Partia Socialiste deklaron se marrëveshja për ligjin e dekriminalizimit është shumë afër duke nënkuptuar se palët kanë arritur të gjejnë konsensusin për pjesën më të madhe të procesit. Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të PS, tha se praktikisht palët nuk i mban asgjë të ndara. “Është e vërtetë..praktikisht nuk ka asnjë çështje që na mban të ndara. Në gjykimin tim nuk ka arsye se pse marrëveshja mos arrihet, sepse nuk ka me asnjë gjë të shprehur, mesa di unë edhe nga pala tjetër”. E pyetur për testin e drogës që kërkon PD, Felaj tha se forca më e madhe opozitare duhet të heqë dorën nga kjo kërkesë. “Duhet të heqë dorë sepse përdorimi i asaj gjëje… këtë pyesni Partinë Demokratike nëse ka hequr dorë apo jo, por unë nuk e shoh që të prononcohet që të këmbënguli në këtë pikë sepse edhe Partia Demokratike duhet të jetë e qartë, ajo përveçse e bën dhe ligjin qesharak e bën dhe të pamundur zbatimin e atij ligji”. Në lidhje me kërkesën për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit kristiandemokrat Mark Frroku, Felaj theksoi: “Është Vendimi i Këshillit të Legjislacionit, i cili që u votua në seancën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë që kërkesa përkatëse të votohet në Gjykatën Kushtetuese jo drejtpërdrejt në lidhje me mandatin, por kërkohet interpretimi i nenit kushtetues që bën fjalë për mënyrat si vjen mbarimi i mandateve”. Vetëm dy ditë më parë Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes kreut të grupit parlamentar Petrit Vasili dhe nënkryetarit të partisë Ylli Manjanit pohoi se dekriminalizimi është një proces që duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt pasi sipas kësaj force edhe qëndrimet e palëve janë pranë njëra-tjetrës. Të njëjtin qëndrim shprehu pak ditë më parë edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ku pas takimit që pati në rezidencën qeveritare me kryeministrin Rama, aleatin Meta, Vasilin dhe ministrat Tahiri e Naço, Ruçi tha se brenda javës mund të dilej me një draft të përbashkët për dekriminalizimin. Ndërkohë pak kohë më parë ishte vetë kreu i Komisionit të posaçëm për Dekriminalizimin, demokrati Oerd Bylykbashi, i cili deklaroi se mazhoranca kishte pranuar kërkesën e opozitës për shenjat e gishtërinjve. Ndërkaq PD nuk dha dje një përgjigje nëse do të tërhiqej nga kërkesa për testin e drogës, gjë e cila do të mundësonte konsensusin me mazhorancës për dekriminalizimin. Deri më tani demokratët e kishin cilësuar si thelbësore kërkesën për shenjat e gishtërinjve ndërsa nuk kanë lënë pa i dhënë rëndësi çështjes së testit të drogës, të përmendur shpeshherë edhe nga deputetët e PD-së në Parlament.