Të enjten votohet në Parlament për deputetin e ri “kauboj” të së majtës që i tha Ramës bukëshkalë dhe Doshit lider i Veriut
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje mes debateve dhe kundërshtive që të plotësonte vakancën e krijuar në Parlament pas dorëheqjes së deputetit të qarkut të Lezhës Arben Ndoka. Pavarësisht se palët ishin të ndara lidhur me faktin se kush duhej të përfitonte mandatin e deputetit, nisur edhe nga “mishmashi” i madh i krijuar me listën e socialistëve në Lezhë pas dorëheqjes së Ndokës, arrestimit të Prengës dhe vendosjes së Dedajt si kryebashkiak të Mirditës, shumica e anëtarëve vendosën që vendin në Parlament ta merrte Eduart Mark Ndocaj. Por përpara këtij vendimi, KQZ rrëzoi me 3 vota pro dhe 4 vota kundër, me shumicë votash propozimin e bërë nga vete administrata e saj për t’i dhënë mandatin e deputetit Ndrec Dedës, pasues i Ndokës në listën shumemërore të PS në Lezhë në zgjedhjet e 2013-ës. Nga ana e saj PD përmes përfaqësuesit të saj ligjor në KQZ Njazi Kosovrasti e cilësoi si shkelje të kodit zgjedhor këtë vendim të KQZ-së, pasi theksoi ai, institucioni kryesor i zgjedhjeve nuk mund të ndryshojë një listë të cilën e ka miratuar vetë. Ndërkaq anëtarja e KQZ-së e propozuar nga PD Vera Shtjefni tha se ky vendim nuk linte vend për zgjedhje pasi KQZ nuk mund të japë dy mandate për të njëjtin person, pra ta emërojë atë kryetar bashkie dhe më pas për deputet.
Deputeti i ri
Megjithëse Eduard Ndocaj do të votohet si deputet i ri i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, prej më shumë se dy vitesh që pas zgjedhjeve të përgjithshme marrëdhëniet e tij me kryeministrin dhe kryesocialistin Rama janë në konflikt të plotë. Kjo ka ardhur pasi Ndocaj akuzoi publikisht kreun e qeverisë si bukëshkalë, duke deklaruar se kishte shpenzuar miliona lekë gjatë fushatës elektorale te vitit 2013. I cilësuar si “kauboji” i Lezhës për shkak të kapeleve që mban në kokë, Ndocaj që prej asaj kohe u përfshi në Partinë Demokristiane të Nard Ndokës dhe mban postin e nënkryetarit. Në këto kushte edhe pse pritet të zëvendësojë një deputet socialist dhe pritet ta marrë mandatin si ligjvënës i PS-së, pritet që Ndocaj të përfaqësoj PDK-në e Ndokës në parlament. Ky i fundit megjithëse është bërë pjesë e mazhorancës, nuk ka nguruar të shprehë disa herë kundërshti për disa nisma dhe aksione të qeverisë. Në këto kushte duket se vota e Ndokës dhe Ndocajt shpeshherë mund të jetë kundër vendimmarrjes së shumicës së majtë. Vetë Ndoka u përpoq të bënte të ditur që dje se deputeti i ri që do bëhet pjesë e Parlamentit i përket forcës që ai drejton. “Te enjten betimi ne Kuvendin e Shqipërisë i deputetit Eduart Ndocaj, aktualisht N/Kryetar i Partisë Demokristiane te Shqipërisë. Zyrtarisht PDK me dy deputet ne Kuvend Kodi Zgjedhor dhe komisionarët e PD-PS, penguan përfaqësimin me votën reale ne Kuvend te alternatives Demokristiane, por si edhe ne raste te ngjashme, Demokristianeve u “zbresin Deputetet nga qielli”! Urime Eduartit, qe zgjodhi alternativen Demokristiane për ta përfaqësuar ne Kuvend! Zërin e atyre qe e votuan dhe atyre qe nuk jua numëruan, si dhe te mijëra emigranteve qe i penguan me ligj qe te votojnë”, shkruante Ndoka. Ndërkohë vetë Ndocaj që jeton në Itali përmes stafit të tij bëri të ditur se do të mbërrojë në Tiranën ditën e mërkurë. Ajo që mbetet me interes në përfshirjen e deputetit të ri të parlamentit do të jetë marrëdhënia në vazhdim me shumicën, ku nuk dihet nëse Ndocaj i qëndron ende mendimeve të shprehura disa muaj më parë, kur kërkonte arrestimin e Metës, largimin e Ramës, kalimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, si dhe mbrojtjen e Tom Doshit, të cilin e quante si liderin e Veriut.
QARKU LEZHË, LISTA E PS
- MIMI KODHELI
- ARMANDO PRENGA ( i burgosur)
- ARBEN NDOKA ( i dorëhequr)
- NDREC DEDAJ ( i zgjedhur kryebashkiak në Mirditë)
- MEJREME DELISHI ( ka lënë mandatin, nuk pranon rikthimin)
- EDUART NDOCAJ ( do të votohet të enjten në Kuvend)
- KASTRIOT PIROLI ( i dënuar me dy muaj burg)
- MIRELA NELI (ka lënë mandatin, nuk pranon rikthimin)
Debati në KQZ
- Osmanaj: Ne nuk e njohim këtë dorëheqje, duhet ta verifikojë Komisioni i Verifikimit të Mandateve
- Biba: Kjo procedurë duhet të përfundojë dhe ne të bëjmë atë që na takon, kurse Kuvendi atë që i takon. Na ka ardhur një shkresë që është krijuar kjo vakancë nga dorëheqja e z. Ndoka dhe mandati i kalon Ndoc Ndue Dedajt, që është aktualisht kryetar i bashkisë Mirditë. Ai nuk mund të diskutohet dhe as të zgjidhet deputet nëse nuk ka dhënë dorëheqjen nga detyra që ka, ai s’mund të kandidojë fare.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Nj. Kosovrasti: Kjo listë me 8 emra është miratuar nga KQZ dhe për asnjë arsye ajo nuk mund të ndryshohet. Me vendimin që doni të merrni sot ju po vendosni që z. Ndrecaj t’i hiqni mandatin e deputetit dhe nga ana tjetër ta jepni. Ju duhet të çoni emrin në parlament dhe të thoni që këtij zotërie i ka ardhur radha e të vazhdojë procesi.
L.Luzi: Hedhim në votim propozimin që mandati t’i jepet z.Ndrec Ndue Dedaj.
(Votohet, rrëzohet)
L.Luzi: Pra, atëherë jemi tre vota pro aktit të KQZ-së dhe 4 vota kundër aktit të KQZ-së. Atëherë akti bie dhe unë propozoj që…
D.Biba: Atëherë, administrata përmes një arsyetimi të ri, arsyetimi i shumicës së anëtarëve të KQZ-së, të sjellë një vendim të ri që do të bazohet në dispozitivin aktual që, KQZ-ja vendosi t’i japë mandatin kandidatit të 6-të në listë, z.Eduard Mark Ndocaj.
(Votohet, miratohet me 4 vota)