedime me vendet e origjinës për riatdhesimin e azilkërkuesve të refuzuar në Gjermani. Sipas regjistrit për të huaj aktualisht në Gjermani janë në pritje të ekstradimit rreth 190.000 refugjatë. Rreth dy të tretat e tyre kanë statusin “Duldung” (leje e përkohshme afatshkurtër qëndrimi) dhe tani ky status sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Seibert, do të rishqyrtohet. Po ashtu nuk do të ketë më paralajmërim për t’u larguar vullnetarisht nga Gjermania, për të mënjanuar mundësinë që dikush të fshihet. Në lidhje me idenë që të mos merren më aq shumë parasysh raportet mjekësore për paaftësi për të udhëtuar, nuk u diskutua. Por në rast se një person ka humbur pasaportën nuk do të ketë më pengesë për ekstradim nga Gjermania. Në vend të saj personat në fjalë do të pajisen me një pasaportë të përkohshme. Edhe kooperimi me vendet e Ballkanit Perëndimor po shkon mirë, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane.

Rezerva ndaj ekstradimeve të përshpejtuara

Organizatat për refugjatët si Pro Asyl janë kritike ndaj procedurave të përshpejtuara të ekstradimit. Zëdhënësja e këshillit të refugjatëve të landit NRW tha se planet janë ende tepër “të papjekura”.

Kritika ka dhe në lidhje me angazhimin e ushtrisë gjermane Bundeswehr për riatdhesimin e refugjatëve. Sipas Kushtetutës ushtria nuk ka të drejtë në Gjermani të përzihet në detyrat e policisë. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes tha se fillimisht do të përdoren avionët civilë dhe vetëm në rast nevoje ministria do të vërë në dispozicion avionët që përdoren për transportimin e trupave.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here