Në Rrugën e Kombit makinat do të lëvizin pa pagesë edhe për muajt nëntor dhe dhjetor. Ministria e Transporteve ka vendosur shtyrjen me 2 javë të afatit për pranimin e ofertave për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit. Shtyrja sipas ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto është bërë për shkak të kërkesës së vetë kompanive. “Po është një kërkesë normale procedurale, nëse kërkohet një shtyrje nga ana e kompanive pjesëmarrëse. Kjo gjë realizohet dhe këtë kemi bërë, e kemi shtyrë me 2 javë hapjen e ofertave për Rrugën e Kombit”, – tha Haxhinasto.
Burime nga Ministria e Transporteve thonë se Rruga e Kombit do të jetë me pagesë duke filluar nga fillimi i 2016-ës, për shkak të procedurave që do të lidhen me kompaninë që do të marrë me koncesion rrugën, ku parashikohet që të paguhet një taksë për çdo makinë që do të përshkojë këtë segment.
Ministria e Transporteve ka konfirmuar se pagesa për të kaluar në Rrugën e Kombit do të jetë 5 euro. Por për banorët pagesa do të jetë me kategorizim. Burime pranë Ministrisë së Transporteve thonë se për një pjesë të banorëve të zonës, kalimi do të jetë falas, ndërsa për të tjerët do të jetë më e ulët se 5 euro.
I pranishëm në panairin Tirana Expo Centre, me fokus sektorin e ndërtimit dhe energjisë, Haxhinasto tha gjithashtu se mirëpret futjen dhe aplikimin në vend të teknologjive të reja për të modernizuar sektorin e transportit. Ministri i Transporteve theksoi se segmenti Tiranë-Elbasan ka hasur probleme për shkak të rrëshqitjes së dherave por shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje. Kompania Aktor do të vijojnë të punojnë në rrugën Tiranë-Elbasan, sipas planit fillestar dhe financimit paraprak, mbi të cilin u fitua tenderi. Por nevojën për shtesë fondi në një moment të mëvonshëm, ministri Edmond Haxhinasto nuk e përjashtoi. Kjo në fakt, lidhet me “surprizat” e pakëndshme të projektit ku në disa zona duket se nuk është studiuar mirë përbërja gjeofizike e tokës. I pyetur nga mediat rreth ecurisë së punimeve në këtë aks, që ka shfaqur problematika me rrëshqitjen e dherave dhe vonesat në punime, kreu i Transporteve, Haxhinasto, sqaroi se tashmë projekti është në rrugë të mbarë dhe po vijon zbatimin e tij.
Ministri i bëri këto deklarata nga panairi “Energjia dhe ndërtimi”, i cili ka hapur dyert në kryeqytet për 82 kompani të huaja dhe vendase, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në prodhimin e materialeve që lidhen me këto dy sektorë. Pjesëmarrja këtë vit është 52 për qind më e lartë se një vit më parë dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, u shpreh se do të shihen mundësitë që më vonë të përfshihen në projekte infrastrukturore edhe materiale cilësorë që i shërbejnë eficencës.
Panairi pritet të jetë i hapur deri në datën 25 tetor dhe këtë vit solli kompani të huaja nga Holanda, Kroacia, Kanadaja, Italia. Kompanitë kanë shfrytëzuar këtë event për të prezantuar edhe risitë e tyre.