“Zgjohen” demokratët / PD, thirrje për protesta, Paloka: Ta kthejmë këtë dimër të vështirë në një pranverë shprese

0
148

 

paloka“Edhe pse Rama ka bllokuar ndërtimin në gjithë vendin, dy ndërtuesit e tij personalë po bëjnë miliarda me paratë e shqiptarëve”

 

Gëzim Saliu

 

Pas një periudhe të gjatë mes debateve, akuzave dhe mundësive për konsensus me mazhorancën, duket se opozita do t’i rikthehet rrugës së protestave, edhe pse këto të fundit ishin paralajmëruar për t’u zhvilluar nga përfaqësuesit e lartë të PD-së disa kohë më parë. Ka qenë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, i cili përmes një deklarate dje nga selia blu u bëri thirrje shqiptarëve të ngrihen në protesta për t’u dhënë fund, sipas tij, padrejtësive të qeverisë. “A do t’i lëmë këta hajdutë të shtojnë dhjamin e qytetarët të zhyten më shumë në skamje apo do të ngrihemi t’i dëbojmë, të largojmë shtypësit e korruptuar? Duhet të ngrihemi se nuk ka më kohë. Ta kthejmë këtë dimër të vështirë në një pranverë shprese për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë”, – deklaroi numri 1 i grupit kuvendor të demokratëve. Nisja e kësaj stine të protestave duket se do të vijë, pasi vetë PD qartësoi radhët e brendshme të saj fill pas humbjes në zgjedhjet e 21 qershorit. Edhe aksioni në rrugë duket se do të vijë vetëm pas përmbylljes së analizës zgjedhore si edhe riorganizimit të disa degëve ku u shënuan rezultate negative në zgjedhjet vendore. Por nuk mund të mos theksohet se deri më tani kauzat për t’u ngritur në protesta kanë qenë disa herë më të forta, duke nisur nga rastet e ministrit të Brendshëm për makinën e tij apo ato të Kryeparlamentarin Meta dhe Kryeministrit Rama lidhur me çështjen “CEZ”. Por duket se çështjet e brendshme, por edhe angazhimi konkret në Parlament për të gjetur mundësinë e konsensusi për çështjen e dekriminalizimit detyruan demokratët që ta përkthejnë aksionin e tyre në rrugë pikërisht në këtë kohë. Sigurisht që rastet e sipërpërmendur nuk do të lihen jashtë fokusit të protestave të ardhshme opozitës, por pritet që në qendër të tubimeve të jetë aksioni i qeverisë kundër informalitetit me masat rënduese ndaj bizneseve, keqqeverisja që ka sjellë sipas PD-së rritjen e varfërisë së qytetarëve, si edhe fenomeni i azilkërkuesve.

 

Denoncimi

Në deklaratën e tij, kreu i grupit parlamentar të PD-së akuzoi Kryeministrin Rama se po favorizon ndërtuesit pranë tij me tendera shtetërorë në mënyrë të paligjshme. “Edhe pse Edi Rama ka bllokuar ndërtimin në gjithë vendin, dy ndërtues po bëjnë miliarda me paratë e shqiptarëve. Janë pikërisht ndërtuesit e tij personal. I pari, Carapuli që ngriti sarajet e Ramës në Surrel, merr 5 miliardë lekë nga OSHEE, në një tender të fryrë dhe me fitues të paracaktuar. Carapuli i Ramës mori 5 miliardë lekë nga paratë e gjakut të shqiptarëve që banda e OSHEE i mori me dhunë e me burg, e në jo pak raste u mori dhe jetën bashkëqytetarëve tanë”, – tha Paloka. Më tej, sipas deputetit demokrat, ndërtuesi i dytë që po përfiton nga miqësia me Kryeministrin pas i ka ngritur edhe vilën në Dardhë është Papuli, i cili, sipas Palokës, po merr miliona euro për Jaguarët luksozë që i duhen qeverisë. “Një zhvatje parash sipas tenderave që bën Edi Rama ku kriteret qepen enkas për mikun e tij, ku fituesi është i paracaktuar. Kjo është ndarja që u bën Edi Rama parave, Kryeministri më i korruptuar në Ballkan, që sipas dokumentit të punës së OSBE ka 200 milionë euro pasuri të investuara në vende OFF SHORE përmes vëllait të tij. Ndërkohë Edi Rama nuk jep asnjë shpjegim për këto fakte skandaloze, por skërmit dhëmbët e krimbur në para”, – deklaroi ligjvënësi demokrat.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here